“Mos pyet për milionin e parë”. Si i justifikoi Vetingu 5 shtëpitë e shefit të SHÇBA Tiranë, Arben Caka

Nga BoldNews.al

Në historinë botërore, ka një shprehje shumë domethënëse që i atribuohet industrialistit të madh amerikan, Henri Ford: “Jam i gatshëm që të jap llogari për çdo qindarkë të pasurisë sime, por mos më pyesni për milionin e parë”.

Natyrisht, Arben Caka, drejtori i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, nuk ka asnjë lidhje me Henri Ford dhe pasurinë e tij.

Megjithatë, metoda e “milionit të parë” duket se ka funksionuar gjatë procesit të Vetingut, në përfundim të të cilit u konfirmua nga detyrë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit (KJV), në 2 Qershor 2020.

Në foto: Vendimi nr. 43/214 Akti, dt.02.06.2020, i Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit për subjektin Arben Caka, drejtor i SHÇBA, Drejtoria e Policisë Tiranë

Sipas vendimit të zbardhur në fund të gushtit të vitit të kaluar, rezulton se Arben Caka ka fituar pronësinë e 5 apartamenteve, një dyqani dhe një garazhi në Tiranë, në këmbim të ofrimit të një trualli 250 metra katrorë për ndërtimin e një pallati 8 katësh.

Pasi fitoi pronësinë mbi këto asete, Arben Caka i shpërndau një pjesë të tyre, nëpërmjet kontratave të dhurimit tek motrat dhe një prej vëllezërve, si kontributorë në blerjen e truallit mbi të cilin u ngrit pallati.

Ndërkohë që kontrata e shkëmbimit të truallit për ndërtim pallati duket në rregull, pikëpyetje ngrihen pikërisht mbi burimin financiar të blerjes së tokës, e cila më pas shërbeu si mjeti për të shtuar pasurinë e drejtuesit të rëndësishëm policor dhe familjes së tij.

Pikëpyetje mbi truallin
Gjithçka nis në vitin 2000, kur Arben Caka dhe familjarë të tij blejnë një truall 250 metra katrorë në Tiranë, me vlerë 2 milionë lekë të reja.

Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit duket se se ka përdorur standarte të ndryshme dhe tejet favorizuese, krahasuar me atë rrjetën e thurur ngushtë për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pavarësisht se kriteret e kontrollit janë të njëjta edhe për drejtuesit e lartë policorë.

Në 11 Gusht të vitit 2000, Arben Caka regjistron në Hipotekën e Tiranës truallin 250 m2, me vlerë 2 milionë lekë të reja, siç i ka deklaruar edhe në formularët e dorëzuar pranë Inspektoratit të Lartë të Deklarimit e Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) dhe në formatin Veting.

Si burim për këtë investim, shefi i SHÇBA-së së Tiranës deklaron se 800 mijë lekë janë nga kursimet e tij ndër vite dhe 1.2 milionë lekë të tjera janë kontribute të familjarëve të tij, përfshirë nënën, 3 motrat dhe një prej vëllezërve.

Fillimisht, Komisioni i Vetingut shqyrtoi të dhënat financiare të subjektit Arben Caka dhe arriti në konkluzionin paraprak se ai nuk justifikonte rreth 500 mijë lekë, pra më shumë se gjysmën e asaj që deklaronte se kishte përdorur si investim të tijin për blerjen e truallit në Tiranë.

Pasi u njoh me dokumentat shtetës të Cakës, KJV arriti në përfundimin se ai kishte pasur mundësi financiare të kursente 800 mijë lekë, të cilat i shërbyen për investim në truall.

Më tej, Komisioni i Vetingut analizoi të ardhurat e familjarëve të tij, për pjesën tjetër të investimit, në shumën 1.2 milionë lekë të reja.

Në këtë pikë, procedura vijoi më gjatë dhe, në fund, megjithëse rezultoi e suksesshme për drejtuesin policor, nuk duket se ka qenë aq strikte nga ana e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, të paktën krahasuar me mënyrën se si vepron Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Burim për investimin 1.2 milionë lekë, sipas deklarimeve të Arben Cakës, kanë shërbyer të ardhurat nga pensioni i nënës, shitja e prodhimeve bujqësore të tokës në pronësi të familjes së tij, si edhe të ardhurat nga punësimi si emigrant në Itali të vëllait, S.C.

LEXO EDHE  Rama në Prishtinë, pritet me ceremoni shtetërore nga Albin Kurti

Në shumë vendime, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, nuk i ka konsideruar të ardhura të ligjshme paratë e deklaruara nga gjyqtarët dhe prokurorët, për fitimet që kanë siguruar ata vetë apo familjet e tyre nga shitja e prodhimeve bujqësore, në rast se ato nuk vërtetohen me dokumenta, përfshirë fatura shitjeje apo pagesë të taksave dhe tatimeve përkatëse.

Në rastin e Arben Cakës, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit i ka konsideruar të drejta pretendimet e tij për fitimet nga shitja e prodhimeve bujqësore, megjithëse në vendim nuk përmendet asnjë dokument justifikues për to.

Po ashtu, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit i ka justifikuar subjektit Arben Caka kursimet e të vëllait emigrant në Itali, megjithëse dokumentat e paraqitura në seancë nuk janë në përputhje me kërkesat e ligjit dhe, mbi të gjitha, nuk arrijnë të justifikojnë burimin financiar për blerjen e truallit në Tiranë.

Në foto: Argumentat e KJV për mundësinë financiare për kursime të vëllait të subjektit Arben Caka

Më konkretisht, zyrtari policor Arben Caka ka dorëzuar në Komisionin e Vetingut dokumenta që vërtetojë se vëllai i tij, S.C. është resident në Rimini (Itali), si edhe pasaportën me hyrje-daljet Shqipëri-Itali në periudhën para blerjes së truallit.

Po ashtu, në dosjen e rivlerësimit gjenden edhe një deklaratë e një shtetasi Italian, i cili pranon se e ka punësuar shtetasin S.C në periudhën 1999-2000 si hidraulik, me pagesë totale 18 milionë lireta, si edhe i ka lënë të jetojë pa qera në një shtëpi të tij.

Sipas KJV, këto dokumenta kanë qenë të mjaftueshme për t’u bindur se vëllai i Arben Cakës ka pasur mundësi financiare për të investuar në truallin në Tiranë.

Megjithatë, vlerësimi i Komisionit të Vetingut të drejtuesve policorë duket tërësisht i përciptë.

Fakti që vëllai i Arben Cakës ka qenë i punësuar, nuk do të thotë domosdoshmërisht se ai ka pasur mundësi për krijimin e kursimeve, aq më tepër që dokumentat e dorëzuar nga subjekti i rivlerësimit nuk rezultojnë të jenë konfirmuar nga autoritetet shtetërore italiane, nëpërmjet vulës Apostile, një standart që ndiqet rëndom për Vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Pra, Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit i kanë mjaftuar vërtetimet e dorëzuara nga punëdhënësi Italian i vëllait të Arben Cakës, duke u dhënë fuqinë e provës ligjore, në kundërshtim me kriteret ligjore.

Nga trualli, tek apartamentet
Pasi u justifikua burimi i ligjshëm i truallit, gjithçka tjetër dukej më e thjeshtë për drejtuesin policor, Caka.

Komisioni i Vetingut konstatoi se, në vitin 2002, Caka ka nënshkruar një kontratë sipërmarrje, nëpërmjet të cilës ai vendos truallin në dispozicion të një kompanie ndërtimi, për një godinë banimi 8-katëshe.

Në bazë të kësaj kontrate, në vitin 2013, Arben Caka përfitoi 5 apartamente banimi, një dyqan dhe një bodrum.

Në foto: Lista e pasurive të përfituara nga subjekti Arben Caka, me bazë kontratën e shkëmbimit të truallit 250 m2

Më tej, sipas asaj që lexohet në vendimin e konfirmimit të tij në detyrë, ai ka shpërndarë, nëpërmjet kontratave të dhurimit, një pjesë të këtyre apartamenteve në emër të motrave dhe vëllait, të deklaruar si kontributorë në blerjen e truallit 250 metra katrorë në vitin 2000, mbi të cilin u ndërtua pallati.

Në foto: Vendimi i KJV për konfirmimin në detyrë të subjektit Arben Caka

Në përfundim, rezulton se Arben Caka, ka marrë në pronësi të tij dy apartamente, me sipërfaqe përkatësisht 120 m2 dhe 108 m2, dyqanin me sipërfaqe 40 m2 dhe bodrumin (garazhin).