Gjykata Kushtetuese rrëzon ankesën e partive të vogla, të rreshtuara në koalicionin e drejtuar nga Partia Demokratike, për ndarjen e fondeve pas zgjedhjeve.
Pesë aleatët e Lulzim Bashës iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar nenin 88 të Kodit Zgjedhor i cili parashikon mënyrën e re të përllogaritjes së votave të partive garuese në koalicion, edhe kur ato nuk kanë prodhuar mandate, që praktikisht përkthehet në shumën e parave që marrin nga buxheti i shtetit.
Kjo pasi ligji parashikon se partitë pjesëmarrëse në koalicion i përllogaritet numri i votave në bazë të numrit të mandateve dhe kandidatët që nuk thyen herësin, nuk iu llogariten votat e marra dhe si i tillë përjashtohen edhe nga mbështetja financiare.
“Votat që një parti ka marrë në një zonë zgjedhore ku nuk ka prodhuar deputetë nuk përkthehet në mbështetje financiare. Kjo shkelje e barazisë para ligjit është shkelje kushtetuese.
Ai subjekt që siguron vota duhet të marrë financimin përkatës”, thotë Dardan Mustafa, avokat i Partisë Republikane.
Këto ndryshime u miratuan në 5 tetor 2020 dhe ishin pjesë e ndërhyrjes që mazhoranca bëri me dakordësinë e opozitës parlamentare, ndërsa ajo jashtë Kuvendit i denoncoi si të njëanshme.
VLERËSIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE
Pёr legjitimimin e kёrkueseve Legjitimimi i subjekteve kërkuese (locus standi) është çështje e rëndësishme qё kushtëzon vënien nё lëvizje tё procesit kushtetues. Partitë politike, bazuar në nenin 134, pika 1, shkronja “gj”, nenin 134, pika 2, të Kushtetutës, si dhe në nenin 49, pika 3, shkronja “d” dhe pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, bëjnë pjesë në rrethin e subjekteve që mund të paraqesin kërkesë në Gjykatën Kushtetuese vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
Kёrkueset, konkretisht Partia Republikane e Shqipërisë (PR), Partia Agrare Ambientaliste (PA), Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), janё parti politike tё themeluara e tё regjistruara rregullisht dhe nisur nga kjo, Gjykata vlerёson se ato legjitimohen ratione personae. Pёr mё tepёr, njёra prej tyre, PR-ja, e ka vënë disa herё në lëvizje Gjykatën pёr kontrollin kushtetues tё normave (shih vendimet nr.15, datë 15.04.2010; 28, datë 09.05.2012; nr.1, datë 16.01.2017; nr.11, datë 09.03.2021 të Gjykatës Kushtetuese). Gjykata vlerёson se kёrkueset legjitimohen edhe ratione temporis, bazuar në nenin 50, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, sipas tё cilit kërkesat në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën duhet tё paraqiten brenda dy viteve pas datës së hyrjes në fuqi e aktit.
Në rastin konkret, ligji nr. 118/2020 ka hyrë në fuqi nё datën 18.11.2020 dhe kërkesa në Gjykatën Kushtetuese është depozituar nё datën 12.02.2021, pra brenda afatit ligjor. Për sa i përket legjitimimit ratione materiae, Gjykata vlerëson se është rasti të ritheksojë qëndrimin e saj se në gjykime me objekt kontrollin e kushtetutshmërisë së normës, subjektet që parashikohen në nenin 134, pika 2, të Kushtetutës kanë detyrimin të provojnë lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet funksionit e veprimtarisë ligjore që ato kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur.
Partitë politike përfshihen në nenin 134, paragrafi 1, shkronja “gj“, të Kushtetutës si subjekte që e ushtrojnë në mënyrë të kushtëzuar të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ato kanë legjitimitet kushtetues vetëm për çështjet që lidhen me interesat e tyre dhe Gjykata ka theksuar se nё çdo rast interesat duhet tё provohen dhe justifikohen. Konkretisht, kërkuesi duhet, së pari, të saktësojë se në çfarë cilësie vepron kundër normës së kundërshtuar dhe, më pas, të vërtetojë se në çfarë mënyre mund të preket në një aspekt të çfarëdoshëm të situatës së tij, pra duhet të provojë lidhjen e drejtpërdrejtë dhe të individualizuar që ekziston midis situatës së tij dhe normës që kundërshton (shih vendimin nr. 16, datë 25.07.2008 të Gjykatës Kushtetuese). Interesi për të vepruar duhet të jetë i sigurt, i drejtpërdrejtë dhe vetjak (shih vendimet nr. 2, datë 28.04.2009; nr .16, datë 25.07.2008; nr. 9, datë 19.03.2008; nr. 41, datë 16.11.2007; nr. 35, datë 10.10.2007; nr. 11, datë 04.04.2007; nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Partitë politike në sistemin e zgjedhjeve, veçanërisht në procesin zgjedhor, që nga fushata parazgjedhore, paraqitja e kandidatëve, formimi i trupave zgjedhore, ndjekja e zgjedhjeve e deri te ndarja e mandateve, paraqiten si faktorë përcaktues shumë të rëndësishëm. Prandaj, si demokracia përfaqësuese, ashtu edhe sistemi i zgjedhjeve nuk mund të paramendohen pa ekzistencën dhe funksionimin e partive politike. Ky pozicion i veçantë që partitë politike kanë në raport me zgjedhjet, përcakton njëkohësisht edhe interesin e tyre për të pasur një legjislacion dhe rregulla sa më të qarta e të drejta (shih vendimet nr. 11, datë 13.03.2015; nr. 1, datë 07.01.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
Nisur nga sa më lart, Gjykata vlerëson se kërkueset legjitimohen edhe ratione materiae, pasi ato pretendojnë se fjalia e dytё nё paragrafin 3 tё nenit 88 tё Kodit Zgjedhor “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”, shtuar përmes nenit 9 të ligjit nr. 118/2020, cenon parimin e barazisë para ligjit dhe të mosdiskriminimit, barazinë e votës dhe konkurrimin e lirë të partive, duke deformuar financimin e drejtё që duhet të zbatohet për të gjitha partitë politike.
Pёrveç pretendimeve pёr cenimin e barazisё para ligjit dhe tё mosdiskriminimit si dhe tё barazisё sё votёs dhe konkurrimit nё zgjedhje, kërkueset kanë pretenduar, gjithashtu, se ligji që përmban normën objekt kundërshtimi është miratuar me procedurë të përshpejtuar, pra në shkelje të nenit 83, paragrafi 3, të Kushtetutës. Gjykata vëren se ky pretendim ka tё bёjё me çёshtje tё njё natyre kryesisht procedurale, formale, por duke qenë se ai ёshtё ngritur nё kuadrin e pretendimeve me natyrё materiale, pёr tё cilat kёrkueset legjitimohen, ajo gjykon se është me vend ta vlerësojë edhe atë bashkё me shqyrtimin e pretendimeve tё themelit. Në vijim, Gjykata do të analizojë pretendimet e parashtruara në kërkesë, në këndvështrim të parimit të barazisë para ligjit të lidhur me mosdiskriminimin, si dhe të parimit të barazisë së votës tё lidhur me konkurrimin e lirë.
Për themelin e pretendimeve
B.1. Për parimin e barazisë para ligjit, të barazisë së votës dhe konkurrimit të lirë
Kërkueset pretendojnë se norma objekt kundёrshtimi cenon parimin e barazisë para ligjit dhe të mosdiskriminimit, pasi krijon situatë pabarazie të subjekteve zgjedhore, sepse i trajton ndryshe vetёm duke u bazuar nё faktin e pjesëmarrjes së tyre nё zgjedhje si subjekt mё vete ose si pjesё e njё koalicioni zgjedhor. Jo vetёm partitё e koalicionit, por edhe vetё koalicioni diskriminohet, pasi do të marrë më shumë vota sesa mandate, kështu që jo të gjitha votat do të prodhojnë mandate përfaqësimi.
Detyrimi për paanësi në financimin publik të fushatës zgjedhore, sipas parimit të barazisë “proporcionale”, nёnkupton respektimin e parimit tё shanseve të barabarta të të gjitha partive pjesëmarrëse në garën zgjedhore. Gjithashtu, cenohet edhe veprimtaria politike e partive, pasi ky parashikim ligjor bën rregullim të posaçëm, përjashtimor, të mënyrës së zakonshme të ndarjes së fondit buxhetor për partitë, që bazohet te votat që ato kanë fituar, duke parashikuar që për partitë pjesëtare në koalicione numri i votave takuese pёrcaktohet nga mandatet që do të fitojë secila parti e koalicionit. Kërkueset, në kuadër të parimit të barazisë para ligjit dhe shtetit të së drejtës, kanë pretenduar se fjalia e dytë e paragrafit 3 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor bie në kundërshtim me parimin e barazisë së votës dhe të konkurrimit të lirë.
Shpërndarja e financimit duhet tё bëhet duke llogaritur çdo votë, nё kёtё kuptim dispozita cenon shanset e barabarta të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe i jep shtetit mundёsinё tё favorizojё ato që garojnë më vete.
Nuk ekzistonte asnjë arsye qё nё ligjin zgjedhor të shtohej dispozita pёr krijimin e mekanizmave qё cenojnë trajtimin e drejtë dhe shanset e barabarta në një garë zgjedhore. Shpërndarja e fondeve të financimit nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore është proces me rëndësi kushtetuese dhe pjesë përbërëse e parimit të barazisë së votës. Për këtë arsye, zbatimi i tij dikton nevojën e përcaktimit të kritereve të sakta për ndarjen e barabartë, proporcionalisht, të fondeve të buxhetit të shtetit për fushatën zgjedhore, bazuar në numrin e votave të fituara nga secila parti politike, duke shmangur vendosjen e kritereve qё janë në kundërshtim me parimin e barazisë së votës.
Subjekti i interesuar, Kuvendi, ka prapësuar se pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, koalicioni i partive politike, si subjekt zgjedhor, regjistrohet dhe shfaqet me listë të përbashkët dhe është e pamundur të votohet nominalisht partia politike që është pjesë e koalicionit.
Vlera e financimit që përfiton një parti nga buxheti i shtetit llogaritet mbi numrin e votave të vlefshme të fituara prej saj në zgjedhjet e përgjithshme, shumëzuar me vlerën monetare të një vote. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor e bёjnë të pamundur matjen e peshёs elektorale tё një partie politike pjesëtare të njё koalicioni. Kuvendi ka vendosur që për shkak të rëndësisë që paraqet financimi publik i partive politike, sidomos ai i fushatave zgjedhore, të mos ia lërë atë në dorë marrëveshjeve private mes partive të një koalicioni zgjedhor, por të normohet shprehimisht, në mënyrë taksative, në Kodin Zgjedhor.
Edhe pretendimi për cenimin e parimit të mosdiskriminimit është i pabazuar, pasi nuk mund të vihet shenja e barazimit nё trajtimin financiar nga fondet publike mes një partie politike që konkurron si subjekt zgjedhor mё vete dhe një partie politike që konkurron nё pёrbёrje tё një koalicioni zgjedhor. Duke mos qenë në të njëjtat rrethana dhe pozita juridike, nuk mund të ketë rregullim ligjor tё njёjtё për këto subjekte. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas Kuvendit, partive iu krijuan mundësi tё barabarta, pasi secila prej tyre ka tё drejtё të hyjë me vullnet të lirë në garën zgjedhore, të vlerësojë dhe të zgjedhё mënyrën e përfaqësimit dhe të konkurrimit në zgjedhje, si subjekt më vete ose brenda një koalicioni, dhe, për rrjedhojë, në bazë të rregullave të përcaktuara që më parë, të parashikojë pritshmëritë lidhur me shpërndarjen e financimit në bazë të votave dhe mandateve të marra.
Subjekti i interesuar, KQZ-ja, ka prapësuar se para ndryshimeve kushtetuese tё vitit 2020, çështja e ndarjes së fondeve buxhetore nё Kodin Zgjedhor trajtohej bazuar në konceptin e koalicioneve të përbëra, nё fletёt e votimit të të cilave shfaqeshin emrat e partive pёrbërëse. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2020, tё cilat sollёn një koncept tё ri tё sistemit zgjedhor, ligjvënësi e çmoi të domosdoshme tё bёnte ndёrhyrje nё paragrafin 3 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor, duke shtuar fjalinë që përcakton formulën për mёnyrёn e shpёrndarjes sё fondeve partive pjesëtare të koalicioneve. Po të mos shtohej kjo fjali as partitё politike pjesëtare të një koalicioni, as KQZ-ja nuk do tё ishin nё gjendje të përllogaritnin fondet takuese për to.
Duke interpretuar mё gjerë dispozitat e Kodit Zgjedhor, marrёveshja e koalicionit mund të ishte njё instrument pёr të zgjidhur edhe marrёdhёniet financiare midis këtyre partive, por në çdo rast të drejtat dhe detyrimet që njeh Kodi Zgjedhor pёr tё, do të ushtroheshin nga partia udhëheqëse e tij. Partitë politike luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin demokratik pluralist, pasi kontribuojnë në shfaqjen dhe përfaqësimin e vullnetit politik të popullit përmes pjesëmarrjes në zgjedhje dhe ndihmojnë në realizimin e sovranitetit të tij.
Për shkak të këtyre funksioneve ato konsiderohen pjesëtare të domosdoshme dhe faktorё në zhvillimin e jetës politike e shoqёrore të vendit. Nё kuptimin kushtetues ato paraqiten si bashkime vullnetare mbi bazën e ideve, të bindjeve e pikëpamjeve politike të përbashkëta, që synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit (shih vendimet nr. 11, datë 13.03.2015; nr. 1, datë 07.01.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
Gjykata konstaton se Kushtetuta i ka kushtuar rëndësi të veçantë partive politike, nё funksion tё parimeve tё qeverisjes sё vendit, bazuar nё njё sistem zgjedhjesh tё lira, tё barabarta, tё pёrgjithshme e periodike (neni 1); ushtrimit tё sovranitetit tё popullit nёpёrmjet pёrfaqёsuesve tё tij (neni 2) dhe pluralizmit politik, i cili pёrbёn njё prej bazave tё kёtij shteti, qё ka pёr detyrё ta respektojё dhe ta mbrojё (neni 3). Në këtë kontekst, Kushtetuta jo vetëm garanton krijimin dhe veprimtarinё e lirё tё partive politike (neni 9), por u ka dhёnё atyre edhe njё rol tё posaçёm kushtetues nё lidhje me paraqitjen e kandidatёve nё procesin zgjedhor (neni 68) dhe nё formimin e qeverisё (neni 96). Financimi i partive politike është jetik për përmbushjen e rolit tё tyre kushtetues, edhe pёrtej fushatave zgjedhore. Të ndërgjegjshme për kёtё rol, ato duhet të bëjnë pёrpjekje për të siguruar të ardhura nga burime alternative, përveç kontributit nga buxheti i shtetit, sikurse janë ato qё parashikohen nё ligjin organik, si kontributet e anёtarёsisё, dhurimet nё tё holla, nё natyrё ose në formё shërbimesh e sponsorizimesh, si dhe huat ose kreditë sipas ligjit.
Financimi i fushatës zgjedhore nga buxheti i shtetit kёrkon vёmendje tё shtuar pёr tё shmangur tendencat e mundshme tё ndikimit të papërshtatshëm që mund të ushtrojnë mbi to dhuruesit privatё, pёr tё krijuar favore klienteliste. Financimi i shtetit për partitë politike është thelbësor për të garantuar pavarësinë e tyre nga burimet e tjera financiare dhe për t’i siguruar mundësinë për të konkurruar nga një pozicion i barabartë. Sa më shumë tё subvencionohen nga shteti, aq më pak partitë politike do ta ndiejnë nevojën pёr të kërkuar fonde për veprimtarinë e tyre nga burime të tjera (shih vendimin nr. 28, datë 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese). Gjykata është shprehur se edhe pse në parim mbështetja financiare e shtetit ndaj partive politike ka rëndësi në një shtet të së drejtës, kjo nuk do tё thotё se ajo ёshtё e pakufizuar.
Gjykata vlerëson se kjo mbështetje mund të kufizohet mbi bazën e kontributit të partive politike, duke e vlerësuar atë në termat e “seriozitetit të përpjekjeve të partive konkurruese” ose të “seriozitetit të qëllimeve elektorale të tyre” , që shpreh një shkallë të përfaqësimit të tyre (shih vendimin nr. 28, datë 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese). Nga sa më lart, meqenëse kërkueset ngrenë pretendime për mënyrën e përllogaritjes së votave të fituara në zgjedhjet e përgjithshme, si anëtare të koalicionit, Gjykata vëren se në nenin 64 të Kushtetutёs përcaktohet sistemi zgjedhor në Republikën e Shqipërisë dhe partitë politike përcaktohen me termin “subjekt zgjedhor”. Në Kodin Zgjedhor ky termi, përveç partive politike, u referohet edhe koalicioneve dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit.
Kodi rregullon edhe mënyrën e regjistrimit të koalicioneve (neni 65). Termi “koalicion” përmendet edhe në nenin 96, paragrafi 1, të Kushtetutës sipas së cilit: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicë ne vendeve në Kuvend.”. Koalicioni, si koncept nuk trajtohet as nga ligji nr. 8580/2000 “Pёr partitё politike”, i ndryshuar, as nga Kodi i Praktikës së Mirë për Çështjet Zgjedhore. Termi “koalicion” në kuptimin e mirëfilltë gjuhësor është lidhje ose aleancë e përkohshme ndërmjet shteteve, partive (shih Fjalorin e Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2006).
Gjykata, në vijim të sa shtjellohet nё paragrafёt pararendёs, vlerëson se koalicioni është një formë organizimi, bashkim i përkohshëm i dy ose më shumë partive, i cili gëzon të njëjtat të drejta themelore si të ishte një parti politike, por u nënshtrohet rregullave ligjore që Kodi Zgjedhor parashikon posaçërisht në lidhje me mёnyrёn e trajtimit dhe të pёrllogaritjes sё votave tё marra prej tij si subjekt zgjedhor. Sipas Kodit të Praktikës së Mirë në Fushën për Çёshtjet Zgjedhore, aty ku legjislacioni parashikon financimin publik, partitë politike duhet të kenë akses dhe të zbatojnë kërkesat minimale, të cilat duhet të jetë të arsyeshme dhe jo diskriminuese (shih opinionin nr. 190/2002, Komisioni i Venecies, datë 18-19 tetor 2002).
Edhe sipas Direktivave për Financimin e Partive Politike financim publik duhet të përfitojë çdo parti e përfaqësuar në parlament. Megjithatë, që të sigurohet barazia e mundësive për forcat e ndryshme politike, financimi publik mund të shtrihet edhe te subjektet politike që përfaqësojnë një pjesë domethënëse të elektoratit dhe që paraqet kandidatë për t’u zgjedhur. Masa e financimit mund të përcaktohet nga ligjvënësi në mënyrë periodike, bazuar në kritere objektive. Nё kёtё drejtim rёndёsi merr edhe pёrdorimi i arsyeshёm i sё drejtёs qё ka ligjvёnёsi pёr tё pёrdorur hapёsirёn e vet diskrecionale, pasi kjo e drejtё duhet ushtruar nё harmoni me detyrimin pёr garantimin e njёrit prej parimeve themelore kushtetuese, siç ёshtё ai i barazisё. (shih dokumentin e Komisionit të Venecies (2001) 8, mbledhja e 46-të plenare, datë 9-10 mars 2001).
Duke iu rikthyer pretendimeve të parashtruara në kërkesë dhe gjatë seancës plenare, Gjykata vëren se, në thelb, ato kanë të bëjnë me cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe konkurrimit të lirë, prandaj bazuar në parimin iura novit curia do t’i analizojë ato nën dritën e parimit të barazisë përpara ligjit, në këndvështrim të konkurrimit të lirë tё partive në zgjedhje.
Në nenin 18 të Kushtetutës garantohet shprehimisht barazia para ligjit, kurse në paragrafët 2 dhe 3 të tij sanksionohet se askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht, ndër të tjera, as për shkak të bindjeve politike.
Nё jurisprudencёn kushtetuese ёshtё theksuar se parimi i barazisë synon që të gjithë të jenë të barabartë në ligj dhe përpara ligjit, dhe jo vetëm në të drejtat themelore të parashikuara në Kushtetutë, por edhe në të drejtat e tjera ligjore (shih vendimin nr. 78, dat 22.12.2015 të Gjykatës Kushtetuese). Barazia në ligj dhe para ligjit nuk do të thotë që të ketë zgjidhje të njëllojta për individë ose kategori personash që janë në kushte objektivisht të ndryshme. Barazia para ligjit dhe në ligj presupozon barazinë e individëve që janë në kushte të barabarta.
Megjithatë, parimi i barazisë nuk e ndalon trajtimin e diferencuar, por trajtimi i ndryshëm i kategorive të caktuara që përfitojnë nga kjo e drejtë mund të përligjet vetëm në raste përjashtimore dhe për shkaqe të arsyeshme e objektive (shih vendimet nr. 10, datë 29.02.2016; nr. 71, datë 27.11.2015; nr. 4, datë 12.02.2010; 19, datë 09.07.2009; nr. 39, datë 16.10.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Gjykata ka përcaktuar disa standarde për të vlerësuar nëse një ligj është diskriminues, bazuar në kushtet dhe kriteret qё parashikohen nё nenin 18 të Kushtetutës. Në të tilla raste ajo shqyrton nëse ligji parashikon trajtim të diferencuar të subjekteve dhe, në rast se e konstaton këtë fakt, vlerëson nëse diferencimi ka qenë i përligjur dhe për arsye objektive. Kjo përligjje vlerësohet e lidhur me qëllimet dhe efektet e masave të marra.
Gjithashtu, nuk mjafton vetëm diferencimi i përligjur, por edhe që mjeti i përzgjedhur për arritjen e qëllimit të ligjvënësit të jetë i arsyeshëm dhe i përshtatshëm (shih vendimin nr. 48, datë 15.11.2013 të Gjykatës Kushtetuese). Gjithashtu, Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se përkufizimi i një rregullimi juridik pavarësisht nëse është ose jo objektivisht i arsyetuar, kërkon edhe një vlerësim real. Diferencimet, si dhe arsyet që çojnë tek to ose kundër tyre, duhen ballafaquar për t’ia lënë në dorë përfundimisht vendimin organit kompetent, sipas kritereve të tij.
Mënyra e zgjidhjes është një e drejtë e organit përkatës, sepse çdo çështje ka specifikat e saj. Sipas praktikës së Gjykatës, jemi para diskriminimit, kur subjekte juridike që ndodhen në të njëjtën gjendje trajtohen në mënyra të ndryshme pa justifikim ligjor të arsyeshëm dhe objektiv. Natyrisht që përkufizimi i çdo kriteri për ta cilësuar arsyetimin objektiv varet në një masë të madhe nga çmuarja e vlerave dhe nuk mund të jetë i përcaktuar në mënyrë precize (shih vendimet nr. 48, datë 15.11.2013; nr. 4, datë 12.02.2010 të Gjykatës Kushtetuese). Në lidhje me parimin e konkurrimit të lirë të partive politike shteti ka detyrimin të respektojë shanset e barabarta të të gjitha partive dhe legjislacionin që rregullon kushtet e këtij konkurrimi, si dhe mosmarrёveshjet midis pjesëmarrësve në të.
Duke qenë se parimi i konkurrimit të lirë ndikon në respektimin e parimit të barazisë para ligjit, çdo ndërhyrje nga ligjvënësi mbi këto kushte duhet të udhëhiqet nga interesi publik. Ligjvënësi e ka të ndaluar të trajtojë palët në mënyrë të dallueshme nga njëra-tjetra, përveçse kur ekzistojnë arsye të forta përjashtimore për ta bërë këtë (shih vendimin nr. 32, datë 21.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese). Nga ana tjetër, Gjykata ka theksuar se është e drejtë e ligjvënësit të përcaktojë me ligj masёn e buxhetit të shtetit që do të jepet për financimin e partive politike.
Ligjvënësi e ka lidhur shpërndarjen e këtyre fondeve me rezultatin e zgjedhjeve dhe numrin e mandateve përfaqësuese në Kuvend, sepse kjo reflekton pozicionin real të një partie politike dhe veçanërisht shkallën e pjesëmarrjes në pushtetin legjislativ. Ky është një kriter i mjaftueshëm për t’i ndarë partitë politike në ato që kanë një domethënie reale për veprimtarinë politike në vend, bazuar në vullnetin e votuesve që ato përfaqësojnë, dhe në ato që nuk arrijnë të përfaqësojnë një pjesë domethënëse të zgjedhësve, pasi rezultojnë të pasuksesshme në zgjedhje. Ky parashikim ka si qëllim të kufizojë ekzistencën e subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje, kryesisht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, por që nuk kanë peshë reale në jetën politike të vendit dhe mbështetje domethënëse nga zgjedhësit. Partitë politike kryejnë funksionin e përfaqësimit të interesave të ndryshme dhe synojnë realizimin/përmbushjen e tyre me mjete demokratike, pra përfaqësimit në asambletë përfaqësuese. Ato parti që nuk marrin pjesë në zgjedhje, ose nuk marrin mjaftueshëm mbështetje publike, qartësisht nuk japin të njëjtin kontribut në përcaktimin e vullnetit politik të popullit (shih vendimin nr. 28, datë 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese).
Financimi i partive politike është shqyrtuar edhe nga gjykatat kushtetuese të vendeve të tjera. Kështu, ajo e Republikës Çeke ka ndalur në të drejtat e partive politike për të përfituar financim për fushatёn zgjedhore, duke përcaktuar pragun dhe vlerën monetare për çdo votë, por nuk bёn dallim për partitë politike që garojnë nё koalicione. Ajo ka vlerësuar se kufizimi i shtetit i vendosur për financimin nga buxheti i shtetit nuk ishte antikushtetues, për sa kohë ai nuk shkon mbi pragun e arsyeshëm që nxit pjesëmarrjen e partive politike në zgjedhje (shih vendimin nr. IV 82S 828/17 të Gjykatës Kushtetuese të Çekisë). Gjithashtu, ajo ka gjykuar për qëllimin e financimit, duke arritur në përfundimin se është me rëndësi që ky financim të garantojë seriozitetin e zgjedhjeve, jo të pengojë konkurrencën e lirë të partive politike, duke vendosur një prag të arsyeshëm nёn 2% (shih vendimin nr. Pl. ÚS 30/980 të Gjykatës Kushtetuese të Çekisë).
Çështja e financimit të partive politike është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Lituanisë, e cila ka shqyrtuar ligjin lituanez “Për partitë politike”, për financimin e tyre dhe e ka konsideruar atë kushtetues, pasi financimi do të bëhej në përputhje me formulën përkatëse të votave të fituara prej partive politike. Sipas saj, financimi i veprimtarive të partive politike gjatë vitit zgjedhor bёhet në bazë të rezultateve tё zgjedhjeve të mëparshme, ndërsa për zgjedhjet e reja, sipas peshёs politike tё partive nё parlament (shih vendimin e datës 7 qershor 2019 të Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë). Po kjo gjykatë, në një rast tjetër ka vlerësuar se ligjvёnёsi ёshtё i lirё tё vendosë për mënyrën e financimit të partive politike, kandidatët e të cilave kanë fituar bindshëm në zgjedhjet përkatëse por, nga ana tjetër, ka vlerësuar se ai duhet të vendosë kushte që ushtrojnë ndikim negativ në zhvillimin e lirë të sistemit pluralist ose rëndojnë nё mёnyrё shpërpjestimore mbi partitë politike që nuk përmbushin kushtet për marrjen e fondeve nga buxheti i shtetit (vendim i datës 29 Mars 2012 i Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë). Edhe Gjykata Kushtetuese e Gjermanisё e ka trajtuar disa herё çёshtjen e financimit tё partive politike.
Një vendim i saj i vitit 1992 solli ndryshime në financimin e partive politike nga buxheti i shtetit, bazuar në një skemё tё re – financimin e pjesshëm, bazuar në votat e fituara (1 markё gjermane pёr votё pёr zgjedhjet nё organet e Bashkimit Evropian, Bundestag dhe lande dhe gjysmë marke gjermane pёr kuotat dhe kontributet e donatorёve). Gjithashtu, me vendimin e saj u përcaktua buxheti total pёr tё gjitha partitё në kufirin maksimal deri në 230 milionё marka. Tё drejtën e këtij financimi publik e gëzojnë partitë politike qё arrijnë pragun 0.5% (për Bundestagun dhe Parlamentin Evropian) ose 1% të votave (për landet) (shih vendimin 2BvE 8/89, 9 prill 1992 të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë).
Nisur nga sa më lart, Gjykata vlerëson se, financimi i partive politike, si dhe masa e tij kanë nevojë të mbështeten në kritere të qarta e të arsyeshme, ndër të cilat parësore është shkalla e suksesit të një partie politike në zgjedhjet pararendëse. Një subjekt zgjedhor, që ka marrë vota të konsiderueshme në zgjedhje, i takon të përfitojë më tepër fonde sesa njё tjetër qё nuk ka marrë po aq vota. Financimi i fushatës zgjedhore nga buxheti i shtetit, si një ndër burimet e financimit të subjekteve zgjedhore, merr rëndësi të dyfishtë edhe për një arsye tjetër, atë të shmangies së ndikimit që mund të ushtrojnë mbi to në të ardhmen subjekte të ndryshme private, tё cilat mund t’ua financojnë fushatën. Financimi i partive politike nga buxheti i shtetit duhet të jetë një ndër zërat më të rëndësishëm jo vetëm gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, por edhe gjatë periudhës mes zgjedhjeve, gjatë veprimtarisë së zakonshme tё tyre, për shkak të statusit kushtetues të veçantë që ato kanë si pjesëtare të domosdoshme në jetën politike e shoqërore të vendit. Duke iu rikthyer çështjes konkrete, Gjykata vëren se, nga parashikimet e nenit 64, paragrafi 1, të Kushtetutës, të cilat kufizojnë shpërndarjen e mandateve vetëm për subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar, ligjvënësi ka ndërhyrë në Kodin Zgjedhor duke i shtuar nenit 65, paragrafin 3.
Ky paragraf kërkon që në momentin e regjistrimit, koalicioni, si subjekt zgjedhor, të deklarojë partinë politike që e përfaqëson dhe e udhëheq në fushatën zgjedhore. Kjo do të thotë se për efekt të zbatimit të këtij kodi, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që përcakton për subjektet zgjedhore merren përsipër dhe ushtrohen nga partia udhëheqëse e koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare, përfshirë të drejtat e detyrimet e tyre reciproke, rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet prej tij në KQZ. Ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor ndryshuan edhe statusin juridik të subjekteve zgjedhore, për sa u përket koalicioneve të partive që marrin pjesë në procesin zgjedhor. Në këtë rast partitë politike merren vesh që të caktojnë njërën parti të koalicionit për ta udhëhequr e përfaqësuar atë, të pranojnë siglën përfaqësuese së partisë udhëheqëse, si dhe të caktojnë një numër kandidatësh sipas marrëveshjes përkatëse të koalicionit. Për një parti që është në koalicion, në ndryshim nga një parti që merr pjesë në zgjedhje më vete, koncepti i tërësisë së votave të vlefshme të fituara ka dallim.
Ndërkohë që për një parti që merr pjesë më vete është e lehtë të përcaktohet numri i votave të vlefshme të saj, të cilat përkthehen në mandate, për një parti që merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në koalicion me parti të tjera, votat e vlefshme të fituara prej saj mund të mos prodhojnë mandat parlamentar. Megjithatë, partitë hyjnë në koalicion për të realizuar disa synime, ndër të cilat, më kryesori lidhet me maksimalizimin e numrit të votave, që më pas përkthehen në mandate sipas rregullave të Kodit Zgjedhor.
Për partitë politike të vogla, pjesëmarrja në koalicion sjell avantazhe arritjen e pragut kombëtar prej 1% të votave të vlefshme, si dhe vendosjen e disa kandidatëve të tyre në pjesën fituese të listës, sipas marrëveshjes. Këto avantazhe lidhen më pas drejtpërdrejt me përfitimin e financimit nga buxheti i shtetit, i cili vendos kushtin e arritjes së pragut kombëtar, duke ndjekur më pas rregullat e numrit të mandateve të fituara në raport me numrin e votave të vlefshme. Nga ana tjetër, në rastin e koalicionit nuk mundësohet identifikimi i numrit të përgjithshëm të votave që merr vetë partia politike në koalicion, pasi të gjitha partitë në koalicion garojnë nën siglën e partisë që drejton, por mund të përllogaritet vetëm numri i përgjithshëm i votave të vlefshme që marrin direkt kandidatët e asaj partie politike.
Bazuar nё parashtrimet e KQZ-së, Gjykata konstaton se ndryshimi qё parashikon fjalia e shtuar nё nenin 88, paragrafi 3, tё ligjit nr. 118/2020, bazuar në nenin 180 të Kodit Zgjedhor, nuk u zbatua nё zgjedhjet e pёrgjithshme tё datёs 25 prill 2021 dhe shpёrndarja e vlerёs financiare pёr partitё politike, pёrfshirё kёrkueset, do tё bёhet pёr zgjedhjet e pёrgjithshme pasrendëse. Për financimin e partive nga buxheti i shtetit, subjekti i interesuar, KQZ-ja, ka pohuar se rregullimi nga ligjvënësi është i arsyeshëm, pasi në këtë mënyrë shmanget edhe rreziku që vjen nga natyra e paqëndrueshme e marrëveshjeve të koalicioneve të partive politike, gjё qё do tё sillte pasoja edhe nё qëndrueshmërinë e Kuvendit.
Në analizë të sa më lart, Gjykata vlerëson se Kodi Zgjedhor vendos kritere të njëjta për të gjitha subjektet zgjedhore, ndёr tё cilat edhe pragun kombëtar 1%, arritja e tё cilit shёrben si kusht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit. Në kod trajtohet hollёsisht edhe metodologjia për përllogaritjen e fondit nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore.
Metodologjia qё do të zbatohet varet nga forma juridike që zgjedh subjekti për tё marrë pjesë në zgjedhje, pra, mё vete ose në përbërje të një koalicioni. Për sa i përket mënyrës së përllogaritjes së fondeve nga buxheti i shtetit për koalicionet, subjekti i interesuar, KQZ-ja, paraqiti një shembull ilustrues për zbatimin në praktikë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor, duke e konkretizuar me koalicionin me të cilin mori pjesë edhe kërkuesja, Partia Republikane, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021.
Nga rezultati paraprak i KQZ-së, koalicioni, në të cilin mori pjesë edhe kërkuesja, mori 622,220 vota, të cilat prodhuan 59 mandate. Fillimisht pёrcaktohet mesatarja e votave për mandat që del nga pjesëtimi i votave të koalicionit në rang kombëtar me numrin e mandateve. Në funksion të zbatimit të nenit 88, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor, përllogaritja do të bëhet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e koalicionit.
Për kërkuesen mesatarja e votave do të jetë 3 mandate shumëzuar mesataren e votave për koalicionin pra 10,546 vota. Numri i këtyre votave shumëzohet me vlerën monetare të një vote, e cila del nga pjesëtimi i buxhetit të përgjithshëm që përcakton KQZ-ja, sipas Kodit Zgjedhor, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme. Nga ana tjetër, referuar sërish rezultateve paraprake të zgjedhjeve të shpallura nga KQZ-ja, rezulton se kandidatët e secilës prej partive kërkuese që kanë përfituar mandate në zgjedhjet e përgjithshme të datës 25 prill 2021, kanë marrё një numër më të ulët votash sesa shumatorja e votave qё kanё prodhuar mandatet pёrkatёse të përfituara, në këndvështrimin e përcaktimeve të nenit 67, paragrafi 4 (fjalia e fundit) dhe nenit 88, paragrafi 3 (fjalia e fundit) të ligjit nr. 118/2020, rrjedhimisht bazuar në shembullin konkret fondet qё u shpёrndahen atyre si pjesë përbërëse e koalicionit, janё më të mёdha krahasuar me fondet që do tё përfitonin nëse do të konkurronin si parti më vete. Në këto kushte, metodologjia e përdorur për shpërndarjen e fondeve partive anëtare të koalicionit, sipas mandateve dhe jo sipas votave, nuk e cenon parimin e barazisë, pasi ekziston përligjje e arsyeshme dhe objektive, që është pamundësia e identifikimit të votave që merr secila parti si pjesëtare e koalicionit. Në përfundim, pretendimi i kërkueseve se fjalia: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre” e parashikuar në pikën 3 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor, bie në kundërshtim me parimin e barazisë para ligjit dhe të konkurrimit të lirë në zgjedhje është i pabazuar.
Gjykata çmon se nё kushtet qё ajo nuk vёren tё jenё cenuar parimet e barazisё para ligjit, si dhe tё barazisё sё votёs dhe konkurrimit nё zgjedhje, ёshtё e panevojshme analiza e pretendimit pёr cenimin e nenit 83, paragrafi 3, i Kushtetutёs. Siç parashtrohet nё paragrafin 18 tё kёtij vendimi, bazuar nё nenin 134, paragrafi 2, të Kushtetutёs, ky pretendim do tё vlerёsohej sё bashku me pretendimet e tjera tё kёrkueseve, nёse ato do tё provonin interesin e tyre. Nga ana tjetёr, nё procesin e vlerёsimit tё parashtrimeve tё Kuvendit, Gjykata konstatoi se sipas procesverbalit pёrkatёs nisma ligjvënëse e Kuvendit ka qenë e programuar dhe e pёrfshirё nё kalendarin e tij. Gjithashtu, projektligji qё propozonte ndryshime e shtesa nё Kodin Zgjedhor ёshtë paraqitur pёr shqyrtim mё 17 janar 2020, ndryshe nga sa kanё pretenduar kërkueset. Në përfundim, Gjykata çmon se kërkesa e paraqitur nga kërkueset është e pabazuar, sipas arsyetimit të këtij vendimi.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “gj”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,
V E N D O S I:
Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 29.06.2021
Shpallur më 19.07.2021