Përvojat afër vdekjes janë të njohura në të gjitha rajonet e botës, në kohë të ndryshme dhe nga prejardhje të shumta kulturore. Ky universalitet, sugjeron se ato mund të kenë një origjinë dhe qëllim biologjik, por se çfarë mund të jetë saktësisht ai, kjo gjë ka qenë kryesisht e panjohur deri më sot.
Një studim i ri i kryer së bashku nga Universiteti i Kopenhagës në Danimarkë dhe ai i iLiezhit në Belgjikë, dhe i botuar në “Brain Communications”, tregon se si përvojat e afër vdekjes që kanë përjetuar njerëz të ndryshëm, mund të kenë lindur nga mekanizmat evolucionarë.
“Duke iu përmbajtur një protokolli të parazgjedhur, ne hulumtuam hipotezën, sipas së cilësthanatoza është origjina evolucionare e përvojave afër vdekjes”- thotë Daniel Kondziela, neurolog në Rigshospitalet, Spitali Universitar i Kopenhagës.
Kur sulmohen nga një grabitqar, si një mekanizëm i fundit mbrojtës, kafshët mund të shtiren si të ngordhura për të përmirësuar shanset e tyre për të mbijetuar. Dhe ky fenomen quhet thanatozë, e njohur gjithashtu si “palëvizshmëria e vdekjes”.
“Si një strategji mbijetese, thanatoza është ndoshta po aq e vjetër sa përgjigja ‘lufto ose mbathja”- thekson Kondziela. Ndërkohë Sharlot Martial, neuropsikologe nga Grupi i Shkencave mbi Gjendjet e Komës në Univesitetin e Liezhit shpjegon:”Me këtë studim nëtregojmë së pari se thanatoza është një strategji mbijetese shumë e ruajtur, që ndodh tek të gjitha kafshët kryesore, duke filluar nga insektet te peshqit, zvarranikët, zogjtë dhe gjitarët, përfshirë dhe njerëzit.
Po ashtu ne tregojmë se kur sulmohen nga kafshë të mëdha si luanët apo arinjtë, apo përdhunuesit, njerëzit mund të përjetojnë edhe thanatozë edhe përvojën e gati-vdekjes. Për më tepër, ne tregojmë se fenomenologjia dhe efektet e thanatozës dhe përvojave afër vdekjes,i mbivendosen njëra-tjetrës”.
Stiven Loreis, neurolog dhe shef i njësisë kërkimore “GIGA Consciousness” është i ngazëllyer nga rezultatet e studimit:”Me këtë punim, ne ofrojmë shumë prova, që sugjerojnë se thanatoza është themeli evolucionar i përvojave afër vdekjes, dhe se qëllimi i përbashkët biologjik është përfitimi i mbijetesës”.
Autorët e studimit, mendojnë se përvetësimi i gjuhës, u dha njerëzve mundësinë t’i shndërrojnë këto ngjarje nga reagime relativisht stereotipike të shtirjes si i vdekur, kur gjenden nën sulmin e grabitqarëve, deri tek perceptime e pasura që formojnë përvoja afër vdekjes dhe që vërehen në situata të tjera.
“Duhet theksuar se mekanizmat cerebralë që mendohet se i shkaktojnë këtë sjellje, nuk janë të ndryshme nga ato që janë sugjeruar se nxisin përvojat afër vdekjes, përfshirë ndërhyrjen e gjumit me lëvizjen e shpejtë të syve. Kjo gjë e forcon më tej idenë se mekanizmat evolucionarë, janë një pjesë e rëndësishme e informacionit të nevojshëm për të zhvilluar një kornizë të plotë biologjike për përvojat afër vdekjes”- shpjegon Kondziela.
Asnjë studim i mëparshëm, nuk ishte përpjekur të siguronte një bazë të tillë filogjenetike. Loreis arrin në përfundimin se “kjo mund të jetë hera e parë, që ne mund t’i caktojmë një qëllim biologjik përvojave afër vdekjes, dhe që në fund do të sillte përfitimin e mbijetesës”.Kondziela shton”: Në fund të fundit, përvojat afër vdekjes janë ngjarje ku gjithmonë mbijetohet”.