Çfarë po i shkakton përmbytjet në Europë, flasin shkencëtarët

Shkencëtarët më të mirë të klimës kanë pranuar se nuk kanë arritur dot të parashikojnë intensitetin e përmbytjeve në Gjermani, dhe as të nxehtin ekstrem në Amerikën e Veriut. Megjithatë, ata thonë se kishin paralajmëruar se ndryshimet klimatike do të shkaktonin situata të tilla me përmbytje si dhe me valë nxehtësie.

Shkalla e demit është tragjike, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë të kërkojnë viktima. Të paktën 180 njerëz kanë humbur jetën në Gjermani dhe Belgjikë, ndërsa ka ende persona që nuk po gjenden. Përmbytjet bënë kërdinë deri pasditen e të shtunës në disa pjesë të Europës.

A janë përmbytjet evropiane të lidhura me krizën klimatike?

Pothuajse po. Shkencëtarët kanë parashikuar prej kohësh se problemet klimatike do të çojnë në mot më ekstrem, të tilla si valë të nxehtësisë, thatësira dhe përmbytje. Emetimet njerëzore nga gazrat e shkarkimit të motorëve, djegia e pyjeve dhe aktivitete të tjera po ngrohin planetin. Ndërsa atmosfera nxehet, ajo mban më shumë lagështirë e cila sjell më shumë shi. Të gjitha vendet që kanë përjetuar përmbytje kohët e fundit – Gjermania, Belgjika, Hollanda, Londra, Edinburgu, Tokio dhe gjetkë – mund të kishin pasur shi të madh veror edhe pa krizën klimatike, por përmbytjet nuk do të kishin gjasa të ishin kaq shkatërruese.

LEXO EDHE  Efektet e pandemisë tek rinia evropiane

Por gjithmonë ka pasur përmbytje dhe valë të nxehtësie. Cilat janë provat se njerëzit po i përkeqësojnë ato?

Së pari, më shumë rekorde po thyhen më shpesh; shtatë vitet më të nxehta të botës në historinë e regjistruar, kanë ardhur të gjitha që nga viti 2014. Së dyti, shkencëtarët tani mund të përdorin analiza statistikore dhe modele kompjuterike për të llogaritur se si ndikon dora e njeriut në kushtet e motit.

A do të ketë Mbretëria e Bashkuar më shumë përmbytje dhe valë nxehtësie?

Po. Përmbytjet në Londër, Edinburg dhe gjetkë javën e kaluar ishin të pazakonta krahasuar me të kaluarën, por ato do të jenë më të zakonshme në të ardhmen. Gjatë këtij shekulli, Met Office Hadley Center parashikon “dimra më të ngrohtë, më të lagësht dhe verëra më të nxehta dhe të thata së bashku me një rritje të frekuencës dhe intensitetit të ekstremeve”.