Probleme financiare për Realin e Barçën, shesin lojtarë me çmim okazioni

Me dy miliardë euro borxhe në total, Reali i Madridit dhe Barcelona shikojnë në merkato me ankthin në rritje dhe nevojën për të lehtësuar organikat. Çdo ditë shpenzojnë që të vijë dikush për të marrë disa nga lojtarët e çmuar, djem me “paga të arta” që në këtë jetë pas pandemisë janë bërë të papërballueshme edhe për gjigantët e Spanjës.

Janë dy francezë që në Madrid dhe në Barcelonë do t’i shisnin me dëshirë, Raphael Varane dhe Antoine Griezman. Nisim nga i pari, duke qenë se situata e qendërmbrojtësit është më e thjeshtë të paktën në teori. Ka interesim nga Manchester United dhe që nga “Bernabeu” kanë dhënë tashmë bekimin për shitjen, që në fakt pas lamtumirës së Sergio Ramos do të ishte një tjetër goditje për mbrojtjen, por është marrë David Alaba dhe në këto kohë në luftën me vlerësimet teknike, fitojnë gjithmonë ato ekonomike.

Për këtë arsye Carlo Ancelotti ka komunikuar se nuk e konsideron një problem, pasi e ka deklaruar që ditën e parë, do të punojë me ata që do t’i japin. Nëse ikën Varane, si qendërmbrojtës do t’i mbeten Militao, Alaba e Nacho si dhe mund të promovojë ndonjë nga të rinjtë. Problemi për Realin është se që nga Manchesteri nuk ka mbërritur oferta e shumëpritur dhe në “Casa Blanca” shpresojnë që do të mos ketë surpriza pasi nevoja për Kesh është evidente.

Te Barcelona situata është një urgjencë edhe më e madhe. Tre ditë më parë të gjithë thanë se Barça ka gjetur akordin ekonomik me Messin dhe është e vërtetë, por edhe me pagën e argjentinasit të reduktuar me 50%, në situatën aktuale ekonomike të blaugranave, 6 herë fituesi i Topit të Artë nuk mund të federohet. Llogaritë janë shumë te thjeshta, siç ka shpjeguar Presidenti i La Liga-s, Javier Tebas: “Për çdo 4 euro të arkëtuara nga shitjet apo të kursyera nga pagat Barcelona mund të ri investojë 1”.

Dhe duke qenë se për momentin kanë hyrë 32 milionë euro, 20 milionë eurot neto të kontratës se Messit mbeten ende jashtë buxhetit. Së fundmi foli për të disatën herë Joan Laporta me presidentin blaugrana që përsëriti të njëjtin refren, “Rrini të qetë, gjërat ecin për mirë”. Barcelona kishte një ide, atë për të organizuar një shkëmbim me Atletikon mes Griezman e Saul. I pari është pak i dëshiruar nga tifozët e Los Colchoneros për mënyrën se si u largua, por i pëlqen trajnerit Simeone, ndaj ka një protektor të rëndësishëm. I dyti, Saul ka logon e Atletikos tatuazh në lëkurë dhe nuk do të ikte kurrë, por … duhet arkëtuar.

LEXO EDHE  Hektor Idrizaj gjen ekip pas largimit nga Partizani, i bashkohet Qaqi-t në Kosovë

Vetëm se ka disa probleme. Griezman fiton 18 milionë neto në sezon dhe nuk dëshiron të heqë dorë nga asnjë euro, ndërsa Barcelona nuk dëshiron të bëjë si me Luis Suarez që e paguan për të përforcuar konkurrentët. La Liga pastaj ka përsëritur disa herë se nuk pranon shkëmbime, do dy shitje të ndara nga njëra-tjetra dhe kjo e bën çështjen shumë komplekse. Për këtë arsye shkëmbimi Griezman-Saul ka pësuar një ndalesë të rëndësishme, por nëse nuk lirohet nga paga e Griezman, Barcelona nuk mund të përfshijë në buxhet atë të Messit.

Alternativat janë të lidhura me shitjen, apo më mirë heqjen qafe për një copë bukë të lojtarëve të dashur dhe të mirë-paguar si Coutinho e Dembele. Braziliani ka qenë i dëmtuar pothuaj për gjithë sezonin e kaluar, ndërsa Dembele u dëmtua seriozisht në Europian dhe t’u gjesh treg tani është e vështirë.

Ndaj Barcelona ose duhet të shesë Griezman, ose duhet të insistojë me La Ligan duke i kërkuar të mbyllë një sy, ose të dy bashkë për sa i përket tavanit të vendosur për pagat, për të regjistruar Messin. La Liga ka thënë deri më tani gjithmonë jo, por përballë rrezikut që të humbasë lojtarin e fundit të madh, ndoshta mund të lëshojë pe në emër të imazhit global të kampionatit!