“Ne jemi një ekip që i rëndon fanella, sepse njohim vlerën dhe peshën e saj”, iu drejtua deputeti i zgjedhur Belind Këlliçi, delegatëve në Kuvendin Kombëtar të PD, duke theksuar se kjo parti ishte, është dhe do të mbetet përjetë në anën e drejtë të historisë.
Duke u ndalur në situatën politike që kalon vendi, Këlliçi u shpreh se BE nuk i ka hapur negociatat me Shqipërinë, duke na dhënë një mesazh të qartë se kjo që kemi nuk është Shqipëria që duam.
“Korrupsioni në të gjithë sektorët, lidhja e pandashme e krimit me shtetin, diktati i oligarkisë mbi ligjet dhe parlamentin, hyrja e një kontigjenti kriminal në Kuvendin e Shqipërisë, të bëra së bashku, kanë shkaktuar deprimimin e ekonomisë dhe jetës shoqërore në tërësi.
Vendi ynë i bekuar me burime natyrore dhe njerëzore, nuk është më shtëpi për qindra mijra shqiptarë. Plot 140.000 të rinj kanë lënë vendin tonë në këto 8 vite. Bashkëkombasit tanë, fqinjët, miqtë dhe të afërmit tanë, paguajnë për t’u larguar nga atdheu i tyre. Mjekë, infermierë, inxhinierë, hidraulikë, hekurthyes, studentë, programues, talente të reja, i madh e i vogël, në këto 8 vite kanë kërkuar punë, siguri, drejtësi, azil, strehë, në tokë të huaj.
Shqipëria sot ndodhet në Europë vetëm gjeografikisht, pasi treguesit e saj janë tërësisht afrikanë. Në çdo raport ndërkombëtar, ne kemi në krah një shtet afrikan. Ndërkohë që truri i vendit prodhon dhe jep fryte në shtete të tjera, qeveria Rama lufton meritokracinë duke promovuar individë me 5 identitete, me të shkuar dhe të tashme kriminale, të cilët drejtojnë qytete, propozojnë dhe miratojnë ligje, japin dhe marrin leje ndërtimi, tendera dhe konçensione. Po përse zgjidhen këta individë dhe jo truri? Përgjigja është e thjeshtë:
Me paratë e tyre të pista, kriminelët blejnë vota për qeverinë, që kryeministri të vjedhë taksat, të bëjë kërdinë me konçensione e më pas t’i shpërblejë sërish me tendera korruptivë, në mënyrë që ata sërish të blejnë vota për të mbajtur Edi Ramën në pushtet”, tha Këlliçi.
Sipas tij, e vetmja mënyrë për t’u ndarë nga ky degradim shtetëror, social dhe ekonomik, janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Por sipas tij, për t’i organizuar ato, duhen së pari njerëz të ndershëm, politikanë të përgjegjshëm, njerëz që i druhen ligjit dhe e respektojnë atë.
“Edi Rama nuk është i tillë.
Ai bleu lirinë e shtypit me konçensione, lëshoi drejtorët e tij, ministrat dhe administratën publike, në shpërdorimin kolektiv më të madh të detyrës që ka njohur pluralizmi shqiptar. Mësyu në çdo lagje, rrënxë, fshat e qytet, për të blerë votën, vullnetin dhe dinjitetin e shqiptarëve që i varfëroi qëllimisht. E këtë më mirë se unë mund ta faktojnë banorët e zonës së Kombinatit, Yzberishtit, Unazës së Re, Kasharit, Yrshekut, Mëzezit, Vaqarrit, Pezës e Ndroqit.
Edi Rama shfrytëzoi fatkeqësinë natyrore për të përfshirë në skemën e rindërtimit sa më shumë qytetarë. Ai nuk ndërtoi asnjë shtëpi derisa u sigurua se në këmbim të ndihmës, të prekurit nga tërmeti do t’i jepnin garanci për votën, ashtu sikurse ndodhi në zonën e Kombinatit, ku sot që flasim me qindra familje janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre, në zona periferike të Tiranës dhe ende nuk dinë se çfarë do të bëhet me pasurinë e një jete të tërë, me banesat e tyre.
Ai la qëllimisht pezull prej vitesh mijëra aplikime për legalizime banesash, që t’i tundte ato gjatë fushatës elektorale, me të vetin zotin Lam, që jepte udhëzime të qarta partie sesi duhej vepruar me kujdes që vota mos t’i shkonte PD. Kjo skemë u aplikua masivisht në Yzberisht, Kashar, Kombinat e Unazë e Re; duke detyruar me qindra familje të votojnë për PS, si e vetmja mënyrë për të legalizuar shtëpitë e tyre dhe për të siguruar çatinë mbi kokë”, tha ai.
Këlliçi akuzoi në fjalën e tij Erion Veliaj, së bashku me Belinda Ballukun, Toni Gogun, Eduard Shalsin dhe Plarent Ndrecën e uniformave të Policisë së Shtetit, si njerëzit që deformuan vullnetin e shqiptarëve më 25 prill.
Duke iu drejtuar delegatëve, Këlliçi tha se duhet të luftojmë për të kthyer demokracinë dhe legjitimitetin në Shqipëri, sepse kjo masakër elektorale nuk ka dëmtuar vetëm PD, por më së shumti qytetarët dhe gjithë vendin.
“Por në këtë betejë, duhet gjetur edhe kurajo politike për të analizuar gabimet tona. Askush nuk është imun nga gabimi. Unë i pari. Prandaj çdo demokrat duhet ta bëjë analizën e zgjedhjeve nga vetja, nga detyrat dhe përgjegjësitë që ka marrë përsipër. Mirëpres dhe mirëkuptoj çdo kritikë të demokratëve. Fundja ata janë arsyeja e vërtetë se përse PD sot është e vetmja forcë antikomuniste në Europën Juglindore, e cila ende vijon të jetë alternativë qeverisëse.
PD është ekip dhe përgjegjësia është në ekip. Askush nuk duhet ta shohë ndeshjen nga tribuna. Duhet të jemi të gjithë në fushë. Po për këtë arsye, na duhet të mbështesim më shumë njëri-tjetrin. Prandaj i gjykoj të papranueshme sulmet në adresë të FRPD, që erdhën rrufeshëm gjatë garës për kreun e PD. Ne nuk jemi dekori i askujt! Këtë të mos e cojë ndërmend askush, sepse rinia është zemreku i kësaj partie. Kështu ka qenë gjithmonë, që në ditën e parë të themelimit, e deri në ditën e sotme, kur ne aderojmë në cdo organizatë rinore Europiane të djathtë dhe mund ta them me plot gojë, se energjinë dhe përkushtimin e forumit tonë rinor, do ta kishte zili cdo parti e jona simotër në Europë”, tha Këlliçi.