Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin, në bazë të të cilit u konsiderua si antikushtetuese e gjithë praktika ligjore për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar.
Në një vendim 5-2 të gjyqtarëve, u rrëzua ligji 37/2018, i konsideruar ndryshe si “ligji Fusha”.
Ndërsa, me votë unanime, Gjykata Kushtetuese rrëzoi edhe Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.377/2020, nëpërmjet të cilit qeveria i kaloi Bashkisë së Tiranës pronësinë e truallit të Teatrit Kombëtar.
Por, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka edhe disa detaje, nëpërmjet të cilave rrëzohet tërësisht propaganda disa-javore e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kur Gjykata Kushtetuese shpalli dispozitivin e vendimit, në 2 Korrik 2021, deklaroi se kishte rrëzuar ligjin dhe vendimin e këshillit të ministrave.
Ndërkohë që për Vendimin e Këshillit Bashkiak, i cili vendosi prishjen e Teatrit Kombëtar, Gjykata Kushtetuese deklaroi se nuk e kishte marrë në shqyrtim, për mungesë të kuorumit.
Ky detaj u përdor nga Veliaj, për të shpallur në mediat pranë tij, se Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur të ligjshëm vendimin për ndërhyrje me fadroma mbi godinën e Teatrit Kombëtar.
Në fakt, e gjithë parada televizive e Erion Veliajt rrëzohet nga vendimi i zbardhur i Gjykatës Kushtetuese.
Në pikën 41 të vendimit, lexohet: “ Për kontrollin kushtetues të VKB-së nr. 50/2020 nuk u arrit kuorumi i nevojshëm ligjor , pasi qëndrimet e gjyqtarëve u ndanë, për sa i takon juridiksionit të Gjykatës në lidhje me këtë akt. Në këtë kuptim, Gjykata vëren se, sipas nenit 73, pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, kur nuk formohet shumica prej 5 gjyqtarësh, kërkesa konsiderohet e rrëzuar…”.
Pra, është tërësisht e qartë se gjyqtarët janë ndarë mbi faktin nëse kanë kompetencë për të shqyrtuar ose jo aktet e Këshillit Bashkiak dhe nuk e kanë diskutuar aspak nëse vendimi i Veliajt dhe i Këshillit të tij Bashkiak është apo jo në përputhje me ligjin.
Sipas legjislacionit shqiptar, aktet e Këshillit Bashkiak shqyrtohen nga Gjykata Administrative e Apelit.
Ndërkohë, sa i përket pjesës tjetër, kërkesës së Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për shfuqizimin e ligjit “Fusha” dhe Vendimit të Këshillit të Ministrave që e pasoi atë, gjyqtarët kushtetues nuk kanë pasur asnjë dyshim, duke i shqyrtuar dhe më pas shpallur antikushtetuese.
Shkeljet e “ligjit Fusha”
Gjykata Kushtetuese ka arritur në konkluzionin se ligji 37/2018, i njohur ndryshe si ‘ligji Fusha”, nëpërmjet të cilit pranohej kërkesa e kompanisë private për ndërtimin e një kompleksi rezidencial, ku të përfshihej edhe Teatri Kombëtar, shkel parimin e lirisë ekonomike, trashëgimisë kulturore dhe decentralizimin e pushtetit vendor.
Fillimisht, Parlamenti miratoi një ligj, në bazë të të cilit u pranua propozimi i pakërkuar i kompanisë “Fusha” për ndërtimin e një kompleksi rezidencial privat, në një truall që gjendej edhe Teatri Kombëtar, duke parashikuar edhe ngritjen e një godine të re artistike.
Ky ligj u modifikua, pas kthimit në Kuvend nga Presidenti i Republikës dhe ndërhyrjes së Komisionit Europian.
Në ligjin e dytë, Parlamenti nuk e përmendi nominalisht kompaninë “Fusha”.
Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstaton se kriteret e përcaktuara në ligjin e ndryshuar, e orientonin të gjithë procedurën sërish tek e njëjta kompani private, duke anashkaluar konkurencën.
Në vijim, Gjykata Kushtetuese konstaton se ligji 37/2018 cënon edhe vlerat dhe trashëgiminë kombëtare.
Shumica e gjyqtarëve kushtetues vlerëson se “procesi i ndjekur në lidhje me vlerat historiko-kulturore të godinave të Teatrit Kombëtar si për shkak të historikut të tij, ashtu dhe të përfshirjes në qendrën historike të qytetit të Tiranës, nuk është trajtuar me kujdesin dhe seriozitetin e duhur”.
Në këtë konkluzion është arritur, pasi janë marrë në shqyrtim një seri aktesh, që datojnë prej vitit 2004, lidhur me statusin e godinës së Teatrit Kombëtar.
Një tjetër parim kushtetues i shkelur në ligjin “Fusha”, është edhe ai i decentralizimit të pushtetit
lokal.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se Parlamenti ka vënë në dispozicion të ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar një pjesë të truallit, i cili është në pronësi të Bashkisë së Tiranës, pa marrë më parë pëlqimin e Këshillit Bashkiak të kryeqytetit.
Në këtë mënyrë, sipas Gjykatës Kushtetuese, ligji cënon parimin e pavarësisë së qeverisjes vendore.
VKM cënon sigurinë juridike
Ndërsa, sa i përket Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 377/2020, mbi të cilën u vendos që trualli i Teatrit Kombëtar t’i kalonte në pronësi Bashkisë së Tiranës, të gjithë anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ishin dakord se ai ishte antikushtetues.
Gjyqtarët konstatuan se ky vendim i qeverisë Rama ishte mbështetur në ligjin special “Fusha”, ndërkohë që në fuqi është një tjetër ligj që rregullon marrëdhëniet ndërmjet pushtetit qendror dhe atij vendor.
Sipas gjyqtarëve, Vendimi i Këshillit të Ministrave cënon parimin e sigurisë juridike.
Në përfundim, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shpalljen antikushtetues të ligjit “Fusha”, si edhe të Vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili kaloi në pronësi të Bashkisë së Tiranës truallin e Teatrit Kombëtar.