Detaje të tjera janë zbardhur nga tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit, me vlerë rreth 2.8 mld lekë, për të cilin SPAK urdhëroi arrestimin e 9 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme, 8 prej të cilëve me vendim të GJKKO janë lënë në arrest me burg dhe 1 tjetër në arrest shtëpie.
Referuar dosjes së SPAK, raportohet se më 11 maj të vitit 2020, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit kanë hapur procedurën e prokurimit ku ofrues ishin “GENC TAAHHUT GIYM TEKSTIL”, BOE, dhe operatori i tretë BOE, “D&E sh.p.k + Summer Conf s.r.l+ “LOVERS S.R.L” + “YAKUPOGLU TEKSTIL VE DERI SAN TIC AS SË. VEDAT YAKUPOGLU”.
Po në këtë datë, për shkak të dokumentacionit teknik të shumtë të paraqitur nga ana e ofruesve, anëtarët e KOV i kanë kërkuar drejtueses së Organit Qendror Blerës, Edlira Naqellari, që të përbërje të këtij komisioni të shtohej edhe të paktën një ekspert fushe, që të merrej kryesisht me dokumentacionin teknik.
Naqellari ka emëruar në këtë post dy specialistë të fushës, Ermira Shehu dhe Mariglen Buzali. Referuar dosjes, më 6 korrik, Shehu ka kërkuar tërheqjen nga realizimi i detyrës dhe është zëvendësuar nga me një tjetër specialist të fushës, Fatmir Demneri.
I pyetur në lidhje më këtë fakt, kryetari i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Ylber Pjetërnikaj ka treguar se për të tre ofruesit e mësipërm janë vërejtur parregullsi që çonin në skualifikimin e tyre.
“Gjatë kohës së procesit të shqyrtimit dhe vlerësimit të ofertave, unë si anëtar i komisionit kam konstatuar disa mangësi në lidhje me dokumentacionin e paraqitur nga ofruesit për këtë procedurë.
Konkretisht, për operatorin “GENC TAHHUT GIYM TEKSTIL” , nuk ka plotësuar kriterin e përcaktuar në pikën 11, të ofertës teknike, pasi dokumentet e paraqitura për certifikatën EN ISO, për çdo model këpuce nuk ishin lëshuar nga një organ i vlerësimit të konformitetit, i akredituar nga organizmi kombëtar i akreditimit ose organizma ndërkombëtarë akreditues të njohur nga republika e Shqipërisë. Kjo certifikatë kërkohej për garantimin e cilësisë së mallit.
Gjithashtu nuk ka plotësuar kriterin e përcaktuar në gërmën “b” të pikës 12 të ofertës teknike. Pasi ofruesi nuk ka paraqitur fletë analiza ose raporte testimi për disa artikuj tekstili dhe lëkure.
Operatori nuk ka plotësuar as gërmën “c” të pikës 12 të ofertës teknike, pasi ofertuesi nuk ka paraqitur deklaratë nga prodhuesi i aksesoreve për përbërjen e materialeve të përdorura. Mos përmbushja e këtyre kritereve ka qenë kusht për skualifikim”, thuhet në dosje.
Gjithashtu, kryetari i KVO liston edhe parregullsitë e evidentuara tek dy operatorët e tjerë ekonomikë :
“Kurse, për bashkimin e operatorëve ekonomik BOE “kapko doo” + “adjeca doo” + “Galko doo” + jelen professional doo” + “galeb d.d” + “Open Tech consultin & Services” sh.p.k ka rezultuar se nuk plotësonte kriterin e përcaktuar në pikën 12 të ofertës teknike, pasi ditën e hapjes së procedurës nuk ka paraqitur disa nga mostrat ose kampionimet e artikujve, objekt prokurimi. Gjithashtu nuk plotësonte kriterin e përcaktuar në pikën 12 të ofertës teknike, pasi nuk kishte dorëzuar skeda teknike, raport testimi/fletë analiza për të gjithë artikujt e kostumeve dhe të këmishave. Mosplotësimi i këtyre dy kritereve ishte kusht për skualifikimin e operatorëve pjesëmarrës”, theksohet në dosje.
Ndërkohë referuar dosjes, duket se ka pasur një përplasje edhe mes anëtarëve të Komisionit të Blerjeve, dhe Policisë së Shtetit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në shkresën e datës 8 Gusht i është drejtuar Agjensisë së Blerjeve të Përqendruara, të cilës i ngre problematika në lidhje me disa elementë të zbatimit të kontratës, konkretisht përsa i përket dorëzimit të mallit, sasitë e pritshme, pajisjet e sistemit elektronik të shpërndarjes, mirëmbajtjes së sistemit elektronik dhe çmimet e ofertuara.
Sipas shkresës së Veliut janë ofertuar tre çmime të ndryshme për të njëjtin artikull, që ka vetëm një specifikim teknik.
Për disa artikuj çmimi i ofruar është më i ulët, gati nën kosto. Ekziston një mospërputhje mes logjikës së prodhimit dhe çmimit të ofruar, si në rastin kur këmisha me mëngë të gjatë kushton më pak se këmisha me mëngë të shkurtra, këmisha për meshkuj kushton më shumë se këmisha për femra.
Për këtë arsye,prania e këtyre çmimeve është rrisk për cilësinë e produktit, dhe do të ndikojë në llogaritjen e fondit limit në të ardhmen, sepse përvojat e mëparshme ndikojnë në vlerën e kontratës”, thuhet në dosjen e SPAK.
Ndërkohë që në përgjigjen e kthyer nga Agjensia e Blerjeve të Përqendruara thuhet se tashmë përgjegjësia për kontratën nuk ishte më e Policisë, e cila i kishte mbaruar detyrat e saj.