VIDEO/ Policia kontrolle në Durrës, sekuestrohen lëndë eksplozive, granata dhe drogë

Strukturat policore të DVP Durrës dhe komisariatet në varësi të saj, kanë kryer kontrolle të befasishme për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri e lëndë narkotike apo që kryejnë vjedhje banesash e lokalesh.

Burime zyrtare sqarojnë se si rezultat i kontrolleve, në Durrës është vënë në pranga një shtetas që trafikonte municion luftarak, një tjetër për një sërë vjedhjesh në banesa e lokale, ndërsa në Krujë është kapur një person në kërkim për kultivim të bimëve narkotike. Janë sekuestruar lëndë eksplozive C4, 2 granata dore, 4 kapsolla detonatore dhe municion luftarak.

“Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 17, Durrës, gjatë kontrollit të ushtruar në një mjet taksi në të cilin ishte pasagjer shtetasi M. S., kanë gjetur në çantën e tij, 2 granata dore, 4 kapsolla detonatore, 491 gramë lëndë eksplozive e dyshuar si C4 dhe 490 fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë për veprën penale ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak’, shtetasi M. S., 55 vjeç, banues në Shkodër. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, kapën dhe ndaluan shtetasin I. B., 64 vjeç, banues në fshatin Tapizë, Krujë, pasi në datë 19.06.2021, gjatë kontrollit në oborrin e banesës së tij janë gjetur të kultivuara bimë narkotike cannabis sativa.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, në kuadër të operacionit policor të koduar  ‘Përsëritësi’, kapën dhe  arrestuan në flagrancë shtetasin  I. M., 50 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale ‘Vjedhja’.  

Ky shtetas u arrestua në flagrancë pasi gjatë orëve të para të mëngjesit u konstatua nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur një shumë parash dhe sende personale në mjetin e shtetases S. Z. Në vijim të veprimeve rezultoi se ky shtetas është autor i dyshuar i vjedhjes së sendeve të ndryshme personale në 3 automjete të ndryshme, gjatë muajin qershor”, thuhet në njoftimin e policisë.

LEXO EDHE  Asnjë viktimë/ 31 raste të reja me Covid në Shqipëri në 24 orët e fundit! Harta