Nga Albi Serani
Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi të pezullojë procedimin disiplinor për shkarkimin e anëtarit të saj, Luan Daci, i dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “falsifikim dokumentash”, në një tentativë që më shumë se sa për fatin e karrierës së juristit, lidhet me përpjekjet për të ruajtur imazhin e institucionit e, mbi të gjitha, për të shtyrë në kohë pasojat juridike mbi vendimet e trupave të shkallës së dytë të Vetingut, ku ai ka qenë pjesë.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi pasditen e së Enjtes (08.07.2021) se, “gjyqtari hetues i çështjes, Ardian Hajdari….vendosi: Pezullimin e hetimit disiplinor ndaj anëtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtarit Luan Daci.. deri në dhënien e vendimit nga Gjykata e Lartë mbi ankimin e gjyqtarit Luan Daci, ndaj vendimit nr.5, datë 08.03.2021, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.
Vendimi i gjyqtarit Hajdari, i cili duket se mbart edhe nota të “konfliktit të interesit” për shkak se edhe ai vetë është nën hetim nga SPAK për “fshehje të të ardhurave”, konsiderohet nga konstitucionalistët si një vendim haptazi në kundërshtim me ligjin.
Besnik Muçi, avokat, ish-anëtar i Gjykatës Kushtetuese është i bindur se Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të shkarkonte menjëherë gjyqtarin Luan Daci, sapo ai u dënua me vendim të formës së prerë, në mars të vitit 2021.
“Vendimi i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për pezullimin e procedurës për shkarkimin e gjyqtarit Luan Daci është haptazi në kundërshtim me nenin 462 të Kodit të Procedurës Penale”, thotë Muçi për “Boldnews.al”.
Ai vijon më tej: “Neni 462 i Kodit të Procedurës Penale, në pikën 3/b të tij, parashikon se vendimet e gjykatës së Apelit janë të formës së prerë dhe janë drejtëpërdrejtë të ekzekuteshëm”.
Konstitucionalisti Muçi përmend vetëm një situatë, kur vendimi i Apelit nuk zbatohet. “Lidhet me situatat, kur Gjykata e Lartë ka vendosur pezullimin e vendimeve të Apelit”, thotë ai.
Por, Gjykata e Lartë nuk ka marrë një vendim të tillë për rastin e Luan Dacit.
“Boldnews.al” konsultoi faqen e internetit të këtij institucioni dhe nuk kishte asnjë vendimmarrje për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të Gjykatës së Apelit Kundër Krimit dhe Korrupsionit dhe rrjedhimisht, ai vendim duhej vënë në zbatim nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, duke e shkarkuar nga detyra Luan Dacin.
Mes juristëve ka një diskutim, që lidhet me faktin se procedimet penale nuk mund të afektojë procedimet disiplinore dhe anasjelltas.
Konstitucionalisti Besnik Muçi e pranon këtë situatë teorike. Megjithatë, – shprehet ai- në rastin e gjyqtarit të KPA, Luan Daci, procedimi penal ka lidhje të drejtëpërdrejtë edhe me procedimin disiplinor.
“Në nenin 6, pika 1/d e ligjit 84/2016 ‘Për Vetingun’, parashikohet se nuk mund të zgjidhen dhe as të ushtrojnë detyrën e anëtarit të institucioneve të vlerësimit personat që janë dënuar me vendim të formës së prerë. Pra, gjyqtari Luan Daci nuk mund të vijojë detyrën e gjyqtarit të KPA, për faktin se ai është dënuar me vendim të formës së prerë”, deklaron juristi Muçi.
Ky qëndrim mbështetet edhe në parashikimet e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit njehsohen dhe gëzojnë statusin e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.
Neni 128 i Kushtetuës, në pikën 1 dhe 2/b të saj parashikon se “gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit” dhe se “procedimi disiplinor zhvillohet nga Gjykata Kushtetuese, e cila vendos për shkarkimin e tij, në rastet kur…dënohet me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi”, siç konsiderohet edhe vepra penale e “falsifikimit të dokumentave”, për të cilën është dënuar gjyqtari i KPA, Luan Daci.
Hetimi dhe dënimi i Luan Dacit
Gjyqtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, u kallëzua penalisht një vit më parë nga ish-magjistratët, Antoneta Sevdari, Ervin Metalla dhe Elsion Sadiku.
Kallëzuesit pretendonin se Daci ka falsifikuar dokumentat, në momentin që ka aplikuar për një nga pozicionet në institucionet e rivlerësimit, duke fshehur faktin se kishte qenë i shkarkuar nga detyra e gjyqtarit për shkelje të rëndë të ligjit.
Hetimi u krye nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), e cila është kompetente për procedimet penale ndaj zyrtarëve të lartë, përfshirë edhe anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Në datën 1 Dhjetor 2020, Gjykata e shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me vendimin nr. 32, shpalli fajtor shtetasin Luan Daci për kryerjen e veprës penale të “falsifikimit të dokumentave”, me të cilin kishte aplikuar për pozicionin në KPA dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim, të konvertuar në shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare.
Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me vendimin nr. 5, datë 8 Mars 2021, la në fuqi vendimin e shkallës së parë.
Një ditë më pas, në datën 9 Mars 2021, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja, i dërgon disa institucioneve, përfshirë edhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, urdhërin e ekzekutimit të vendimit penal në ngarkim të shtetasit Luan Daci.
Zvarritje e procesit disiplinor
Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit (ONM), dy struktura që janë të ngarkuara me ligj për të iniciuar nisjen e procedimit disiplinor ndaj zyrtarëve të strukturave të rivlerësimit, duket se nuk u ngutën për të shqyrtuar në aspektin disiplinor rastin e gjyqtarit Luan Daci.
“Boldnews.al”, i cili konstatoi këtë vonesë, ka zhvilluar një komunikim intensiv me të dy institucionet, lidhur me hapat e ndërmarra për çështjen “Daci”.
Në 8 Prill 2021, pra rreth një muaj pas vendimit të formës së prerë të Apelit të GJKKO, “Boldnews.al” pyeti Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, nëse ishte informuar zyrtarisht për dënimin e Luan Dacit dhe përse ai vijonte të përfitonte privilegjet si anëtar i KPA.
KPA, në përgjigjen e datës 21 Prill 2021, informoi redaksinë se “Gjyqtari Luan Daci vijon të jetë i pezulluar nga detyra me vendimin nr.14, datë 24.07.2020 të Mbledhjes së Gjyqtarëve” (pasi ai mori cilësinë e të pandehurit në procedimin penal).
Po ashtu, “Sa i përket vendimit të Gjykatës së Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, të cilit ju i referoheni, Kolegji i Posaçëm i Apelimit është në pritje për të administruar vendimin e vlefshëm sipas dispozitave procedurale penale”, shprehet KPA, ndërkohë që urdhëri i ekzekutimit të vendimit penal i ishte dërguar që në 9 Mars 2021.
Ndërsa, lidhur me benefitet si anëtar i KPA të Luan Dacit, institucioni informoi se “është Garda e Republikës si institucioni përgjegjës për mbrojtjen dhe sigurinë fizike të anëtarëve të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që ka vënë në dispozicion automjetet dhe personelin e sigurisë që shoqëron gjyqtarët e Kolegjit”.
Më shumë se një muaj pas këtij komunikimi, KPA ende nuk kishte informuar për nisjen e procedimit disiplinor ndaj Luan Dacit.
Në 28 Maj 2021, “Boldnews.al” i drejtohet sërish Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për inicimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarit Daci.
ONM, në një përgjigje të datës 8 qershor 2021, informon redaksinë se “Vëzhguesit Ndërkombëtarë e kanë ushtruar këtë të drejtë në çështjen që ju përmendni më 25 maj 2021. Kërkesa është depozituar në përputhje me nenin 128/2/b të Kushtetutës së Shqipërisë. Parakushti ligjor i një kërkese të tillë është ekzistenca e një dënimi penal të formës së prerë të lëshuar kundër z. Luan Daci”.
Në fakt, diçka e tillë ishte njoftuar pak më herët edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.
Në datën 2 qershor 2021, rreth 3 muaj pas vendimit penal të formës së prerë, KPA njoftoi publikisht se “…është regjistruar çështja (Juridiksion Disiplinor) nr.5/2021, datë 31.05.2021, me kërkues Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me objekt: “Procedim disiplinor ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit Luan Daci”.
Në 5 Korrik 2021, redaksia, duke konstatuar vonesa në procesin disiplinor ndaj Luan Dacit, i drejtohet sërish Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për t’u informuar mbi statusin e çështjes.
Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, dy strukturat nuk kanë kthyer ende përgjigje mbi kërkesat.
Megjithatë, në datë 8 Korrik 2021, pra 3 ditë pas kërkesës së “Boldnews.al”, Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi zyrtarisht pezullimin e procedimit disiplinor ndaj Luan Dacit, deri në shqyrtimin e rekursit të tij nga Gjykata e Lartë.
“Në vlerësimin tim, ky është rast tipik i standartit të dyfishtë që ndiqet nga institucionet”-thotë konstitucionalisti Besnik Muçi.
“Në rastet e qytetarëve të thjeshtë, vendimi i formës së prerë i Gjykatës së Apelit ekzekutohet menjëherë. Ndërsa në rastin e gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vendimi i ekzekutueshëm i Apelit nuk zbatohet, por pritet shqyrtimi i rekursit në Gjykatën e Lartë”, thotë ai.
Pasojat
Dënimi penal i gjyqtarit Luan Daci ishte një goditje e rëndë për procesin e përzgjedhjes së zyrtarëve të strukturave të rivlerësimit, të cilat përbëjnë themelin e procesit të Vetingut të gjyqtarëve e prokurorëve në Shqipëri.
Rasti “Daci” dëshmoi se kanë dështuar filtrat paraprakë të verifikimit të kandidaturave për gjyqtarë në strukturat e Vetingut, një proces i zhvilluar nga Avokati i Popullit, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Ndërkohë, edhe për anëtarin tjetër të KPA, Ardian Hajdari, i cili është gjyqtari hetues në procedimin disiplinor ndaj Luan Dacit, ka një hetim të hapur pranë Prokurorisë së Posaçme, nën dyshimet për “fshehje të të ardhurave” gjatë kohës që ka ushtruar funksionin e avokatit.
Ky procedim penal ndaj Hajdarit vijon i hapur prej një viti dhe, me shumë gjasë, po tentohet që të zvarritet deri në arritjen e afateve të parashkrimit të veprës penale, duke e shmangur atë nga përgjegjësia ligjore e, mbi të gjitha, duke synuar shmangien e një tjetër njolle të errët mbi zyrtarët e lartë të Vetingut.
Por, nga ana tjetër, vonesat në procedimin disiplinor, dhe me shumë gjasë edhe të vendimit për shkarkimin e Luan Dacit, ndihmojnë Kolegjin e Posaçëm të Apelimit që të shtyjë në kohë ankesat për “gjykim nga një gjyqtar që nuk plotësonte kushtet e emërimit”, të cilat mund të paraqiten nga subjekte të rivlerësimit të shkarkuar nga trupa e shkallës së dytë të Vetingut, ku ka qenë pjesë anëtari i dënuar me vendim të formës së prerë.