Nga Boldnews.al
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi se anëtarja Valbona Sanxhaktari, pjesë e trupës së Vetingut të Ervin Karanxhës, është takuar me Ben Blushin, gjatë kohës kur televizioni i drejtuar prej këtij të fundit, “Top Channel”, sulmoi dhe shantazhoi prokurorin e Tiranës, nëpërmjet të dhënave konfidenciale nga dosja e rivlerësimit.
E, megjithatë, ky fakt, në dukje tërësisht flagrant, nuk është konsideruar “konflikt interesi” për trupën që shqyrtoi kërkesën e Karanxhës me objekt përjashtimin e komisioneres Sanxhaktari nga trupa që po kryen hetimin administrativ ndaj tij.
Prokurori Ervin Karanxha, nëpërmjet përfaqësuesve të tij ligjorë, deklaroi në seancën e datës 23.06.2021 se ai është gjendur nën trysninë e televizionit Top Channel, për qëllime tërësisht personale të drejtorit të tij, ish-deputetit Ben Blushi.
Një çështje të tillë, Karanxha ia ka përcjellë edhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, në të cilën ka kallëzuar Ben Blushin për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie”.
Sipas Karanxhës, ai është shantazhuar dhe mbajtur në trysni publike, për shkak se e motra e tij, Anila Karanxha, gjyqtare në Gjykatën e Tiranës, ka dhënë një vendim në disfavor të administruesve aktualë të Top Channel në një çështje pronësie të televizionit.
Në të njëjtin kallëzim, ashtu si edhe në kërkesën drejtuar Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, prokurori Ervin Karanxha akuzon anëtaren e trupës së Vetingut, Valbona Sanxhaktari për “shpërdorim detyre”.
Prokurori Karanxha ka dyshime të arsyeshme se Valbona Sanxhaktari, si pjesë e trupës që po kryen rivlerësimin e tij, ka furnizuar Ben Blushin me materiale konfidenciale nga dosja e rivlerësimit dhe që, kur janë publikuar nga Top Channel, nuk kanë qenë në dispozicion as të vetë subjektit.
Për të mbështetur kërkesën e tij për përjashtimin e anëtares Valbona Sanxhaktari, prokurori Karanxha ka vendosur në dispozicion të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dokumenta dhe prova filmike, të cilat konfirmojnë lidhjen ndërmjet komisioneres dhe drejtorit të Top Channel, Blushit.
Sipas Karanxhës, Valbona Sanxhaktari ka njohje prej vitesh me Ben Blushin. Ai ka informuar prokurorinë dhe Komisionin e Pavarur të Kualifikimit se Sanxhaktari ka qenë vartëse e Blushit, në kohën që ai ka qenë Ministër i Arsimit.
Po ashtu, Karanxha ka informuar institucionet se Sanxhaktari dhe Blushi janë takuar, gjatë kohës që Top Channel përdori të dhëna konfidenciale nga dosja e Vetingut për ta sulmuar prokurorin.
Trupa e KPK-së, e cila shqyrtoi kërkesën e Karanxhës, e pranoi faktin se ndërmjet Sanxhaktarit dhe Blushit ka pasur takim gjatë kohës që Top Channel sulmonte prokurorin e Tiranës.
Në vendimin e datës 24.06.2021, lexohet se edhe vetë Valbona Sanxhaktari e pranon që ka njohje dhe është takuar me Ben Blushin.
“Zonja Sanxhaktari …(deklaroi) se në një rast ka pirë kafe në lokal “Lavazza”, (me Ben Blushin), së bashku me persona të tjerë, por mohoi që të ketë kryer biseda që kanë lidhje me punën apo me subjekte rivlerësimi”, thuhet në vendin e trupës së KPK-së që shqyrtoi kërkesën e prokurorit Karanxha për përjashtimin e komisioneres Valbona Sanxhaktari.
Qëndrimi i Sanxhaktarit u pranua nga trupa shqyrtuese, me argumentin se prokurori Karanxha nuk ka paraqitur prova për pretendimet e tij.
Me shumë mundësi, trupa shqyrtuese do të pranonte kërkesën e Ervin Karanxhës, nëse ky i fundit do të arrinte të siguronte edhe audio të bisedës së kryer mes komisioneres Valbona Sanxhaktari dhe drejtorit të Top Channel, Ben Blushi.
Gjë që duket tërësisht e pamundur dhe, për më tepër, do të ishte edhe anti-ligjore nëse do të realizohej përgjim i paautorizuar bisedës mes dy ose më shumë personave.
Në përfundim, trupa shqyrtuese e KPK-së rrëzoi pretendimin e Ervin Karanxhës për përjashtimin e komisioneres Valbona Sanxhaktari nga trupa që po kryen rivlerësimin e tij.