Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës “luftën për shezllonët” në Vlorë, ku disa biznese që kanë operuar në Zvërnec prej më shumë se 15 vitesh po kërcënohen që të largohen.
Sipas tyre, një person i quajtur Kreshnik Tepelena, me detyrë nëndrejtor i Portit Vlorë, i ka kërkuar të largohen pasi ka përfituar mbi 20 mijë metra katrorë truall në pyll dhe rërë në Zvërnec. Sotir Tafili denoncoi në emisionin Fiks Fare veprimet e disa institucioneve, të cilat kanë favorizuar z.Tepelena. Ky i fundit e ka takuar disa herë denoncuesin që ka një ambient shërbimi në afërsi të plazhit, duke e kërcënuar që nëse s’ia shet atij, atëherë lokali me dërrasa do të prishet nga INUV. “Nëse ma jep mua, s’të prishet” i thotë, ndërsa Drejtoresha e Aseteve Publike në Bashkinë e Vlorës, Sonela Haxhiraj, i thotë qytetarit që tani s’e merr dot vendin pasi “z.Tepelena ka pyllin dhe rërën me certifikatë pronësie”.
Tafili: Njerëz me pushtet marrin rërën dhe detin
Sotir Tafili, i cili ka pasur në përdorim prej shumë vitesh një njësi shërbimi dhe një pjesë të plazhit në Zvërnec të Vlorës thotë se ka 18 vite që shfrytëzon hapësirën bar restorant dhe ushqehem familjarisht. “Jam prind i 3 fëmijëve. Vetëm me këtë punë jam, ime shoqe pa punë. Deri tani i kam përmbushur të gjitha kriteret, pagesat. S’kemi lënë asnjë shkas. Më parë kam hequr detyrimet dhe më pas me fëmijët. Në 2005 ishin lejet nga komuna qendër. Kam marrë leje, që paguanim për këto dhe me konstruksioni druri, siç e kam edhe sot. Deri në 2015 ka qenë komuna dhe nga 2015 e këtej është bashkia. Deri në 2020 pjesa që kam unë njihej si hapësirë publike” thotë Tafili. Më tej pohon se, pas njësisë së shërbimit, është pyll, pra zonë e mbrojtur dhe lejohet turizmi që mos të preket pylli, mjedisi.
“Tani, këtu na vjen një zotëri para ca muajsh, quhet Kreshnik Tepelena, është funksionar. Punon diku zv.Drejtor te Porti, është këshilltar bashkiak nga e majta. Dhe më thotë zotëri është prona ime dhe ti duhet të ikësh që andej, e kam me certifikatë pronësie që mos ta prish unë të ofroj diçka. Ajo mund të jetë pronë e dikujt, unë s’kam pronë dhe as pretendoj. Tani ai vjen dhe më thotë ik, na diçka. Realisht është kërcënim, unë s’kam ku shkoj tjetër. Jam 50 vjeç, kam punuar në emigrim. Ç’kisha i kam këtu, me 3 fëmijët” thotë Sotiri. Më pas shton se, para disa javësh i kanë shkuar inspektorët e INUV Vlorë, duke i vendosur një gjobë si identifikim i ndërtimit pa leje. “Më lënë te porta një procesverbal që u identifikua objekti në vitin 2021, në mars, që është ndërtuar para shumë vitesh, me dru të çmontueshme. Kaq! Nuk e di që INUV paska flejtur gjumë dhe Tafili paska bërë ndërtime pa leje! Edhe Kadastra thotë se është pronë publike, s’ka plan zhvillimi apo projekt rruge. Ligji 2020 e thotë qartë se plazh, rërë dhe zona bregdetare janë prona publike të patjetërsueshme as me legalizim, as me dokumetne pronësie. Dhe të drejtën e ka shteti t’i jap me qira” thotë ai. Më tej pohon se ka parë dokumentet e z.Kreshnik Tepelena dhe ka rezultuar se prona e tij shkonte deri te brezi i parë i çadrave të plazhit, në rërë. “Ishin dhënë në 2020. Ne të vegjlit s’i japim dot zgjidhje” thotë Sotiri.
Drejtoresha: Pylli dhe rëra në Zvërnec, me certifikatë pronësie!
Denoncuesi thotë se ka shkuar disa herë pranë Bashkisë Vlorë për të marrë faturën, por i thonë se ka aplikuar edhe Kreshnik Tepelena, që ka pronë. Drejtoresha e Pronave dhe Aseteve Publike, Sonela Haxhiraj, më tha s’ma jep faturën. “Duhet të kesh foto të aplikosh. Ai ka përdorur fotot e lokalit tim me emrin e tij dhe ka aplikuar që të marr këtë stacion plazhi me gjakun tim. Tani, unë si mund ta quaj këtë?! Grabitje, kërcënim, që ti nesër s’do jesh” pohon Sotiri, ndërsa takon edhe drejtoreshën. Ai i kërkon faturën, ndërsa drejtoresha i kthen përgjigje se “ty bile të ka dalë edhe pronari! Të ka dalë pronari, Kreshnik Telepena”. Ajo i tregon edhe skicën, që është te lokali. “Ka fituar pronësinë dhe na ka bërë akuza që të kemi favorizuar në mënyrë të padrejtë, kishte kapur edhe kryeministrin zotëria. Mos më thuaj që aty është rërë, se në rërë e ka. E di ti unë, e dinë të gjithë! Me këtë logjike ecin edhe këta të ministrisë. Në momentin që ai është pronar, është pronar. Ligji është tjetër gjë. Je ti është edhe D.K. që prona e atij bie mbi ju. Është Kreshnik Tepelena. Ka 20 mijë metra katrorë. Truall. Është harta që e kam edhe unë. Unë s’të pres dot faturë. Më ka njoftuar që unë jam pronari. Të bie në pronën e atij. Plazhi jot bie në pronën e atij. Del megjithë plazhin tënd dhe strukturën e shërbimit. Keq më vjen po s’kam çfarë të bëj” i thotë drejtoresha.
Tepelena: Kam edhe rërën, ma jep mua, përndryshe do të prishet
Qytetari, Sotir Tafili, u tha gazetarëve të Fiks Fare se ka pasur edhe kërcënime, që kanë filluar nga inspektorët e IMT-së. “Z.Kreshnik Tepelena ma shprehu vet, që o do ma japësh mua ose do të prishet. Dhe pasi mbaruam këtë bisedë vjen INUV-i dhe atëherë s’do shumë mënd për ta lidhur këtë si do vijë INUV-i në Vlorë, të më prishin mua dhe të zbatojnë urdhrin e Kreshnik Tepelenës. Nëse unë ia jap z.Tepelena me atë pagesë që ai kishte vendosur, mos të prishet. Ndryshe unë jam i humbur. Më tha se edhe mund të ndërhynte mos të shembet, te INUV-i, INUK-u” thotë ai.
Pas këtij pretendimi, denoncuesi takon vetë Kreshnik Tepelenën. Ky i fundit i thotë që “unë ta thash ofertën time 40 mijë euro. Unë nuk ta shes, të të them hajde blije pronën time 1 milionë euro, s’ta shes. Ti e ke pa leje. Ti je duke humbur, ty të duken pak, mua më duken shumë. Të ikësh me qetësi andej, jo ta prishin. Unë s’ta prish vetë, ta prish shteti”. Më pas i tregon certifikatat e pronësisë, ndërsa i thotë se ka 23 mijë metra katrorë. “Nëse ti bie dakord, ta them që sot, nëse e vazhdojmë muhabetin të flas edhe me ata, të mos prishet (me inspektorët e INUV). Kam aplikuar edhe unë për plazh, në tokën time. Ta ka dërguar edhe shkresën Sonela që ty s’të bëhet kontrata se jam unë pronar i tokës dhe te ty dhe te Dritan K” thotë Kreshnik Tepelena.
Më pas i tregon me “mburrje” se “unë kam edhe pjesën e rërës, deri afër gjysmës është në pronësi! Ajo ka dhënë me qira rërën, tokën time. Rëra ka pronar. Unë e kam mbyllur edhe në Ministri, do të dalë në emrin tim. Unë po të dal borxhit shoqërore, po të flas hapur. Ti edhe plazhin nuk e merr dot, kështu që bjer dakord me mua. Më tako sot pasdite të flas me të tjerët që e lëmë apo s’e lëmë dot” i thotë nëndrejtori i portit denoncuesit.
***
Bisedë mes denoncuesit dhe Sonela Haxhirajt, drejtoreshës e Pronave dhe Aseteve në Bashkinë Vlorë
Denoncuesi: Për faturën..
Drejtoresha: Po ku të ka ardh miratimi? Të ka ardhur miratimi në sistem?
Denoncuesi: Më thanë që duhet fatura, kur të vij ta kem gati.
Drejtoresha: Jo, jo, më vjen keq..jo, jo, sivjet, si vitin e kaluar… Ty biles të ka dalë edhe pronari! Të ka dalë pronari Kreshnik Tepelena.
Denoncuesi: Tek lokali im?
Drejtoresha: Po! Ja ta tregoj unë me skicë, tek lokali jot.
Denoncuesi: Okej! E ça ka pronësi këtu në parcelë?
Drejtoresha – Po ka pronësi po. E ka fituar zotëria me pronësi, na ka sjellë Certifikatën e Pronësisë
I ka shkruar edhe kryeministrit zotëria
Denoncuesi – Këtu është …
Drejtoresha – Tani mos më thuaj çfarë të duash se po ka në rërë ka. Atë e di, e di ti , e di unë e dimë të gjithë. Je ti dhe Dritan Moçina që prona e atij bie mbi ju. Urdhëro 32/435 thamë, 20 mijë e 39 metra katror thotë kjo, sipërfaqe totale truall.
Denoncuesi- Po po
Drejtoresha- Në rregull
Denoncuesi: Është harta që jam unë këtu
Drejtoresha: Po po
Denoncuesi: Se s’e paskam paskalin këtu
Drejtoresha: E kam verifikuar edhe me Kismetin me hartën që kishte
Denoncuesi: Ku moj se mund të jetë diku tjetër e mos ngatërrohemi?
Drejtoresha: Jo, jo , jo e ke të sigurtë! E ke këtu hartën.
Denoncuesi : Unë duhet të pres tani miratimin nga e-albania?
Drejtoresha : Unë nuk mund të pres dot tani faturë edhe sikur ti të kesh aplikuar tek e-albania, pa sqaruar situatën me atë zotërinë.
Denoncuesi: N.q.se unë marr miratimin të vij ta marr faturën ?
Drejtoresha – Jo nuk ta jap kurrë, sepse ai më ka njoftuar që jam unë pronari dhe nga verifikimi që kemi bërë me inxhinierin topograf të plazhit, të bie në pronën e atij. Në rregull? Plazhi jot bie në pronën a atij
Denoncuesi: Po mirë dakord unë do marr për plazhin?
Drejtoresha: Me gjithë plazhin tënd edhe strukturën e shërbimit
Denoncuesi: Edhe struktura e shërbimit tim është e atij domethënë?
Drejtoresha: Të tuat dhe të Dritan Topçirat. Duhet miratimi të të vij sepse ai e ka bërë daljen atje, përsa kohë është ndarja komisioni i miratimit tha mos bëj gabim t’i presësh faturë tha se do kemi probleme të tjera bashkë. Keq më vjen po nuk se çfarë të bëj.
***
Qytetari takon pronarin e rërës dhe pyllit, z.Kreshnik Tepelena, nëndrejtor i Portit Vlorë
Zv. Drejtori i Portit – Tani ta thashë fjalën time, 40 mijë euro, jo ti. 50 milionë lekë janë shumë për mua i thashë dhe ti e di. Unë atë e kam të trashëguar, unë nuk ta shes. Ça të të them hajde blije tokën time 1 milionë euro unë s’të them dot! Ti o vlla e ke pa leje, ti e dije këtë. Të erdha si njeri me logjikë e kupton. Ti vlla ti je duke humbur. Hajde të biem në marrëveshje, ti të marrësh 5 lekë. Ty të duken pak, mua më duken shumë. Unë të jap 40 mijë euro që ti të ikësh me qetësi, jo të ta prishin. Se e kuptoj çfarë është të ta prishin. Ti nuk mendove aq gjatë atë ditë. Unë s’ta prish vetë, ta prish shteti, s’ta prish…
(I tregon dokumentet e pronësisë)
Zv. Drejtori i Portit – 12 mijë, 10 mijë, 1 mijë e 200. Kam 23 mijë e 200 metra (katrorë truall).
Denoncuesi – Mua po më merr në qafë.
Zv. Drejtori i Portit – Unë po të marr më qafë?!
Denoncuesi – Egziston mundësia që një pjesë atje të ta paguaj, që ti ke goxha për të investuar?
Zv. Drejtori i Portit – O Sotir mos u merr më me këtë muhabet, unë nuk shes. Dhe po të shes, e shes sa të dua unë. Ti nuk e blen dot atë. Unë nëqoftëse do ta vazhdojmë muhabetin, unë nëqoftëse lekët i lë… nuk të prishet objekti! Do të flasim hapur, po qe dakort me mua, unë takoj ata (të IMT-së?) Të lutem, nëse ti bie dakort, iki unë…, të jap ato që të kam premtuar .
Denoncuesi – Mos merr hap të nxituar.
Zv. Drejtori i Portit – S’është e nxituar, unë e ka zgjidhur. Ti më the ik zgjidhe ligjërisht, unë të thashë ligjërisht i bie hajde këtu s’do ta bësh punën, Zambaku (kreu I IMT-së Vlorë), tjetri me vrap ku do venë. Ti nëse do të biesh dakort me mua, biem dakort dhe të vetë të flas unë me ta, t’u them ndaloni se unë rash dakort me këtë zotërinë.
Denoncuesi – Më thanë se ke aplikuar edhe për plazh?
Zv. Drejtori i Portit – Po, e kam mbyllur unë këtë se jam në tokën time.
Denoncuesi – S’ke lidhje me atë (lokalin).
Zv. Drejtori i Portit – Sepse jam unë I drejti. Ta tha Sonela, ta ka dërguar shrkesën Sonela që tu s’të bëhet kontrata. Sepse jam unë pronari i tokës, te ty dhe atij Dritan … Sepse unë kam dhe pjesë rëre aty, s’kam vetëm pjesën te lokali. Dhe ajo ka dhënë nga pjesa e rërës, tokës…
Denoncuesi – Pjesën e rërës, që e shfrytëzoj ku kam shezllongët, është me pronësi?!
Zv. Drejtori i Portit – Po pra, deri afër gjysmës është në pronësi, ajo ka dhënë me qira rërën, tokën time! Unë e kam mbyllur edhe në Ministri vlla, nuk ka, do ta miratojnë në emrin tim. Unë po të dal borxhit me të gjitha, shoqërore, miqësore, se dua të flas hapur. Ti atë plazh nuk e merr dot. Dhe ajo nesër do të prishet. Më mirë të biesh dakort me mua, merr ato t’i kesh hallall. Nëse do, më tako sot mbasdite të vete të flas me të tjerët, që të them e lëmë apo s’e lëmë dot. Më kthe përgjigje shpejt, që të vete unë që të takoj njeri, t’u them lëreni mos vazhdoni më. Se ata )IMT-ja) ti e di, duhet të çojnë punën deri në fund./tch