Vendimi i Gjykatës për Teatrin, Pano Soko: Ata që shkelën Kushtetutën të ndiqen penalisht, të dëmshpërblejnë dhe riparojnë dëmin

Eksperti i ekonomisë, Pano Soko, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin Kombëtar. Soko e vë theksin në pikën 3 që shpall të paligjshëm Vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e Teatrit në pronësi të Bashkisë Tiranë, ku shprehet se çdo veprim që ka ardhur si pasojë e tij, është i jashtëligjshëm.

Përmes një postimi të ndarë në rrjetet sociale, Soko shkruan se bazuar në vendimin e GJK, ata që kanë shkelur Kushtetutën duhet të dëmshpërblejnë shtetin për sasinë e parave publike që janë shpërdoruar, të riparojnë dëmin fizik që Vendimi anti-kushtetues prodhoi dhe të përgjigjen penalisht me dënime siç i parashikon ligji.

Reagimi i plotë i Pano Sokos:

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të paligjshëm Vendimin e Këshillit të Ministrave për kalimin e Teatrit në pronësi të Bashkisë Tiranë. Rrjedhimisht çdo veprim që ka ardhur si pasojë e tij, është i jashtëligjshëm. Që nga Vendimi i Këshillit Bashkiak për prishjen e Teatrit, Vendimi për ndërtimin e një Teatri të Ri etj.. me arsyetimin e thjeshtë që Bashkia Tiranë nuk mund të marrë një vendim për një pronë që s’është e saj.

Bashkia Tiranë ka të drejtë mbi Teatrin, sa ç’ka Bashkia e Urës Vajgurore (psh) – gjithmonë sipas Gjykatës Kushtetuese.

LEXO EDHE  Veliaj në Tokio si sportist? Mungesë transparence për fondet e “pushimeve olimpike” të kryebashkiakut

Nëse do ta kishte pronë të saj, Bashkia kishte të drejtë ta prishte Teatrin. Gjykata Kushtetuese tha sot se Teatri Kombëtar nuk është pronë e Bashkisë Tiranë. Pra çdo vendimmarrje mbi Tetarin është shkelje e ligjit.

Bazuar në këtë Vendim të GJK, ata që kanë shkelur Kushtetutën duhet:

1.Të dëmshpërblejnë shtetin për sasinë e parave publike që janë shpërdoruar, bazuar në një Vendim anti-kushtetues

2.Të riparojnë dëmin fizik që Vendimi anti-kushtetues prodhoi, duke e rindërtuar dhe një herë Teatrin siç ishte dhe ku ishte (natyrisht jo me parà publike, por personale)

3.Të përgjigjen penalisht me dënime siç i parashikon ligji, për shkeljet e bëra.

Këto më sipër nuk janë asgjë më shumë nga ajo që, sipas ligjit, paguan/përgjigjet çdo punonjës shteti kur shkel qoftë edhe një Udhëzim të thjeshtë ministri.

Në rasti tonë është shkelur Kushtetuta!

Janë prodhuar pasoja financiare, kulturore, historike, arkitekturore. Minimalisht përgjegjësit duhet të përgjigjen sikur të kenë shkelur një Udhëzim të thjeshtë.