Grupi për PD përmes në deklarate për mediat, shpreh shqetësimin për vendimin e marrë në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, ditën e premte, ku u vendos analizimi i rezultateve të drejtuesve politike për zgjedhjet e 25 prillit.
Sipas këtij grupimi, vendimi për analizë bie në kundërshtim me deklaratën e Lulzim Bashës se 25 prilli ishte një masakër elektorale, duke kërkuar që të qartësohet nëse janë vjedhur votat apo nuk është arritur rezultati.
‘Kryetari I rikonfirmuar në minorancë me vetëm 30 mijë vota të anëtarësisë së PDSH-së, kërkon të shkarkojë përgjegjësinë e tij për zgjedhjet e 25 prillit 2021, tek anëtarët e thjeshtë të Partisë, Kryetarët e Degëve dhe Degët e PDSH-së, pa bërë transparencë se çfarë ndodhi me garancitë që dha para zgjedhjeve në lidhje me mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë. Analiza për ‘realizimin e objektivave të vendosur për zgjedhjet e 25 prillit 2021’ është në kundërshtim të hapur me deklaratat për masakër zgjedhore.
Zoti Basha duhet të ndajë mendjen, ose zgjedhjet janë vjedhur ose nuk janë arritur objektivat nga strukturat e Partisë Demokratike dhe deputetet e listës. Në të kundërt ai duhet të pranojë siç është e udhës përgjegjësitë e tij për këtë humbje.
Ndërsa sa i përket pikës së rendit të ditës në mbledhjen e parashikuar në Kuvendin Kombëtar të PD, më 17 korrik ku pritet të diskutohet edhe për zgjedhjet e Këshillit Kombëtar, Grupi i PD thekson se është në kundërshtim me statutin duke e cilësuar si një përpjekje te Bashës për të bërë fushat spastrimit pas garës së 13 qershorit’, thuhet në një deklaratë të Grupit për PD.
‘Mbledhja e Kuvendit Kombëtar pa mbyllur analizën tregon se qëllimi i vërtetë nuk janë zgjedhjet. Pika 3 e të njëjtit vendim flet për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Ky vendim është anti-statutor dhe I paligjshëm për faktin se bie ndesh me nenin 50 të Statutit të Partisë Demokratike ‘Mbi kompetencat e Këshillit Kombëtar’ ku theksohet se mandate I Këshillit dhe Organeve Drejtuese të tij është 4 (katër) vjeçar. Ndërprerja e mandatit të Këshillit Kombëtar është i paligjshëm dhe duhet hequr nga rendi I ditës së mbledhjes së Kuvendit Kombëtar. Mungesa e transparencës në vendimmarrje dhe vendimet e pa bazuara në statut vazhdojnë të jenë problem kryesor i lidershipit të Partisë Demokratike që menjëherë pas përfundimit të ngjarjes së 13 qershorit 2021 dhe rikonfirmimit të Kryetarit të Partisë pagarë dhe duke hequr nga listat mijëra demokratë, kërkon të bëjë fushatën e fundit të spastrimeve në Parti’, vazhdon deklarata.
Grupi i PD i cili përbehet nga Edit Harxhi, Arben Imami, Bujar Nishani, Ibsen Elezi, Arben Ristani të cilësuar si kritike ndaj Bashës, do të vazhdojë të kërkojë ringritjen e Partisë dhe rimëkëmbjen e saj theksohet në deklaratë duke shtuar se përpjekja e tyre do të vijojë deri se pd të vijë në pushtet.