Tregu i karburanteve nën hetim të thelluar, dyshime për shkelje të Konkurencës

Nga Boldnews.al

Autoriteti i Konkurencës ka hapur procedurën e hetimit të thelluar për kompanitë koncensionare të ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve në Portin e Durrësit dhe të Vlorës, nën dyshimet për sjellje të mundshme antikonkuruese, për shkak të pozitës dominuese në treg.

Autoriteti njoftoi nisjen e këtij hetimi në 6 Qershor 2021, pas rezultateve të marra gjatë verifikimeve paraprake, të nisura që në Tetor 2020.

Objekt i këtij hetimi të thelluar për dyshime mbi sjellje anti-konkurencë janë tre kompanitë koncensionare;

La Petrolifera Italo Albaneze SHA (PIA), e cila vepron në Portin e Vlorës

Romano Porto SHA, e cila vepron në Porto Romano të Durrësit

Porti MBM, e cila vepron në Porto Romano, Durrës

Në foto: Autoriteti i Konkurencës vendosi nisjen e hetimit të thelluar për tregun e karburanteve

Sipas informacioneve zyrtare, pjesë e këtij hetimi të thelluar do të jenë edhe të gjithë kompanitë e tjera që janë të lidhura vertikalisht me këto koncensionarë, pra ato shoqëri që furnizohen me shumicë ose kanë depozita në zonën ku operojnë tre grosistët e naftës.

Në Tetor 2020, Autoriteti i Konkurencës vendosi hapjen e hetimit paraprak, “…referuar numrit të kufizuar të operatorëve që realizojnë ngarkim-shkarkimin dhe depozitimin e karburanteve në dy portet Vlora-1 dhe Porto Romano, dhënë me koncension, ku secili koncensionar operon me modele të ndryshme dhe zotëron pozitë dominuese në zonën gjeografike, portin ku operon, dhe strukturës shumë të përqendruar të tregut të karburanteve, lind dyshimi për sjellje të mundshme antikonkurruese të ndërmarrjeve që operojnë në këto tregje…”.

Në foto: Në Tetor 2020, Autoriteti i Konkurencës nis hetimi paraprak për tregun e karburanteve

Kompanitë nën hetim

Të dhënat e siguruara në verifikimet 6-mujore, i kanë bindur komisionerët e Anti-Konkurencës që t’i shkojnë më të tej hetimeve të tyre.

Petrolifera

Ndërmarrjes Petrolifera Italia-Albania SHA (PIA), i është dhënë me koncesion ndërtimi dhe shfrytëzimi i terminalit bregdetar në gjirin e Vlorës, për depozitimin e naftës dhe të nënprodukteve të saj, në portin Vlora-1, si dhe ndërtimin dhe shfrytëzimin e infrastrukturës portuale të nevojshme në shërbim të terminalit bregdetar.

Në bazë të kontratës Koncesionare, Koncesionari PIA është i vetmi entitet, në të gjithë zonën e Gjirit të Vlorës (përfshirë zonën detare dhe platformat detare, nëse ka, të Gjirit të Vlorës), që do të lejohet të ndërtojë dhe të shfrytëzojë një terminal bregdetar dhe infrastrukturën e tij portuale, përfshirë këtu edhe platformat në det.

Po ashtu, ai është edhe i vetmi entitet i pajisur me të drejtën për 3 të depozituar e trajtuar (ngarkim-shkarkim) (nga brenda dhe nga jashtë, nga toka dhe nga deti) naftë, produkte të naftës, produkte të gazit të lëngshëm dhe produkte të tjera të lëngshme.

Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja PIA SHA zotëron pozitë dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit dhe depozitimit të karburanteve në portin Vlora-1.

Romano-Port

Ndërmarrjes Romano Port SHA i është dhënë me koncesion ndërtimi dhe shfrytëzimi i pontilit të naftës, gazit dhe nënprodukteve të tyre në zonën bregdetare të PortoRomanos, Durrës.

Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja Romano Port SHA zotëron pozitë dominuese për kapacitetin deri në 20.000 ton në tregun e ngarkimshkarkimit të anijeve që transportojnë karburante në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.

Porti MBM

LEXO EDHE  Merr flakë shtëpia e të moshuarit në Durrës

Ndërmarrja Porti MBM në bazë të kontratës koncesionare (ligji nr. 104/2015, datë 23.9.2015) ka fituar të drejtën ekskluzive për ofrimin e shërbimit të ngarkimshkarkimit të mjeteve lundruese që transportojnë hidrokarbure të madhësive mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra, në Porto Romano Durrës, për një periudhe prej 35 vjetësh.

Në bazë të këtij koncesioni ndërmarrja Porti MBM zotëron pozitë dominuese për kapacitetin mbi 20.000 ton dhe me zhytje mbi 8 (tetë) metra në tregun e ngarkim-shkarkimit të anijeve që transportojnë karburanteve në zonën bregdetare Porto Romano, Durrës.

Në foto: Pjesë nga vendimi i Komisionit të Konkurencës për nisjen e hetimit të thelluar për tregun e karburanteve, qershor 2021

Tregu i karburanteve

Në lidhje me tregun e importit dhe shitjes me shumicë, vihet re se pjesa më e madhe e karburanteve që importohen në vendin tonë është mbi 80% naftë dhe më pak se 20% benzinë.

Pjesa më e madhe e importit të benzinës dhe naftës, për periudhën nën hetim, kryhet nëpërmjet Portit të Durrësit dhe një pjesë e vogël e importit realizohet nëpërmjet portit të Vlorës.

Sipas Autoritetit të Konkurencës, “sjellja e koncensionarit PIA SHA, si ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun përkatës, në lidhje me vet përcaktimin e tarifave për shërbimet ndihmesë të depozitimit si trajtimi (ngarkim/shkarkimi) i anijeve ose për shërbime të tjera tregtare që ajo kryen për klientët që kanë kontraktuar kapacitete në terminalin PIA, si dhe lidhja e këtyre kontratave në terma afat gjatë me nënkontraktorët, mund të përbëjë sjellje e cila bie në kundërshtim me nenin 4 apo 9 të ligjit nr. 9121/2003”.

Po ashtu, Autoriteti i Konkurencës vlerëson se, “referuar strukturës së tregut të ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve, nga dy ndërmarrje koncesionare: (1) ndërmarrja Romano Port SHA, dhe (2) ndërmarrja Porti MBM, që operojnë në Porto Romano, Durrës, rezulton se ekziston një lidhje integrimi vertikal e shoqërive koncesionare dhe shoqërive që kanë depozitat në këto koncesione, si dhe me importuesit/tregtarët me shumicë në tregun e karburanteve, duke i dhënë ndërmarrjeve koncesionare një fuqi tregu, e cila duke patur parasysh pozitën e koncesionarëve në treg, mund të çojë në lidhjen e marrëveshjeve të ndaluara gjë që bie në kundërshtim me nenin 4 të ligjit nr. 9121/2003 si dhe në kundërshtim me nenin 9 të ligjit nr. 9121/2003, nëpërmjet vendosjes së kushteve të padrejta të tregtimit dhe për pasojë në abuzim me pozitën e tyre në treg.

Për këto arsye, Komisioni i Konkurencës vendosi në 4 qershor 2021 “Hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve ndaj ndërmarrjeve:

  1. Koncensionarit PIA SHA dhe ndërmarrjeve që kanë kontrata depozitimi afatgjatë me të.
  2. Koncensionarit Romano Porto SHA dhe ndërmarrjen e integruar vertikalisht me të.
  3. Koncensionarit Porti MBM dhe ndërmarrjet e integruar vertikalisht me të.
  4. Ndërmarrjet të cilat kanë depozita në zonën e Porto Romanos dhe kanë kontrata me Romano Port SHA dhe Portin MBM.