Raporti i Open-Data për rindërtimin: Mosrealizimi i planit për 2020 është 48%, 2021 është terr informativ

Plani i procesit të rindërtimit nuk është realizuar  duke ngelur në kuotën 52% të planifikimit.

Ky detajim i fondit të alokuar është kryer nga Open Data ku nxjerr se  për vitin 2020 ka të dhëna mjaftë të ulëta për ecurinë e rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit të viti 2019.

Procesi i rindërtimit duket se ka ecur me ritme mjaft të ngadalta duke lënë mes gërmadhave  pothuaj gjysmën e familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas një raporti të detajuar nga Open Data,  Fondi i Rindërtimit pas Tërmetit  në vitin 2020 u realizua vetëm 52% e planifikimit. Mosrealizimi për vitit 2020 është 48%.

Planifikimi për 2020 ishte 32 miliard lekë, realizimi  u krye vetëm 16.59 miliard lekë. Përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave u alokuan gjatë 2020 për Programin e Rindërtimit vlera 29.55 miliard Lekë.

Duke ju referuar akteve VKM në ndryshim VKM të mëparshme, rezulton e miratuar vetëm 92 % e fondit të planifikuar për rindërtim për vitin 2020, pra 29.5 nga 32 miliardë që ishin planifikuar.

Alokimi i këtyre fondeve është realizuar nëpërmjet pesë VKM-ve.

Nëse në fund të vitit, institucionet përkatëse kanë fonde të pashpenzuara, ato trashëgohen në vitin pasardhës tek Fondi i Rindërtimit në Buxhetin e Shtetit dhe përdoren për të njëjtin qëllim.

Bashkitë e prekura janë Tirana, Durrësi, Kurbini, Shijaku, Lezha, Kruja, Kavaja, Kamza, Vora, Rrogozhina dhe Mirdita.

Fondit të Rindërtimit 2020 sipas qëllimit të përdorimit kategorizohet në dy grupe të mëdha:

Grupi i parë është infrastrukturë publike si: objekte arsimore, infrastruktura urbane si ura, institucione shtetërore, apo objekte trashëgimi  kulturore dhe historike.

LEXO EDHE  Dhuna ndaj Ergys Gjençajt/ Vokshi: Reflekton sjelljen e kryeministrit me gazetarët

Grupi i dytë janë banesa individuale (pallat) dhe infrastruktura përkatëse, ku konstatohet që kategoria e dytë zë një peshë shumë më të lartë përkatësisht 71% të shpenzimeve të planifikuara,  rreth 21 miliardë lekë ose 169 milion euro.

Në kosto përfshihen një sërë konponentësh pra hartimi dhe studimi i projektit, mbikqyrja, riforcimi, rikostruktim dhe mobilim.

Ndërsa në rastet ku shkalla e dëmtimit është DS4 ose DS5 zbatohet plani i demolimit dhe evadimit të mbetjeve,  më pas rindërtimi i  banesës apo njësisë së përbashkët të banimit(pallat).

Një numër i konsiderueshëm familjesh ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet për shkallët e dëmtimit duke qëndruar në  pritje tashmë prej 2 vitesh.

Nga ana tjetër Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), në një raport të fundit gjithashtu ka hedhur dritë mbi fondet që janë shpenzuar për rindërtimin në krahasim me planifikimin fillestar në buxhetin e këtij viti.

Sipas FMN-së, është i dukshëm mosrealizimi për rindërtimin pas tërmetit, që në shtator ishte vetëm 8 për qind e totalit vjetor të buxhetuar. Teksa edhe në buxhetin 2021 nuk është detajuar se si do të shpenzohen fondet e parashikuara për tërmetin (rreth 28 miliardë lekë), FMN ka kërkuar qartë që të ketë më shumë transparencë.

FMN thekson se “fondet e rindërtimit pas tërmetit duhet të jenë subjekt i kontrolleve të përshtatshme të menaxhimit publik financiar (PFM), përfshirë planifikimin përmes proceseve buxhetore”.