Tenderi 400 mijë euro/ Komisioni i Prokurimit Publik kap sërish “gafil” Blendi Gonxhen

Nga Boldnews.al

Nëse Komisioni i Prokurimit Publik do të kishte në dorë mekanizmin për të shkarkuar nga detyra zyrtarë që janë përsëritës në shkeljet me procedurat e tenderave, padyshim që do ta kishte aplikuar me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), i drejtuar nga Blendi Gonxhe.

Institucioni që shqyrton ankesat mbi tenderat ka konstatuar problematika në seri nga DPSHTRR, sidomos gjatë drejtimit të tij nga Gonxhe, siç ka raportuar më herët “Boldnews.al”.

Së fundmi, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP), ka urdhëruar drejtorinë e Gonxhes që të modifikojë kriteret kualifikuese për një tender me vlerë 46 milionë lekë të reja (mbi 400 mijë euro) për rikonstruksionin e godinës lokale të Drejtorisë së Transportit Rrugor në Dibër.

Sipas konstatimeve të KPP-së, institucioni i drejtuar nga Blendi Gonxhe ka vendosur disa kritere të ekzagjeruara, të pajustifikuara dhe përtej asaj që është e nevojshme për realizimin e shërbimit të kërkuar.

Tenderi me objekt “Rikonstruksion në DRSHTRR Dibër, Rikonceptim dhe unifikim i veshjeve strukturore, rehabilitim i sheshit funksional dhe godinës së Kontrollit Teknik” është shpallur në 30 Mars 2021 nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor.

Në foto: Vendimi i Komisionit të Prokurimit Publik, dt. 08.06.2021, për tenderin e DPSHTRR

Pak ditë më pas, një prej operatorëve të interesuar për të marrë pjesë në këtë procedurë, “Sh…” shpk, i është drejtuar autoritetit kontraktor, me kërkesën për modifikimin e disa prej kritereve, të cilat dukeshin shumë të ekzagjeruara.

DPSHTRR i ka rrëzuar pretendimet e operatorit ekonomik dhe ky i fundit i është drejtuar Komisionit të Prokurimeve Publike.

“Kërkesat e ekzgjeruara, joproporcionale”

Kompania ankimuese ka renditur disa gjetje të saj, në bazë të të cilave pretendon se DPSHTRR ka vendosur kritere kualifikuese të ekzagjeruara.

Kompania “Sh….” shpk ka kërkuar një seri të gjatë modifikimesh në dokumentat e tenderit, një pjesë e të cilave u pranuan nga Komisioni i Prokurimit Publik.

Numri i lartë i punëtorëve

Drejtoria e Përgjishme e Shërbimit të Transportit Rrugor kërkonte që kompanitë pjesëmarrëse duhet të kenë të paktën 90 punonjës në list-pagesat e 12 muajve të fundit.

Kjo kërkesë u konsiderua e ekzagjeruar nga operatori ankimues.

KPP, pasi e shqyrtoi këtë element, arriti në konkluzionin se “…kërkesa për disponimin e 90 punonjësve të pasqyruar në listëpagesat e shoqërisë, është një kërkesë joproporcionale dhe e pajustifikuar nga autoriteti kontraktor”, duke kërkuar modifikimin dhe uljen e numrit të punonjësve të kërkuar.

Në foto: KPP konstaton se numri i kërkuar i punonjësve është i pajustifikuar nga DPSHTRR

Inxhinjerët

KPP rrëzoi edhe kriterin e vendosur nga institucioni i Blendi Gonxhes, sipas të cilit kompania fituese duhet të ketë si pjesë të stafit të saj edhe një inxhinjer gjeolog.

Sipas trupës së komisionerëve, “…referuar projekt preventivit, specifikimeve teknike dhe relacionit teknik të procedurës së mësipërme të prokurimit, Komisioni gjykon se, kërkesa në lidhje me disponueshmërinë e inxhinierit gjeolog nuk është në proporcion me zërat e punime të preventivit, për zbatimin e projektit…, pasi nuk janë parashikuar punime për zbatimin e të cilave do të ishte e nevojshme ekspertiza profesionale e inxhinierit gjeolog”.

LEXO EDHE  Mjeku shqiptar: Nëse keni këto simptoma, vuani nga ‘Delta’

Në foto: KPP e konsideron joproporcionale kërkesën për inxhinjer gjeolog

Po ashtu, KPP gjykon se “...kriteri lidhur me disponimin e 2 (dy) teknikëve të ndërtimit, është e ekzagjeruar dhe përtej asaj se çka është e nevojshme për realizimin me sukses të kontratës… dhe si rrjedhojë kufizues ndaj konkurrencës”.

Në vijim, KPP i kujton Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor se,

Lidhur me kërkesën e e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor që kompanitë pjesëmarrëse të kenë të punësuar një inxhinjer zjarrfikës, KPP i kujton se ky funksion është i rregulluar me ligj të veçantë dhe ata janë “ekspertë të pavarur e të licensuar”.

Pra, sugjerimi është që DPSHTRR të modifikojë kërkesat dhe të kërkojë nga operatorët ekonomikë që të kontraktojnë një inxhinjer të pavarur zjarrfikës.

Çertifikatat

DPSHTRR kërkon nga operatorët ekonomikë që të jenë të certifikuar për disa lloje shërbimesh, përfshirë edhe ato për tubacionet plastike për drenazhimin/kullimin e ujërave të zeza nën tokë.

Për këtë kriter, KPP konstaton se “… referuar zërave të punimeve në preventiv si dhe sasi së tyre ky standard nuk është në përputhje me objektin e prokurimit, është diskriminues dhe e tejkalon natyrën e kontratës”.

Makineritë

Operatori ankimues ka ngritur para KPP-së edhe pretendimin për kërkesë të ekzagjeruar lidhur me numrin e automjeteve profesionale që duhet të kenë në dispozicion kompanitë që synojnë të fitojnë kontratën 400 mijë euro për rikonstruksionin e godinës së Transportit Rrugor në Dibër.

Komisioni i Prokurimit Publik, pasi shqyrtoi dokumentacionin e tenderit për këtë pikë, e konsideroi të drejtë ankesën.

Në vendimin e tij, KPP gjykon se “numri i mjeteve (të kërkuara) nuk është në përputhje me zërat dhe volumet e parashikuara në preventiv”.

Komisioni gjykon se, numri i mjeteve të kërkuara, është i ekzagjeruar dhe i pajustifikuar nga autoriteti kontraktor.

Në foto: Vendimi i KPP konstaton se kërkesa për numrin e makinerive është i ekzagjeruar dhe i pajustifikuar

Po ashtu, Komisioni i Prokurimit Publik konstaton se “nuk ka asnjë argumentim teknik mbi disponueshmërinë e tipologjisë së mjeteve të kërkuara, për realizimin e punimeve objekt kontrate”.

Në përfundim, KPP, me votim unanim, vendosi të pranojë pjesërisht ankesën e kompanisë “Sh….”, shpk, duke detyruar Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor që të modifikojë kriteret e tenderit, të konstatuara me probleme.