Çela raporton në parlament: Vjedhja e pasurisë ka numrin më të lartë të veprave penale për 2020

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela ka raportuar sot në parlament për gjendjen e kriminalitetit në vitin 2020, duke sjellë shifra nga kallëzimet, procedimet, veprat penale më të shpeshta në Shqipëri, si dhe ndryshimin e tyre në krahasim me një vit më parë.

Çela tha se prokuroria ka trajtuar mbi 58 mijë materiale kallëzimi, teksa vjedhja e pasurisë ka numrin më të lartë të veprave penale.

“Mbi 44 mijë procedime penale. Në 2020 numrin më të madh të procedimeve e ka regjistruar Prokuroria e Tiranës e ndjekur nga Prokuroria e Durrësit dhe ajo e Elbasanit. 78.24% e procedimeve penale i përkasin krimeve. Vjedhja e pasurisë përbën numrin më të lartë të veprave penale, ulje me 10% në krahasim me një vit më parë.  Veprat penale të kanosjes mbi 90 të pushuara”, tha ndër të tjera kryeprokurori.

“Synojmë uljen e ngarkesës së panevojshme për Prokuroritë duke trajtuar problemin që rëndon sot sistemin atë të mungesës për shkak të procesit të ‘Vettingut’. Ndërkohë bashkëpunimi ndërkombëtar ka qenë në nivel optimale dhe ajo çfarë ne kemi marrë nga homologët tanë kanë qenë reagime pozitive. Për sa kohë numri i ekstradimeve është i lartë mbetet tregues i qartë që ky bashkëpunim është në nivele të kënaqshme”, shtoi ai.

Pastrimi i parave

Çela është pyetur nga deputeti Ralf Gjoni se çfarë është bërë për goditjen e pastrimit të parave, duke përmendur edhe urdhrin ekzekutiv të Presidentit Joe Biden.

Nga ana e tij, kryeprokurori tha se pastrimi i parave është prioritet i Prokurorisë, duke shtuar se duhet bashkëpunim institucional, pasi sipas tij, “në nivel lokal çalon bashkëpunimi”.

LEXO EDHE  Lidhi dhe më pas vrau të moshuarin, arrestohet shqiptari i shpallur në kërkim

Ralf Gjoni: Në drejtim te nxitjes se fillimit te hetimit te pasurive te vena ne menyre te paligjshme, kam ne fokus biznese, marr shkas nga urdhri i Biden per te sanksionuar disa individe ne Bullgari. Dihet qe pastrimi i parave dhe pasuria e paligjshme eshte e lidhur jo vetem me perfaqesues te drejtesise. Keni bere gje ne kete drejtim?

Olsian Çela: Kemi nënshkruar një memorandum që ka lidhje me goditjen e pastrimit të parave. Synuam të konvergojmë ndërveprimin institucional, prioritetet tona, duke pasur në fokus jo thjesht pastrimin e veprës penale, por edhe krimet financiare, si evazioni fiskal, etj. Për këtë u krijuan 7 seksione në prokuroritë më të mëdha të vendit, që e kanë fokusin në këtë grup veprash penale. Përtej kësaj, ne kemi parashikuar organizimin në dy nivele, atë qendror: identifikimin dhe zgjidhjen e probleme, dhe në nivel vendor, për të rritur efikasitetin. Kaq mund të bëjë Prokuroria e Përgjithshme në drejtim të goditjes së krimit financiar dhe pastrimit të parave. Për herë të parë ne po i lidhim këto dy vepra, tani mbetet në dorë të prokurorive. Kam vënë re se në nivel lokal çalon bashkëpunimi. Disa drejtori rajonale, si ajo e Tatimeve, ku shihet se ka mungesë informacioni, që pasohet me goditjen e aseteve. Në prioritetet tona është monitorimi dhe zbatimi në këtë fushë.