Harxhi: Më kanë bojkotuar takimet. Deputeti i Gjirokastrës i ka kërkuar kryesisë të votojnë Bashën

Kandidatja për kryetare e Partisë Demokratike, Edith Harxhi ka ngritur akuza ndaj kreut në detyrë Lulzim Basha në lidhje me ndikimin e tij e në zgjedhje. Në studion e “Dita Jonë” ajo ngriti dyshimet për presion nga Basha mbi anëtarësinë, ndërsa e cilësoi garën të pabarabartë dhe favorizuese ndaj kreut aktual demokrat. Në këtë kontekst ajo tregoi mesazhin ku deputeti demokrat i Gjirokastrës i ka kërkuar kryesisë që të votojë Bashën më 13 qershor, teksa përmendi edhe bojkotimet në takime.

“Nëse kjo garë do të ishte e lirë Basha nuk do të ishte më kryetar i partisë. Nuk besoj që do të ketë futje duarsh në kuti, dyshoj se ka cic- mice të vogla, listat hapen sot në orën 10:00. Fshihen listat. Deputetë  e PD nuk na kanë shoqëruar në këto takime. Unë kam pasur vetëm 6 deputetë. Edhe kryetari i degës nuk ka ardhur në takim ose kanë bojkotuar takimin, kanë shkuar pa përjashtim të gjithë te zoti Basha. Ka pasur deputetë që kanë dalë publikisht për t’i dhënë mbështetje Bashës kanë deklaruar se mbështesin Bashën, por ata nuk janë deputetë të Bashës, por të PD. Kreu i degës së PD në Kavajë nuk më hapte telefonin për 4 ditë dhe ndikoi te kryesia që të mos vinte në takim. Mbrëmë në Gjirokastër kam marrë një mesazh që deputeti i zonës ka kërkuar në mbledhje kryesie që të votohet zoti Basha”, tha Harxhi.

Sipas saj, kjo është një garë jo vetëm për ndryshim të opozitës, por për të gjithë Shqipërisë. Harxhi mirëpret edhe kontributin e liderit historik të së djathtës Sali Berisha për ringritjen e PD.

“I kam kërkuar Berishës që të kthehej që në 2017 në PD, Berisha ka qenë i prerë që nuk kthehem në drejtim. Dhe unë kam dëgjuar fjalën e tij dhe po bëj luftën brenda strukturave. Do të ishte i mirëpritur çdo lloj kontributi i Berishës. Nëse nuk ngrihet PD dhe e djathta vendi do shkojë në kaos. Është koha për një ndryshim për ta çuar përpara PD dhe Berisha ndihmon me përvojën e tij. Kjo garë është parë si gara për ndryshim jo vetëm për PD, por për gjithë Shqipërinë. Shqiptarët e kuptojnë që opozita jep shpresën”.  

Harxhi u bëri thirrje demokratëve që ta votojnë më 13 qershor, pavarësisht kohës së shkurtër që favorizon Bashën, pasi sipas saj, zgjedhjet në parti duhet të zhvilloheshin më 22 korrik.

“Nëse do kisha patur më tepër kohë do të kisha prekur më shumë degë të PD. Kam prekur deri në 50 degë nga 72 degë të PD, jo vetëm për t’i takuar por edhe për t’u ulur me demokratë, që janë më shumë se strukturat. Ky duhet të jetë një proces i vazhdueshëm për një lider politik. Dëshpërim për këto 8 vite opozitë që ka pasur PD dhe njerëzit duan patjetër të kapen diku se duan të përqafojnë shpresën. Kam pasur debate të ashpra nga më të ndryshmet në të gjitha takimet. U bëj thirrje demokratëve të votojnë në 13 qershor unë kam kërkuar shtyrjen deri më 22 korrik, u kërkua 13 qershori që Basha të rikonfirmohej është kohë e pakëndshme për demokratët. Atë frymë që ishte, ishin demokratët. Nuk e ka bërë qendra”.