Nga trafiku i dograve të forta te dëbimi nga Italia, e kaluara e errët e vëllezërve Sallaku

Gezim Sallaku

Pak muaj pasi autoritetet italiane e dëbuan, për Gëzim Sallakun problemet ligjore kanë vijuar edhe në Shqipëri. Këtë të Enjte, policia njoftoi se Gjykata e Durrësit, me kërkesë të prokurorisë së rrethit, vendosi sekuestro ndaj pasurive të luajtshme e të paluajtshme me vlerë rreth 3 milionë euro në pronësi të biznesmenit, një prej katër vëllezërve të tij dhe “një personi me inciale R.K. me të cilin ka lidhje shoqërore”.

“Pronat dyshohet se janë përfituara nga veprimtaria kriminale e shtetasit Gëzim Sallaku… Shtetasi Gëzim Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999 – 2008”, njoftoi policia.

Dëbimi nga Italia

Hera e fundit kur në mediat italiane është përmendur emri i biznesmenit ka qenë në fillim të këtij vitit, kur njoftonin dëbimin nga Italia të ish-presidentit të klubit të futbollit italian “Darfo Calcio“. Duke zbatuar një vendim të gjykatës së Bergamos, efektivët e policisë së Breshias, shoqëruan Sallakun në kufi, i cili u dëbua nga Italia për në Shqipëri me një fluturim Milano-Rinas mbrëmjen e 18 shkurtit – raportonte “Corriere Della Sera”.

Sipas medias italiane, ai u shpall “personi i padëshiruar sepse nuk është i azhurnuar me dokumente dhe është shoqërisht i rrezikshëm”, shkruhej në dekretin e dëbimit. Ankimi i tij për vendimin, me arsyetimin se ka një fëmijë të mitur që jeton në Itali, nuk u mor parasysh nga gjykata.

Gjatë 20 viteve të fundit, Gëzim Sallaku ka qenë i përfshirë së bashku me vëllezërit e tij, në një seri hetimesh gjyqësore të kryera nga prokurorët e Breshias dhe Kremones, me akuza duke filluar nga vjedhja e makinave, në përvetësimin e automjeteve të ndërtimit e evazion fiskal.

Në vitin 2018, tre armë u gjetën në garazhin e shtëpisë së tij: por një nga vëllezërit e shfajësoi atë, duke marrë përsipër përgjegjësinë.

Rafineria e drogës

Në vitin 2018, autoritetet italiane raportuan për sekuestrimin e  12.5 kg heroinë në një apartament në Bergamo, që përdorej si bazë për përpunimin e lëndës narkotike.

Në krye të grupit të trafikut, sipas hetuesve, ishte Saimir Sallaku, 44 vjeç, një emër i njohur për policinë italiane dhe vëllai i Gëzim Sallakut, raportonin asokohe mediat lokale.

Lidhur me aksionin, në vitin 2020, Gjykata e Breshias dha dënimet për dy vëllezërit Sallaku.

Për Saimir Sallakun u dha 17 vite e 8 muaj burgim. Për të vëllain, Taulant, 8 vite e 8 muaj burgim.

Akuzat për tentativë zhvatje

Në vitin, 2018 Gjykata e Bergamos dha një tjetër vendim për dy nga vëllezërit Salkkau, këtë herë në favor të tyre.

Gjykata liroi nga akuza për tentativë zhvatje Gëzim Sallakun dhe vëllanë e tij Saimir. Të dy u akuzuan se në vitin 2010, kishin ndaluar një sipërmarrës dhe e kishin kërcënuar të shlyente 40 mijë euro plus interesin (tetë për qind në muaj, 51% në vit) tek fajdexhiu nga Bergamo Mario Gaspani. Gjithashtu, akuzat ishin se presioni ishte bërë edhe përmes celularit.

Vëllezërit Sallaku, Gëzim e Sajmir

Gaspani u ekzekutua disa muaj më vonë, krim për të cilin u vu pas hekurave e shoqja si urdhëruese.

/BoldNews.al/