Risitë e (munguara) të fushatave elektorale

Nga Ilir Kalemaj

Disa nga risitë që u shfaqën në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit ishin si imazhore ashtu edhe konceptuale. Nga ana e imazhit, u vu re mungesa e simboleve të dukshëm, logo masive të ngjitura në rrugë dhe ndërtesa, si dhe mungesa po masive e flamujve dhe simboleve të tjerë partiakë. Gjithashtu u ndje një mungesë e përgjithshme agresiviteti që vjen jo vetëm nga sistemi proporcional rajonal me lista gjasme të hapura por realisht të mbyllura, të paracaktuara në renditje nga kryetarët por edhe nga mungesa e kohës objektive për të bërë një fushatë të qenësishme për nga mënyra si rrodhën ngjarjet deri në fotofinish.

Nga ana përmbajtësore, u vu re që fushatat respektive kishin pak substancë dhe thelb të çështjeve kryesore që do të përbënin agjendën qeverisëse të katër viteve të ardhshme. Me përjashtim të një pakete fiskale të paraqitur nga PD, partitë e tjera i kushtuan shumë pak vëmendje reformave makro-fiskale dhe makro-ekonomike.

Përveç premtimeve ka pasur pak ndryshueshmëri agjendash përsa i përket reformave në shëndetësi, arsim, reformave të titujve të pronësisë, reformës së tregjeve financiare dhe kapitale, mënyrën si do të mund të përshtatet Shqipëria e shekullit 21 me ekonominë e dijes, me inovacionin dhe të aplikojë modele të zhvillimit të qëndrueshëm. Gjithashtu, kjo fushatë u kondicionua nga një radhë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm. Së pari, mungesa e kohës së nevojshme për të kryer një fushatë klasike. Fushatat gjithashtu u përqëndruan pothuajse ekzluzivisht te personaliteti i liderëve respektivë që udhëheqin fushatat dhe jo te diferencat ideore. Duket se kjo ka qenë zgjedhje e sugjeruar nga konsulentët izraelitë për të dyja fushatat.

Programet elektorale të partive të mëdha PS dhe PD i’u përgjigjën deri diku pritshmërive të qytetarëve në përgjithësi dhe pak aspiratave të rinisë në veçanti. Gjithashtu paketa fiskale e paraqitur nga PD, pavarësisht rezultatit zgjedhor, ishte më koherente dhe e prezantuar në mënyrë më të detajuar se ajo e PS-së. Të dyja partitë kanë bërë premtime për rritjen e subvencioneve në bujqësi, një sektor që aktualisht merr më pak se 2 përqind të PBB-së ndërkohë që kontribuan 20 përqind në ekonominë shqiptare.

Nga ana tjetër ka pak apo aspak ide mbi cili do jete modeli i ri ekonomik i vendit tani që remitancat janë në rënie të pakthyeshme, sektori i ndërtimit është i paqëndrueshëm për shkak të ngopjes së ofertës, kostove të lartave dhe rënies së kërkesës, si dhe shërben si lavatriçe e pastrimit të parave, ndërkohë që turizmi ka dështuar të kthehet në lokomotivën e ekonomisë shqiptare. Problem i veçantë është rënia e investimeve të huaja direkte dhe nevoja për një qasje inovative për thithjen e tyre katër vjeçarin e ardhshëm dhe mungojnë strategjitë dhe projektet konkrete nga ana e mazhorancës. Ndërsa në lëmin e politikës së jashtme dhe çështjeve të sigurisë thuajse ka pasur zero artikulim në këtë fushatë zgjedhore si nga ana e dy partive të mëdha, ashtu edhe nga partitë e tjera më të vogla.

Në përgjithësi duhet thënë që platformat elektorale të dy forcave kryesore, PD dhe PS tradicionalisht kanë qenë pak të dallueshme më përjashtim fushatën e vitit 2005 dhe fushatën e vitit 2013 ku risitë dhe përplasjet më të forta kanë qenë në lidhje me reformën fiskale por edhe me një qasje të ndryshme konceptuale për reformën në arsim, atë në drejtësi dhe atë në shëndetësi.