Prefektit i shtohen kompetencat, rastet kur mund të kërkojnë auditimin e shkeljeve ligjore

Bizneset private apo kompanitë publike që kryejnë shkelje ligjore do të mund të kontrollohen nga administrata tatimore edhe me kërkesë të prefektit të qarkut për rastet kur ekziston informacioni i shkeljeve ligjore.

Verifikimi për përdorimin e grandeve të kushtëzuara dhe të deleguara të qeverisë ndaj pushtetit vendor nga prefekti i qarkut do të kryhen bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Aktualisht verifikimi për përdorimin e fondeve bëhet sipas rregullave të miratuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Drafti për ndryshimet në ligjin e prefektit i miratuar në 2016, i hedhur për konsultim publik nga Ministria e Brendshme pritet të sjellë disa risi në funksionet që ushtron prefekti i qarkut.

Në raportin për rezultatin e konsultimeve publike, ndryshimet e propozuara për verifikimin e përdorimit të fondeve janë pranuar pjesërisht nga prefekti i qarkut të Tiranës.

Propozimi që prefekti i Qarkut të kishte të drejtën për të ushtruar auditimin financiar mbi zbatimin e buxhetit të shtetit, e veçanërisht të financimeve të huaja në institucionet qendrore në nivel qarku dhe njësive të vetëqeverisjes vendore, është kundërshtuar nga prefekti i qarkut të Korçës. Sipas raportit propozimi është cilësuar në kundërshtim me ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” dhe ligjin për financat vendore. Ndryshimi i rrëzuar nga prefekti i Korçës nuk është reflektuar në draftin final të projektligjit për ndryshimet në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime” në ligjin nr. 107 datë 27.10.2016 “Për prefektin e qarkut”.

Sipas projektligjit prefekti do të ketë kompetencë edhe t’i kërkojë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë miratimin e fondeve shtesë për punonjësit e rinj për grupet task-force që mund të ngrihen me urdhër të prefekturës.

Prefekti i Qarkut sipas ndryshimeve ligjore gjithashtu do të ketë të drejtën të miratojë urdhra për krijimin e grupeve të punës të përbashkëta të administratës së tij me inspektoratet në qark, sipas rastit, për trajtimin e ankesave, kërkesave ose peticioneve për shkelje të pretenduara prej subjekteve publike apo private në territorin e qarkut.

Pas reformës së ndarjes administrative-territoriale të miratuar në korrik të 2014-s vendi është i ndarë në 12 qarqe dhe 61 bashki.

Ndryshimet e projektligjit

-Pas shkronjës “j” shtohen shkronja “k”, me këtë përmbajtje: I kërkon inspektorateve në nivel vendor ose administratës së tatim-taksave fillimin e procedurës së inspektimit ndaj subjekteve publike ose private, kur ka informacion se ata kanë kryer shkelje të ligjeve dhe/ose akteve nënligjore.

-Pas pikës 6, të nenit 21, “Administrata e prefektit të qarkut dhe burimet e financimit” shtohet pikat 7, 8 dhe 9 me këtë përmbajtje:

7.Ministria përgjegjëse për veprimtarinë e Prefektit të Qarkut, me kërkesë të Prefektit të Qarkut, për detyra suplementare që rrjedhin nga taks – forcat ose detyrime të tjera të transferuara pranë tij, i kërkon Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të miratojë fonde shtesë dhe punonjës me kontratë për institucionin e Prefektit të Qarkut”.

8.Rregullorja tip e funksionimit të administratës së Prefektit të Qarkut miratohet me urdhër të ministri përgjegjës për veprimtarinë e Prefektit të Qarkut”.

9.Detyrat e administratës së Prefektit të Qarkut, miratohen me urdhër të Kryeministrit, me propozim të ministrit përgjegjës për veprimtarinë e Prefektit të Qarkut”.

Ishte

Neni 18, pika 1

Prefekti i qarkut verifikon realizimin e funksioneve e të përgjegjësive të deleguara nga pushteti qendror dhe përdorimin e fondeve të parashikuara për këto funksione, sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.

Bëhet

Prefekti i Qarkut verifikon realizimin e funksioneve e të përgjegjësive të deleguara nga pushteti qendror sipas aktit të delegimit dhe bën kontrollin administrativ të përdorimit të fondeve të parashikuara për këto funksione, fondet e kushtëzuara dhe/ose të deleguara që financohen nga qeverisja qendrore, sipas një udhëzimi të Ministrisë së Financës dhe Ekonomisë”. /Monitor/