Shembja e ndërtimeve në bregdet/ Unioni Turistik: Imazh i keq për turizmin shqiptar

Ditët e fundit ka filluar aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje në vijën bregdetare,  ku diskutohet se do të përfshijë vijën bregdetare nga Ksamili deri në Velipojë. Ky aksion ka shqetësuar banorët, të cilët refuzojnë të dalin nga banesat, duke shkaktuar përplasje me policinë.

Njëkohësisht, vendi ynë ndodhet në kulmin e sezonit turistik. Sipas kreut të Unionit Turistik Shqiptar, Rrahman Kasa, i ftuar në emision Ditë e Re me moderatorë Arjon Muça dhe Arjola Shehu, aksioni i ndërmarrë në këtë periudhë kohore dëmton imazhin turistik të Shqipërisë dhe se prishja e ndërtesave në mes të sezonit do të ketë impakt negativ për turizmin e vendit tonë.

Tashmë nuk mund të fillojmë një aksion të tillë, sepse është një impakt, jashtëzakonisht negativ. Nuk jam kundër ndërtimeve pa leje, nuk jam kundër sistemimit të vijës së bregdetit, sepse është ajo çka ne kemi kërkuar ndër vite. Por ajo që ne kërkojmë është, që ky aksion të spostohet në fund të tetorit, domethënë në fund të sezonit veror turistik.”

Kasa thotë se aksioni i prishjes i referohet kryesisht, ndërtesave të vogla ambulante dhe se në Shqipëri nuk ka hotel, që mos ketë të paktën një kat pa leje.

Në përgjithësi dihet, se nuk ka hotel në Shqipëri , që mos ketë një kat pa leje. Aksioni i referohet kryesisht ndërtimeve të vogla që janë në bregdet. Normalisht ta sistemojnë bregdetin, nuk jam kundër. Për shembull, siç janë disa tregje ambulatore, të shëmtuara me lecka të varura. Ne jemi plotësisht dakord, por ama një në moment tjetër, sepse turistët e huaj, janë gati me aparate fotografike, të postojnë fotot e Shqipërisë në rrjetet sociale të tyre. Kjo do të krijojë një imazh shumë të keq.”

Kreu i Unionit Turistik thekson se turitët vijnë në Shqipëri për të pushuar, për qetësi dhe se ndërhyrjet e ekskavatorëve do të krijojnë bezdi dhe pakënaqësi te turistët, qoftë edhe zhurma e mjeteve.

“Qoftë të shkojë ekskavatori në plazh për të prishur një çadër, imazhi prishet. Në fund të fundit pushuesit vijnë për relaks për tu qetësuar, madje dhe zhurma është shqetësuese për vizitorët.”

Ai bën thirrje, së paku mos krijohen imazhe me gërmadha në zonat e populluara me turistë dhe se turistët zhgënjehen kur shohin rrëmujë, rrënoja dhe papastërti. Sipas tij në Shqipëri pjesa para hoteleve është e kuruar në maksimum, ndërsa pjesa mbrapa është rrëmujë, gjë që ka impakt të keq te turistë.

“Mesa shikoj aksioni përfshin objekte të vogla, te parëndësishme, nuk do të jetë rrafshim, ashtu siç mendojmë. Por edhe nëse duan ta përdorin këtë lloj strategjie, së paku ta zbatojnë në zona ku nuk ka shumë turistë. Mos krijohen këto imazhe të shëmtuara, në zonat e populluara me turistë. Nga hoteli dhe pjesa para hotelit është e pëlqyer. Nga mbrapa hotelit dhe hapësira përreth, është ajo që i mërzit në maksimum turistët. Turistët duan ambiente të kuruara, duan qetësi, rehati. Pikërisht te ne ndodh e kundërta. Këta janë faktorët, që na kanë ndikuar negativisht në turizëm. Janë gjëra të vogla, tëv cilat na krijojnë një imazh të gabuar si destinacion.”

Në fund ai tregon se zona më e frekuentuar në Shqipëri është Golemi.

“Zona më e frekuentuar për turistët është Golemi, të cilin e km konsideruar Antalia të Shqipërisë,  sepse aty është përqendrimi më i madh, ndoshta sepse është afër aeroportit, ka struktura të mëdha hotelerie. Por edhe sepse aty, sektori i hotelerisë, duke qenë afër zonave të banuara, si Tirana dhe Durrësi, siguron njerëz që dinë të shërbejnë apo të jenë të kualifikuar.

Këtë vit do të kemi mbi 60% të numrit të turistëve që kishim në 2019, vit i cili ishte viti më i mirë për turizmin shqiptar”./Oranews