Kompanitë e sigurimit bëhen bashkë, ndajnë “tortën” 2 milionë euro të sigurimit të flotës ajrore të ushtrisë

Nga Boldnews.al

Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s prej 12 vitesh, ndërsa ushtria vuan prej kohësh investimet, teksa ende nuk e kemi kapur normën e GDP-së. Por, pavarësisht kësaj, ne shpenzojmë qindra miliona euro për helikopterë dhe mjete që dalin skarco nga aleatët tanë. Apo nga mjetet që na falin “të mëdhenjtë”. Por, pavarësisht kësaj, ne kemi “në letra” një flotë ajrore! Madje, për këtë flotë ne shpenzojmë disa miliona euro për ta siguruar. Nga dëmtimet në ajër apo në tokë. Apo edhe nga “sulme” hipotetike të kundërshtarëve tanë. BoldNews ka siguruar dokumentet e një tenderi që ka zhvilluar Ministria e Mbrojtjes, e drejtuar nga Niko Peleshi.

Në dokumentin e mësipërm, njoftimi i fituesve të këtij tenderi, që në krye është njoftimi i fituesve. Lexojeni pak me vëmendje! Fitues të këtij tenderi është bashkimi i operatorëve ekonomikë: “ANSIG”, “SIGAL UNIQA Group AUSTRIA”, “SIGMA INTERALBANIAN VIENNA INSURANCE GROUP”, “INSIG SH.A” dhe “EUROSIG SHA”. Pra, praktikisht të gjitha kompanitë e sigurimeve. Ato që operojnë në treg, që rivalizojnë njëra tjetrën me 5 mijë leksha të vjetër për sigurimin e makinës. Dhe, në këtë procedurë të majme, bashkojnë forcat dhe i marrin shtetit çdo qindarkë. Sipas dokumenteve, kjo BOE është krijuar zyrtarisht me një marrëveshje, më saktësisht kontratë bashkëpunimi, të datës 26 maj 2021.

Në dokumente thuhet se tenderi është ““Sigurim (Kasko/Vandalizëm, TPL, Pasagjerë) i mjeteve ajrore”, për nevoja të Komandës së Forcës Ajrore. Fondi, 185,957,000 lekë (me TVSH rreth 2 milionë euro). Në lidhje me kohëzgjatjen ka disa pasaktësi. Në dokumente thuhet se “nga lidhja e kontratës deri në 31 dhjetor 2021”.

Por, nëse lidhet në qershor, kur përfundon? Më poshtë specifikohet “mbulimi me sigurim i mjeteve ajrore, do të jetë për 365 ditë nga hyrja në fuqi e policave të sigurimit”. 6 muaj apo 12 muaj?! Kësaj oyetje vetëm Peleshi mund ti përgjigjet. Por, tenderi ngre disa pyetje? Përse u bë me këtë procedurë kur në fakt u bashkuan të gjitha kompanitë? A mos duhej të negociohej, pasi kompanitë morën të gjithë fondin? A kemi një autoritet konkurence? Dhe, në fund të dokumenteve shkruhet se kërkohet “oferta më e ulët”. Por, nga sa konstatuam, me këtë fond po hanë të gjithë. Madje, po sigurohet një shërbim që as nuk egziston në Shqipëri.