Joe Biden nxjerr urdhër ekzekutiv, edhe zyrtarët shqiptarë në listë, reagon Yuri Kim

Vetëm pak ditë pasi shpalli “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha, Presidenti i SHBA, Joe Biden ka firmosur një urdhër ekzekutiv ku kërkon përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve për bllokimin e pasurive të individëve që sipas Departamentit të Thesarit Amerikan kanë cënuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

“Në kuadër të situatës në territorin e ish Federatës Socialiste të Republikës së Jugosllavisë dhe Republikës së Shqipërisë në dy dekadat e fundit, përfshi cenimin e marrëveshjeve të pasluftës si dhe institucioneve, si dhe përhapjen e korrupsionit brenda qeverive dhe institucioneve të ndryshme në Ballkanin Perëndimor që dëmton progresin kundrejt qeverisjes efektive dhe demokratike, integrimin e plotë drejt institucioneve transatlantike dhe kësisoj është një kërcënim i jashtëzakonshëm ndaj sigurisë kombëtare dhe politikave të jashtme të Shteteve të Bashkuara” thuhet në letrën e Biden.

Vendimi është përshëndetur dhe nga ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, e cila thekson se lufta kundër korrupsionit është thelbi i sigurisë kombëtare të SHBA.