Kreu demokrat, Lulzim Basha, ka vijuar takimet me anëtarësinë e PD në qarkun e Shkodrës, në kuadrin e fushatës për zgjedhjet e brendshme në parti, ku më 13 qershor vendoset për drejtuesin e kvsaj force politike.
“Ne jemi të bashkuar dhe nuk dorëzohemi. Ne do të vazhdojmë betejën bashkë çdo ditë derisa sa ta largojmë regjimin e pakicës Rama-Doshi”, iu drejtua Basha anëtarëve demokratë, duke shtuar se shqiptarët nuk kanë shpresë tjetër t’i nxjerrë nga qorr sokaku i 25 prillit përveç Partisë Demokratike.
Ai tha se ne jemi shpresa e vetme për ndryshim, për një të ardhmen më të mirë për shqiptarët, ndërsa shtoi se nga kjo garë ne do të dalim më të fortë, më të bashkuar dhe më të vendosur për të luftuar dhe sjellë ndryshimin që duan dhe meritojnë shqiptarët
“Fatkeqësisht 25 prilli jo vetëm nuk shënoi momentin e shumëpritur të ndryshimit për Shkodrën dhe për Shqipërinë, por shënoi një arrest kardiak për demokracinë duke asgjësuar përkohësisht të vetmin mekanizëm që një shoqëri e civilizuar dhe pluraliste ka: vullnetin e shumicës.
Vij këtu pas një turi nga jugu në veri, në një periudhë kohore që tashmë po mbush dy javë dhe ku kam parë me sytë e mi jo vetëm tek demokratët, por tek të gjithë shqiptarët se si tronditjes, zhgënjimit, mosbesimit, hidhërimit për masakrën zgjedhore të 25 prillit i ka lënë vend zemërata, por i ka lënë vend po kështu vendosmëria për mos ta lënë Shqipërinë, shqiptarët dhe demokracinë në udhëkryqin e rrezikshëm që ka ekspozuar për herë të tretë brenda 30 viteve e keqja dhe shtëpia e të keqes.
Jo më kot kam hequr një paralele midis 31 marsit të 1991-shit dhe 25 prillit 2021-shit. E ku tjetër më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet kjo paralele jo thjesht në kuptimin mendor, racional e të arsyetimit, por në kuptimin shpirtëror të fjalës.
Kush prej atyre që ishin në moshë për të kujtuar, të rinj, gjimnazistë, studentë apo prindër nuk e mban mend pritshmërinë e datës 31. Kush nuk e mban mend zemrat e ngritura peshë nga emocioni dhe përligja e pritshmërisë se dita e fundit e komunizmit kishte ardhur, se dita e parë e demokracisë po çelte.
E ku më mirë se në Shkodër mund të shpjegohet zhgënjimi, ndjenja e pabesueshmërisë, e tronditjes së thellë që solli 31 marsi, zgjedhjet pa zgjidhje të 31 marsit e që çuan më pas në një tjetër shok dhe tronditje pas revoltës së gjimnazistëve të “Jordan Misjes” dhe shkodranëve me 2 prill që përfundoi me masakrën e 2 prillit”, tha Basha.
Referuar zgjedhjeve të 25 prillit, ai u shpreh se 25 prilli është ditë e një fatkeqësie kombëtare, është dita e vdekjes klinike të demokracisë.
“25 prilli nuk ka lidhje me demokracinë, nuk ka lidhje me vullnetin e shkodranëve, nuk ka lidhje me vullnetin e shqiptarëve. 25 prilli është gjëma dhe krimi final i regjimit të Edi Ramës dhe Tom Doshit.
Sigurisht edhe unë ndaj njësoj si ju preokupimin dhe synimin që kjo garë e brendshme statutore jo vetëm t’i shërbejë dhe t’i shtojë vlerat tona, bashkimin tonë dhe fuqinë tonë para qytetarëve dhe as t’i fryjë frymës së përçarjes dhe as të pakësojë aftësinë tonë për t’u përballur me peshën e dyfishtë që na rëndon në supe pas 25 prillit.
Mesazhi i parë është që vullneti shqiptar i tjetërsuar me 25 prill, masakra zgjedhore e 25 prillit nuk njihet e nuk do të njihet kurrë nga unë, nga pozitat e kryetarit të Partisë Demokratike, nuk e njoh dhe nuk shkel mbi vullnetin e tjetërsuar të shqiptarëve. Sakrificën e gjithësecilit prej jush në këtë betejë nga mengjesi e deri në orët e vona të natës, sy për sy, e dhëmb për dhëmb, e fyt per fyt me bandat e Tom Doshit me shokë.
Qëndrimi i dytë është një pergjigje ndaj të vetmit akt që mund të pritej nga një diabolik që pasi ka vjedhur dhe ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve permes masakrës më të madhe, më të thellë dhe më voluminoze zgjedhore në 30 vite pluralizëm, nga njëra anë dhe me njeren dorë godet demokratët, godet kedo që ka marrë pjesë në fushatën tonë, i heq nga puna, i vendos gjoba, i kercenon, i transferon, i bën presion kompanive private kontraktore të shtetit për t’i larguar dhe nga ana tjetër gjoja shtrinë dorën e bashkëpunimit.
Ajo dorë është e mbushur me helm jo thjesht për mua, jo thjesht për demokratët, jo vetëm për Partinë Demokratike, por për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kapja e asaj dore do të thotë asgjësim i kauzës dhe demokracisë, do të thotë të bëhesh palë me masakren zgjedhore, do të thotë të pranosh vjedhjen dhe tjetërsimin e zgjedhjeve, do të thotë të bëhesh njish me të keqen, ndaj Jo-ja ime është e prerë dhe finale.
Sepse pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht prej masakres zgjedhore që çerdhen e ngriti në Shkodër, në çerdhet e krimineleve të Tom Doshit me shokë, në çerdhet e të shiturve, në çerdhet e zyrtarëve të korruptuar si Benet Beci me shokë që e çuan votën nga 100 në 300 euro, nga Puka në Shkodër e kudo tjetër. Pavarësisht të gjitha këtyre dhe qindra e qindra faktorëve të tjerë që gjithsecili nga jush i ka ndjerë në lëkurë e mund të dalë e t’i përmend nga kjo foltore më mirë se unë, fakti është që shqiptarët nuk kanë shpresë tjetër dhe nuk kanë forcë tjetër për t’i nxjerrë nga qorrsokaku i 25 prillit përveç Partisë Demokratike”, tha Basha.