Kreu demokrat, Lulzim Basha, i cili kërkon një mandat tjetër në drejtimin e PD-së në zgjedhjet e 13 qershorit, u shpreh gjatë takimeve në qarkun e Elbasanit me anëtarësinë e partisë që drejton se do luftojmë çdo ditë për zhbërjen e masakrës zgjedhore të 25 prillit.
Basha akuzoi Rilindjen dhe Policinë e Shtetit se përdorën bandat për tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve.
“13 qershori është testi i parë pas masakrës zgjedhore, ne do dëshmojmë që jemi në këmbë, jemi të vendosur dhe do vazhdojmë të bashkuar betejën kundër regjimit Rama-Doshi”, tha Basha.
Duke iu referuar të pranishmëve, Basha tha se në Elbasan ishte edhe zemra e sistemit dhe makinerisë kriminale që Edi Rama ka ndërtuar këtij 8 vite për të grabitur Shqipërinë, për të tjetërsuar institucionet e saj dhe për të vënë në jetë një nga planet më të zeza të shpopullimit, nënshtrimit dhe zhbërjes të çdo arritje të këtyre 30 viteve të shënuara me progres, me zik-zake, po në tërësi me përparim për qytetarët shqiptarë.
“Këtu nga Elbasani, u shtri anembanë qarkut dhe rrezatoi dhe rrezaton akoma e vetmja ofertë e Edi Ramës për shqiptarët. Në formën e një barcaletë që do të ishte për të qeshur nëse nuk është kaq dramatike dhe nuk ndodh në rrethana kaq dramatike, siç është fakti që njeriu më i urryer i Elbasanit, njeriu më i urryer pas Edi Ramës në Shqipëri, Taulant Balla është njeriu më i votuar i 25 prillit. Kjo në vetvete tregon se çfarë ka qenë 25 prilli. Një masakër e pashembullt elektorale.
Nuk është hera e parë që Partia Demokratike futet në një betejë të pabarabartë, por ne u futëm në këtë betejë jo thjesht dhe vetëm me vetëdijen se ishim në kushte te pabarabarta. Madje me vetëdije se po futeshim njësoj si në vitin 1991, pa asnjë pushtet institucional, pa asnjë instrument pushteti fizik, por po kështu të përgatitur se po futeshim me pushtetin me të madh që mund të ketë dhe zotërojë një krijese njerëzorë që është morali, që janë qëllimet e pastra kundrejt qytetarëve, që është vizioni dhe programi që shpalosëm në një nga fushatat më të plota , më të vërteta, më të thella, më të bukura dhe më frymëzuese që ju kapitenët e kësaj beteje dhe demokratët anembanë Shqipërisë i falet shqiptarëve.
Kontrasti është kudo i dukshëm por në asnjë vend më shumë sesa në Elbasan, ku ne dolëm me një ekip përfaqësues me njerëz të vlerave, intelektualë, me njerëz të vlerave qytetare, me njerëz të përmasave kombëtare dhe përballë kishim një listë jo të hartuar nga Partia Socialiste, por të hartuar nga Suel Çela, të hartuar nga bandat e krimit të organizuar anembanë qarkut, të hartuar nga Aqif Rakipi e të vulosur nga kryebanditi i Elbasanit, Taulant Balla”, tha Basha.
Kreu demokrat u shpreh se në 25 prill, PD hyri në zgjedhje, me vlera dhe më një program ndër më të mirët hartuar ndonjëherë e konkretizuar në kontrata të nënshkruara me mbi 12 grupe interesi së selinë qendrore të Partisë Demokratike, të diskutuara me këto grupe interesi anembanë vendit përfshirë edhe në Elbasan.
“Është detyrimi më madhor i çdo drejtuesi, duke filluar nga unë dhe çdo drejtues tjetër. Miqtë e mi ajo për të cilën sot luftojmë është diçka edhe më e madhe edhe më jetike, sepse 25 Prilli në tërësi dhe gjithë kolonat e saj, jo vetëm nuk i dha zgjidhje asnjë prej problemeve të shtruara për zgjidhje nga shqiptarët, por i rëndoi ato më shumë. Njësoj si 31 Marsi i 1991-it, 25 Prilli i 2021-it ishin zgjedhje pa zgjidhje, por ndryshe nga 1991 nuk ishte thjesht dhe vetëm një mbivendosje e një diktature që po jepte grahmat, por është asgjësim jo vetëm i vullnetit të shqiptarëve për ndryshim, por i demokracisë. Fjala demokraci duhet si një koncept imazh dhe mistik, nga greqishtja e lashtë do të thotë sundimi i popullit, në fjalorin e përditshëm do të thotë respektim i vullnetit të shumicës.
Çfarë lidhje ka 25 prilli me vullnetin e shumicës. Kush është shumica e Elbasanit, qytetarët që donin ndryshim, apo Balla, Çela e Rakipi me shokë.
25 prilli është dita ku në Shqipëri përkohësisht ka rënë demokracia ndaj dhe barra e përgjegjësisë me të cilën dalim sot para shqiptarëve është edhe më e madhe se para 25 prillit.
Në qoftë se para 25 prillit detyra jonë ishte të ndiznim shpresën për ndryshim, sot mbi supet tona rëndon i njëjti mision me të cilin jemi krijuar para 31 vitesh. Misioni për të mbajtur gjallë flakën e lirisë dhe të demokracisë, e cila rrezikon të shuhet tashmë jo në një diktaturë ideologjike, por një diktaturë kriminalo-politiko-oligarkike, asgjë tjetër nuk kanë ndryshe përveç emërtesave. Njësoj na trajtojnë ne, kundërshtarëve politikë si armiq, njësoj e kanë derdhur helmin, poshtërsinë, hajdutërinë, arrogancën, dhunën mbi anëtarët e Partisë Demokratike, mbi pjesëtarët tanë në fushatë, mbi votuesit tanë, duke i konsideruar ata jo kundërshtarë politik siç e dikton pluralizmi, por armiq, të cilëve ju shkatërrohet normaliteti i jetës përditshme”, tha Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike e ka bërë të qartë se nuk e njeh dhe nuk e pranon masakrën zgjedhore të kryer mbi popullin dhe mbi qytetarët e mi, mbi Shqipërinë tonë dhe mbi demokracinë.
“Ndaj edhe gënjeshtrës së tij të radhës dhe përpjekjes së tij për të na përçarë, për të na hutuar, për të na shpërqendruar nga misioni që kemi tani mbi supe. Ofertës së tij të helmët për demokracinë, për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për Partinë Demokratike në bindjen time i kam thënë dhe i përsëris dhe sot nga Elbasani një JO të prerë dhe finale.
E pra, t’i thuash jo është minimum, t’i japësh betejë ditë për ditë këtij regjimi, është tashmë jo thjesht misioni ynë, detyra jonë politike por është detyra patriotike e çdo shqiptari që e do këtë vend”, tha ai.
Basha tha se ne demokratët kemi një kundërshtar, armikun e egër të demokracisë, armikun e egër të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“Kjo është beteja jonë, po në këtë betejë nga 13 qershori jam i sigurt siç e kam par me sytë e mi nga Saranda në Tropojë baza është e bashkuar dhe do të dal e bashkuar, ndaj ju kërkoj që në 13 qershor të merrni vendimet tuaja individuale me ndërgjegje të pastër politike, të vendosni që të dalim të bashkuar nga kjo betejë, të vendosim që të vazhdojmë misionin me të cilin na kanë ngarkuar bashkëqytetarët”, tha Basha.