Nga Boldnews.al
Pas 25 prillit po qarkullon ideja se ndër të parët drejtues që mund të shkarkohen nga Edi Rama, që mori mandatin e 3-të për të qeverisur është Ardi Veliu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Ideja që po qarkullon është se Veliu mund të largohet si një koncension që “i dhimbshuri” Edi Rama po i bën opozitës.
Në fakt Ardi Veliu meriton largimin si një i paaftë, madje duhet të shkojë të përballet me ligjin, qoftë edhe për këtë paaftësi, në rastin më dashamirës.
Prej të paktën dy muajsh vendi nuk po gjen qetësi nga ngjarjet kriminale, ndërsa pothuajse çdo ditë raportohet për viktima nga plumbat. Elbasani, Vlora, Shkodra dhe Tirana, janë qytetet që po regjistrojnë ngjarjet që trondisin dhe mbjellin pasiguri. Secili nga këto 4 qytete duket se po kthehet në një Palermo të 50 apo 60 viteve më parë, ndërsa pyetja që shtrohet është: kush e ka rradhën?
Me përjashtim të një apo dy krimeve që kanë marrë jetë njerëzish për shkak të konflikteve në familje apo sherreve momentale, të tjerat kanë qenë ngjarje të paralajmëruara, ndoshta të parandalueshme, nëse do të kishte një funksionim normal të institucioneve të sigurisë, rendit dhe zbatueshmërisë së ligjit.
Detyra parësore e një strukture policore është parandalimi, gjë që siç duket kjo e drejtuar nga Ardi Veliu dhe e shtrirë më pas në mënyrë vertikale ka dështuar. Një dështim me sukses, që ndoshta e ka burimin te paaftësia, mungesa e vulllnetit apo te fakti se kryepolici nuk ka shpatulla për të mbajtur peshën e rëndë të pozicionit që iu dha pak vite më parë, ku nga një polic bashkiak iu besua drejtimi i policisë së Tiranës dhe më pas ai i një prej institucioneve më të mëdha në vend.
A mundet sot Kryepolici që numëron viktimat, të thotë nëse ka raporte apo jo nga shërbimet inteligjente për gjendjen e sigurisë në vend, për veprimet e grupeve apo individëve kriminalë, pasi është e pabesueshme që këto institucione që kanë në dispozicion të tyre numrin më të lartë të burimeve njerëzore, që paguhen nga taksat e cilido, të mos kenë asnjë të dhënë?
Zgjidhja nuk është që pas çdo ngjarjeje kriminale në një qytet apo një tjetër, dërgon dy apo tre furgonë me trupat e RENEA-s, që janë kthyer edhe në korrës të parcelave të hashashit apo në kapjen e ca individëve, që mund t´I ndalojë edhe i plotfuqishmi i lagjes.
A është në gjendje sot Veliu të thotë se kush po kryen krimet, ato vrasjet e bujshme, jo këto që autori rri e pret në banesë policinë kur shkon e arreston? Dhe nëse nuk është në gjendje të tregojë se kush e shkreh armën, të paktën a është në gjendje të thotë motivin, përtej asaj fjalisë shabllon “përplasje mes grupeve kriminale”.
Kryepolici nuk mund ta thotë sepse ai s´ka lidhje me funksionin që mban. Është një mediokër, që s´ka as plan, as fushëpamje, as vullnet, as aftësi dhe as dëshirë, për të përmbushur misionin që çdo homolog i tij në Europë apo më gjerë bën çdo ditë.
Ky është ai kryepolici që shembi në dru dhe mbyti me gaz cilindo prej atyre që protestonte, apo që u përdor si shofer taksie për të transportuar atë që SHBA e konsideronin si “Eskobarin e Ballkanit”.
Sikundër është i njëjti që më shumë shqetësohej gjatë zgjedhjeve nga ato që tentonin të ndalonin shit-blerjen e votes, se sa nga ato grupet apo bandat që dilnin natë e ditë me bagazhet e makinave me para dhe blinin jo votat, por identitetin e qytetarëve.
Është kryepolici që tentoi të manipulonte vrasjen e një qytetari nga një vrasës me uniformë, i cili sot përballet me drejtësinë, jo nga vullneti i Qeverisë, por për shkak të presionit që u shkaktua nga protestat disa ditore në rrugët e Tiranës. Është kryepolici që gënjeu ditën për diell lidhur me vrasjen e ndodhur në Elbasan pak ditë para zgjedhjeve dhe do të vazhdojë të gënjejë sa herë të ketë një ngjarje, e cila mund të trondisë karrigen e pushtetit të Edi Ramës. Kjo është arsyeja që Rama nuk e “shet” Veliun, edhe pse mund ta ketë kuptuar vetë ose ia kanë thënë se ai është ndër më mediokrit mes atyre që kanë drejtuar organizatën policore në vend.
Kur në studiot televizive, gazetarë apo analistë, thirren dhe flasin për vrasjen dhe atë që pritet të ndodhë, me siguri Ardi Veliu dhe çdo vartës i tij në pozicion drejtues numëron viktimat, pastaj nxjerr ato shifrat krahasuese për të thënë se këtë vit ka pasur më pak krime se një vit më parë, apo 10 vite më parë, a thua se detyra e një Kryepolici është përpunimi i statistikave. Nëse e ka me kaq shumë pasion këtë përpunimin e shifrave, Edi Rama mund ta emërojë në krye të INSTAT, atje po, ka mundësi të merret gjithë ditën me shifra.
Por në funksionin që aktualisht mban, ai dhe çdo vartës i tij në piramidën e drejtimit, kanë për detyrë të sigurojnë jetën e cilitdo, përfshi edhe atyre që mund të jenë të dyshuar për krime, që për shkak të paaftësisë së policisë apo prokurorisë nuk mund të provohen.
Nëse nuk do të ishte një mediokër, shërbëtor i pushtetit të një individi, Kryepolici do të dorëhiqej, që në momentin kur një nga ato njerëzit me uniformë qëlloi pas shpine një të ri, që mund të neutraliohej, jo nga një punonjës i një reparti special, por nga cilido prej atyre që mbajnë uniformë, përfshi edhe rojet e obekteve. Por jo, Veliu zgjodhi të tentojë të manipulojë ngjarjen, ashtu sikundër bëri në Elbasan, muaj më vonë, ndërsa i bëri shërbimin e rradhës mbrojtësit të tij, Edi Ramës.
Sot minialisht ndaj Ardi Veliut duhej të kishin nisur hetimet, të paktën për manipulimin e dy prej krimeve, ekzekutimit pas shpine të Klodian Rashës në Tiranë, dhe ngjarjes së Elbasanit ku u vra një person dhe u plagosën 4. Por hetimet nuk mund të nisin, sepse pas Ardi Veliut është Kryeministri, dhe pas atyre është një tabor që duket se janë strehuar në atë çadrën e madhe në sulltanatin e ngritur nga Edi Rama.
Ky i fundit mund ta shesë “kokën” e Ardi Veliut jo vetëm si një koncension politik, ndaj grupimeve që ka në parti, por edhe pak më gjerë, duke përfshirë edhe opozitën. Ndërsa kjo e fundit, të paktën ka detyrimin moral ndaj atyre qindra e mijëra që i shkuan nga pas dhe që u mbytën nga gazi apo provuan dhunën e trupës policore të Ardi Veliut, të kërkojë ndjekjen ligjore ndaj tij, jo më si një presion, por si një standard ndaj cilitdo që do të ulet në atë karrigën ku sot ndodhet Kryepolici dështak.
“Çizja” e policisë është kthyer si një pantofël, nga ato që nuk të vrasin këmbën kur i mban, dhe që përdoren për pushime në plazh, ndërsa më pas hidhen diku.
Por një pantofël vetëm për këmbën e Ramës, atyre që strehohen në atë “çadrën e tij”, pasi për cilindo tjetër që kundërshton regjimin e Sulltanit ka vepruar si një çizme, shkop gome apo bombë me gaz helmues.
Kjo nuk duhet harruar, sepse nëse harrohet sërisht do të shfaqet një tip i ngjashëm me të, me emër tjetër, që do të bëjë të njëjtën gjë, ndoshta edhe më keq se Veliu.