Merr fund pushteti i Netanjahut, Izraeli do qeveriset për herë të parë bashkë me islamikët

Epoka shumëvjeçare e qeverisjes së Izraelit nga Benjamin Netanjahu duket se po merr fund pasi një koalicion i majtë ku marrin pjesë për herë të parë dhe islamikët do të krijojë qeverinë e re të këtij vendi.

Netanjahu, i njohur për sulme të herëpashershme ndaj Palestinës dhe për reduktimin gjithnjë e më shumë të hapësirave për vendin fqinjë, e priti keq marrëveshjen e arritur duke përmendur si fakt negativ, pikërisht risinë e koalicioneve në Izrael, bashkëpunimin me islamikët.

Qeveria e re përbëhet nga kundërshtarët e tij politikë nga një koalicion me bazë të gjerë ku marrin pjesë parti të krahut të majtë, të qendrës e të së djathtës izraelite, të cilat synojnë ta largojnë Netanjahun pas 12 vitesh në pushtet.

Marrëveshja historike përfshin partinë islamiste, Listën e Bashkuar Arabe, gjë që shënon të parën herë që një parti arabe përfshihet në një koalicion qeverisës në Izrael, raporton noa.al.

Yair Lapid, kreu i partisë Yesh Atid, arriti marrëveshjen duke siguruar mbështetjen e shumicës së parlamentit (Knesset) prej 120 vendesh.

Naftali Bennett, i cili drejton partinë nacionaliste të vijës së ashpër Yamina, njoftoi të dielën mbështetjen e tij për koalicionin e zotit Lapid.

Sipas marrëveshjes pritet që Bennett të shërbejë në dy vitet e para si kryeministër përpara se këtë detyrë ta marrë Lapid.

Udhëheqësi i Partisë së Punës Merav Michaeli, partia e të cilit iu bashkua koalicionit të Lapid-it, tha se shpreson që armiqësia e tyre e përbashkët ndaj zotit Netanjahu të sigurojë nxitje të mjaftueshme për një qëndrim të përbashkët.

Pas dështimit të kryeministrit Netanjahu për të formuar një qeveri në fillim të muajit maj Presidenti Reuven Rivlin i dha zotit Lapid mandatin për të formuar një koalicion që mund të sigurojë shumicën në parlament.

Prej dy vitesh Izraeli ka qenë i përfshirë nga trazirat politike, gjatë të cilave ka zhvilluar katër palë zgjedhje. Pas dy proceseve zgjedhore në vitin 2019, zoti Netanjahu dështoi të formonte një koalicion, por qëndroi në detyrë si kryeministër i përkohshëm, bën të ditur VOA. Një vit më parë ai formoi një qeveri koalicioni me rivalin Benny Gantz, por koalicioni u prish në dhjetor pas dështimit të parlamentit për të miratuar buxhetin.

Benjamin Netanjahu mban detyrën e kryeministrit që nga viti 2009, pasi ka mbajtur të njëjtën detyrë për tre vite në vitet 1990. Aktualisht ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor nën akuza penale për korrupsion.