Tre largime të mëdha dhe vetëm një blerje, zbardhet plani i Real Madrid

Real Madrid i Carlo Ancelottit duket se nuk ka ndërmend të bëjë çmenduri në merkato. Raportimet nga Spanja zbardhin gjithë planet e Los Blancos. Bëhet me dije se Real Madrid është gati të largojë një numër të konsiderueshëm lojtarësh në rast ofertash.

Por në skuadër janë 33 lojtarë dhe për asnjërin prej tyre nuk ka ardhur ndonjë ofertë e arsyeshme, madje as për Eden Hazard. Gazetari Paco Gonzalez raporton se në rast se për Raphael Varane do të vijë një ofertë deri 45 milionë euro, Real do e shesë dhe nuk do marrë askënd për ta zëvendësuar.

Gjithashtu i njëjti burim shton se Ramos nuk do rinovojë dhe do largohet, teksa përveç Alaba nuk do vijë askush tjetër për ta pasuar. Brahim Diaz dhe Takefusa Kubo do vazhdojnë në huazim dhe s’do e kenë të vështirë të gjejnë klube për shkak të formës së mirë.

Edhe Odegaard do të huazohet, ndërsa Roma nuk ka 15 milionë euro për të blerë Borja Mayoral, pavarësisht dëshirës së italianëve për ta mbajtur. Dani Ceballos, aktualisht te Arsenal nuk pranon të huazohet më dhe klubi madrilen është në negociata për ta shitur te Betis, por këta të fundit nuk kanë financat e duhura.

Ndërkohë, Real Madrid ka në plan të bëjë vetëm një blerje të madhe nëse do i jepet mundësia. Mbappe është emri më i pëlqyer, por për të nënshkruar me francezin duhet të kenë shitur shumë lojtarë deri në gusht, diçka tepër e vështirë për shkak se klubet nuk kanë para për të blerë.

Asnjë lojtar i ri nuk do të blihet për mesfushën. Gjithashtu një tjetër largim i rëndësishëm pritet të jetë ai i Iscos. Spanjolli po kërkon për ekip të ri. Për Gareth Bale deri më tani nuk ka asnjë lëvizje dhe nuk dihet ende e ardhmja e tij.