Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, komentoi në Çim Peka LIVE edhe sulmet që i janë bërë nga gazetari dhe politikani i PS, Alfred Peza. Ai tregoi edhe si u shfry dosja për 1 milion dollarët e Pezës
Z. Llalla, realisht, pasuria juaj sipas raportimeve mediatike, shkon diku tek 100 milion lekë (të reja). Pak a shumë sa ajo e ish-gazetarit dhe ish-deputetit Alfred Peza, për të cilin ju kishit hapur hetim për pastrim parash. Është me të vërtetë shumë e madhe kjo për një zyrtar shteti… Kjo pasuri a justifikohet me të ardhurat e ligjshme gjatë jetës tuaj?
Realisht vlera që përmendët është përdorur nga media dhe pikërisht nga personi që përmendët. Emrin e tij nuk dua të përmend e as të dëgjoj. Bëhet fjalë për një shpifës ordiner i cili gjatë gjithë këtyre viteve është marrë personalisht me mua dhe familjen time, duke shpifur, aluduar histori nga më të paimagjinueshmet. Në rastin konkret pasuria ime nuk është çmimi. Nuk është problem që të kisha pasuri në ato vlera. Por pasuria nuk është ajo në ato vlera. Ai është çmimi që pasuritë janë rivlerësuar. Dua të shpjegoj se çfarë thotë ligji për rivlerësimin e pasurive se kjo është edhe një ndër arsyet e tjera ku pretendohet dhe bazohet akuza ndaj meje. Ligji për rivlerësimin e pasurive del gjithmonë në varësi të rrethanave kur shteti ka interes për të rivlerësuar pronë në zhvillim më një zonë të caktuar. Interesi i shtetit është se në një periudhë të caktuar përfiton 2 % të tatimit për pronat që rivlerësohet, ndërsa subjekti në rastin tim unë, shmangin në të ardhmen një tatimi prej 15% që është detyrim për tu paguar në favor të shtetit. Më ka rastisur në të dy herët janë edhe momentet kur kanë dalë rastet e rivlerësimit të pronave.
Megjithatë këtë vlerë që i ka vendosur pasurisë tuaj, keni hetuar edhe ju për pastrim parash. Çfarë ka rezultuar nga hetimit ndaj ish-gazetarit Peza, sot sekretari Dixhital i PS?
Hetimi ndaj Pezës ka nisur në bazë të kallëzimit të Inspektoriatit të Deklarimit të Pasurive, hetim të cilin e filloi Prokuroria e Përgjithshme, duke kryer procedurat hetimore. Më pas atij iu hoq imuniteti si deputet, dha dorëheqjen dhe u largua si deputet. Pas largimit tim nga prokuroria, në mënyrë jo ligjore në bindjen time, materialet i kaluan prokurorisë së krimeve të rënda dhe më pas dosja kaloi në Gjykatën e Tiranës. Veprime në tërësi në shkelje të ligjit, pasi ky ishte një ish-deputet dhe duhej hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme, e më pas nga SPAK apo Krimet e rënda. Në gjykatën e Tiranës mori pafajësi, nuk u ankimua. Një çështje që ka kaluar në heshtje, mund të jetë hera e parë që sot përmendet rasti i ish-deputetit. Si për koincidencë të faktit, ndodh që ky deputet me pronat që iu sekuestruan gjatë gjykimit, çështja u ankimua në Gjykatën e Lartë, ku i njëjti gjyqtar që gjykoi rastin e tij, gjykoi dhe rastin tim. Hoqi sekuestron ndaj pronave të tij dhe në të njëjtat rrethana në rastin tim nuk u mor në konsideratë dhe vazhdojnë të jenë të sekuestruara tashmë.
Është i njëjti gjyqtar?
I njëjti gjyqtar, tashmë i larguar nga sistemi i drejtësisë, Edmond Islamaj ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë.
Çfarë do të kërkoni në Apel dhe përse gjykata duhet të marrë parasysh argumentet tuaja?
Me shpresën që gjykata e Apelit do të jetë realiste, nuk do të jetë e ndikuar nga rrethanat që përmenda deri tani, janë të gjitha rrethanat që të vendosë për pafajësinë time, pasi nuk kam kryer asnjë vepër penale që më akuzojnë. Dua të theksoi se vendimi i shkallës së parë, gjyqtarja që shqyrtoi çështjen ishte i paravendosur, nisur nga rrjedhshmëria që ajo ndoqi procesin. Gjatë gjithë procesit u rrëzua çdo provë, kërkesë e imja për marrjen e provave, si për riekspertim, thirrje dëshmitarësh, marrje dokumentesh, që lind e domosdoshme në një proces gjykimi. Proces që mund të jetë rekord në Shqipëri, çdo 2 ditë ose brenda javës ishte lënë seancë gjyqësore, që nuk ka ndodhur as me të arrestuarit, paraburgosurit që mund të kenë vite në qeli dhe nuk lihen seanca në periudha kaq të shkurtra. E ndoqa vetë procesin nga data 16 prill deri në 20 maj kur u dha vendimi. Proces gjykimi që edhe pse është i hapur për publikun, duke shfrytëzuar masat anti-Covid u la të bëhej me dyer të mbyllura. Në sallën e gjyqit nuk mungonte një çift që dukej se ishin të huaj, me të cilët dukej se kishte kontakte dhe vetë gjyqtarja. Salla e gjyqit u bë e hapur për publikun vetëm ditën e vendimit, ku salla u mbush me gazetarë, ku nuk u respektuan më masat anti-Covid.
Si kanë qenë vendimmarrjet e gjykatave në raste të ngjashme?
Është rasti i parë në historinë shqiptare që një zyrtar dhe çdo nënpunës tjetër i hetuar të dënohet me burgim. Një vepër penale që parashikon dënimin nga gjobë deri në 3 vite burg. Në shumicën e rasteve gjykata ka vendosur gjobë dhe në mjaft raste është pushuar. Në mjaft raste, tashmë gjykata e posaçme ka hetuar ose gjykuar zyrtar të niveleve të ndryshme, përfshirë dhe gjyqtarë të akuzuar për korrupsion ka aplikuar masa dënimi pezullim ose punë në interes publik. Po kështu edhe për zyrtarë të niveleve të larta, të akuzuar për vepra edhe shumë më të rënda penale, ka shkuar në masën e dënimit ka qenë pezullim i ekzekutimit të vendimit penal.