Hipokrizia e “Ramës”, paguan kurimin e mjekut Gerond Husi pas vdekjes nga Covid-19

Nga BoldNews.al

Këshilli i Ministrave ka miratuar pak ditë më parë vendimin për mbulimin e shpenzimeve për kurimin e mjekut Gerond Husi, i cili fatkeqësisht humbi jetën dy muaj më parë për shkak të Covid-19.

Husi, një prej mjekëve endokrinolog më të njohur në Shqipëri dhe pjesë e stafit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, humbi jetën në 21 Mars 2021 në një spital në Turqi, pasi ishte prekur nga virusi Sars-Cov-2.

Në 19 Maj 2021, pra më shumë se dy muaj pas humbjes tragjike, qeveria miratoi vendimin nr. 299, nëpërmjet të cilit akordon shumën 3 milionë lekë për të mbuluar shpenzimet e kurimit të mjekut Husi.

Në foto: Vendimi i Qeverisë për mbulimin e shpenzimeve të kurimit për mjekun e ndjerë, Gerond Husi
Në foto: Vendimi i Qeverisë për mbulimin e shpenzimeve të kurimit për mjekun e ndjerë, Gerond Husi

Kjo shumë, natyrisht është një ndihmesë financiare për familjen e mjekut të njohur, e cila i ka përballuar vetë kostot e transportit dhe kurimit të tij në Turqi.

Megjithatë, kjo shumë nuk mund të mbulojë humbjen e madhe të familjes, por edhe të shoqërisë, të cilët ndjejnë mungesën e një mjeku brilant të fushën e tij.

Qeveria shqiptare është kritikuar publikisht për mungesën e mekanizmave për të mbrojtur jetën e stafit mjekësor gjatë pandemisë së Covid-19.

Një raportim i revistës ‘Monitor”, i publikuar pak kohë më parë, zbuloi se Shqipëria ka vdekshmërinë më të lartë në rajon nga trupa mjekësore.

Sipas të dhënave nga Komiteti i Ekspertëve, deri në Mars të këtij viti kanë humbur jetën 35 mjekë në të gjithë vendin nga Covid-19, ose 1.1% e së gjithë trupës mjekësore në vend prej 3300 personash.

Kjo shifër është më e lartë krahasuar me vendet e rajonit e më gjerë.

Sipas një studimi, në Maqedoninë e Veriut dhe në Serbi, vdekshmëria e mjekëve gjatë periudhës së pandemisë ka arritur maksimalisht në shifrën 0.3 përqind e trupës mjekësore.

Në foto: Grafiku i revistës “Monitor” për rastet e fatalitetit në radhët e mjekëve
Në foto: Grafiku i revistës “Monitor” për rastet e fatalitetit në radhët e mjekëve

Në Itali, mjekët përbëjnë vetëm 0.1 përqind e fataliteteve nga Covid-19.

Në vendet e tjera të zhvilluara si Gjermania dhe Italia, humbjet e mjekëve ishin të papërfillshme në raport numrin total të mjekëve. Migracioni i lartë, së fundi i përqendruar në individë të aftësuar po i vë në vështirësi disa profesione jetike për një popullatë.

Një studim i profesorëve Gëdeshi dhe King zbuloi se numri i mjekëve për banorë ka rënë ndjeshëm në Shqipëri, si rezultat i emigracionit gjatë periudhës 2000-2018.

Në vitin 2000, Shqipëria kishte 140 mjekë për 100.000 banorë, në vitin 2016 kishte 120 dhe në vitin 2018, ky tregues ra në 110 mjekë.

Studimi thekson se, numri i mjekëve, infermierëve dhe mamive për 100.000 banorë në Shqipëri, i cili është shumë më i ulët në krahasim me mesataren e vendeve të BE-së (384 mjekë në vitin 2016), por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka ardhur duke u zvogëluar.

E njëjta tendencë rënëse vërehet edhe për infermierët dhe mamitë.

Migrimi ndërkombëtar i stafit mjekësor, kryesisht në Gjermani, është një nga faktorët kryesorë që shpjegon këtë ulje, cilësojnë ekspertët.

Një vrojtim i realizuar në vitin 2018 tregoi se gjatë 5 viteve të fundit rreth 13% e stafit mjekësor kishte emigruar nga Shqipëria dhe se numri i atyre që emigrojnë çdo vit është i barabartë ose më i madh se sa numri i mjekëve të rinj që diplomohen në Universitetin e Mjekësisë.