Një banor nga fshati Baldushk me inicialet A.A. pretendon se është grabitur në rrugë nga katër persona të armatosur që I kanë rrëmbyer të gjitha lekët që ai kishte . Ky shtetas i përshkroi policisë se u ndalua në afërsi të urës në dalje të fshatit rreth orës 21:00 dhe sipas hetuesve që po përpiqen të zbardhin ngjarjen dhe të gjejnë autorët, katër prej tyre ishin të armatosur me pistoletë dhe njëri prej tyre mbante në dorë një shkop bejsbolli. Ngjarja detajohet nga i sulmuari , që është i moshës 23 vjeç i cili thotë se ndërroi rrugën dhe nuk shkoi në banesë mbasi kishte përfunduar kafen me bashkëfshatarët. 23 vjeçari befas kishte pasur dhimbje koke mbasi vuan nga migrena dhe sipas tij, meqenëse në fshat nuk kishe farmaci, ai mori makinën dhe u drejtua për në Tiranë ku donte sipas tij të blinte voltaren.
Por disa detaje nga dëshmia e të riut e bëjnë të dyshimtë ngjarjen, duke e ndarë grupin e hetimit në dy fronte . Njëri prej tyre insiston që i riu është grabitur ndaj dhe ka përveshur mëngët dhe është vënë në kërkim të dëshmitarëve dhe provave. Kurse grupi tjetër po e shikon historinë nga krahu tjetër, ai shikon mundësisë që i riu ti ketë harxhuar paratë me një vlerë prej mbi 2 milionë lekë të vjetra dhe më tej I gjendur në vështirësi ka krijuar alibinë.
“Por për të dytën nuk janë gjetur ende prova ashtu si edhe për të parën, ndaj agjentët vijojnë të kërkojnë gjurmët e grabitësve” deklaroi zyrtari i policisë për Gazetën “Si”. “Kam në përdorim një mjet Volkswagen me targa AA…8ZC me të cilin shkoj përditë në punë. Atë ditë mbarova punën dhe nga Tirana u nisa për në fshat ku kam lindur dhe banoj. Përpara se të kthehesha në shtëpi, u ula për kafe me shokët e mi dhe po pija një kafe. Në këtë lokal ulem çdo ditë”, shprehet në kallëzim për ditën e ngjarjes shtetasi A.A.
Sipas versionit që policia jep për gazetën “Si” , në përfundim të bisedës dhe të kafesë i riu u nis drejt familjes. Por rrugës dhimbja e kokës u bë e fortë dhe e padurueshme , ndaj ai ka kthyer rrugë “ vuaj nga migrena dhe më duhej një voltaren. Nuk kisha me vete dhe për këtë arsye u nisa me makinë të merrja voltaren në Tiranë”,
Në dalje të fshatit , pranë urës i riu i shpjegon policisë se një mjet tip benz pa targa i bllokoi rrugën.
“Benci në ngjyrë te zezë, tip 190 ishte pa asnjë targë. Prej andej dolën katër persona të cilët ishin me maska në kokë. U afruan tek xhami. Ai më kërkoi që të nxirrja lekët dhe në dorë mbante një pistoletë kurse një tjetër mbante një shkop bejsbolli” deklaron 23 vjeçari i cili këmbëngul në polici se hapi çantën dhe ju dha çdo monedhë që kishte .
“I ndodhur në këto kushte, njërit prej tyre që nuk e identifikoj dot i dhashë aq sa kisha 2.3 milionë lekë të vjetra . Mbasi më morën lekët u kthyen mbrapsht tek makina e tyre dhe u nisën në drejtim të Tiranes” kujton A.A. sipas të cilit ai njoftoi sallën operative “telefonova policinë menjëherë , por ata nuk e hapën telefonin.
Atëherë u ktheva mbrapsht në fshat, takova një shok dhe mbasi diskutuam e telefonova sërish policinë dhe rrugës kur po shkoja në banese policia mbërriti dhe më kërkoi të shkoja me ta në komisariat për të bërë kallëzim” . Por pikërisht fraza e fundit sipas grupit te hetimit e bën të dyshimtë ngjarjen dhe për këtë hidhen dyshime edhe ndaj kallëzuesit. Burimet e grupit të hetimit që po merren me ngjarjen shprehen se përveç pistës së grabitjes, agjentët kanë ngritur edhe pistën e sajimit të historisë nga i riu.
‘Nuk përjashtohet edhe kjo pistë, pasi ka disa kontradikta në këtë kallëzim, por primare është pista e vjedhjes. I dëmtuari mund t’i ketë shpenzuar paratë dhe i ndodhur në kushtet kur nuk kishte se si të justifikohej në shtëpi, tek familjarët ai mund të ketë montuar të gjithë fabulën e mësipërme dhe ky dyshim është i pranishëm po aq sa edhe dyshimi që vjedhja mund të ketë ndodhur realisht” tha një nga zyrtarët e komisariatit përkatës .
Megjithatë policia ka kryer veprimet kryesore duke e besuar denoncuesin. Është kontrolluar banesa e një personi me inicialet O.I, të cilit pavarësisht se rezultoi nga sistemi tims se kishte dalë prej kohësh jashtë vendit, në shtëpi nuk u gjet asnjë send i paligjshëm. Ndërkohë referuar përshkrimeve të të grabiturit, duke kontrolluar zonën dhe aksin kryesor, agjentët shtojnë për gazetën “Si” se në afërsi të një karburanti konstatuan të parkuar një mjet benz të zi , 190.
“U mor në pyetje pronari i karburantit me inicialet XH.Z.” – përshkruan policia në dosjen që gazeta “Si” disponon . Ky shtetas tregon se makina gjendej e parkuar aty dhe që sipas veprimeve të mëvonshme u konstatua që ju përket dy vëllezërve që punojnë në Tiranë”.
Me shpresën se mbase ishin pranë grabitësve , grupi i hetuesve që mendon se i riu është grabitur vërtet ka shkuar akoma më tej. Ata kanë kërkuar këqyrje të automjetit dhe njërën nga gjurmët papilare që është konstatuar nga dera e pasagjerit e kanë dërguar për ekspertizë. Përveç kësaj si provë ndonëse nuk shpjegohet.(si)