Nga BoldNews.al
Pa u tharë mirë boja e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit 2021, Shqipëria mund të shkojë shumë shpejt sërish në votime, kësaj radhe për pushtetin lokal, pas procesit të shumë-kontestuar të 30 Qershorit 2019.
Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në shqyrtim legjitimitetin e zgjedhjeve lokale brenda pak javëve, ndërkohë që partitë politike kanë nisur të bëjnë kalkulimet e tyre.
Një anulim i mundshëm i zgjedhjeve lokale, do të kënaqë Partinë Demokratike dhe Presidentin Ilir Meta, të cilët do të shohin konfirmimin e betejës së tyre kundër votimeve mono-partiake të 30 Qershorit.
Por, nga ana tjetër, përsëritja e zgjedhjeve lokale favorizon më shumë Partinë Socialiste, sidomos pas konfirmimit të makinerisë së saj elektorale në zgjedhjet e fund-Prillit 2021.
Zëra të rëndësishëm brenda Partisë Socialiste kanë nisur të artikulojnë, deri në këto momente nën zë, se, përkundër qëndrimeve fillestare mbi këtë temë, tashmë janë të gatshëm të nxisin Gjykatën Kushtetuese që të pranojë kërkesën e Shoqatës së Bashkive, të drejtuar nga kryebashkiakja e vetme e djathtë në detyrë, Voltana Ademi e Shkodrës.
Nga (zh)dekretimi i zgjedhjeve, në Kushtetuese
Në nëntor të vitit 2018, Presidenti Ilir Meta dekretoi datën për zhvillimin e zgjedhjeve për pushtetin vendor, të cilat u parashikuan të zhvilloheshin në 30 Qershor 2019.
Gjatë periudhës 6-mujore, nga dekretimi e deri në ditën e votimit, politika shqiptare u përfshi nga disa lëvizje tektonike.
Në Shkurt 2019, opozita parlamentare, Partia Demokratike (PD) dhe Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI) vendosën të “digjnin” mandatet, për shkak të asaj që ata e konsideruan si “arrogancë të maxhorancës socialiste të Edi Ramës”.
Ndërkohë që deputetët e PD-LSI u zëvendësuan pjesërisht nga disa ish-kandidatë, të renditur në fundin e listave të tyre, opozita vendosi të mos regjistrohej edhe në zgjedhjet lokale të Qershorit 2019, duke shpresuar në një reflektim nga maxhoranca e Edi Ramës, si edhe në një tërheqje vëmendje të faktorit ndërkombëtar, i cili gjithësesi nuk e pranoi këtë veprim.
Presidenti Ilir Meta, pasi dështoi të bindte partitë opozitare të tërhiqeshin nga akti i bojkotimit të zgjedhjeve lokale, ndërmori një hap të diskutueshëm kushtetues.
Tre ditë para zgjedhjeve, ai vendosi të shfuqizoi datën 30 qershor, duke caktuar një datë të re për procesin elektoral, 13 Tetorin 2019, duke kërkuar nga partitë politike të rivendosnin komunikimin dhe gjithë-përfshirjen në zgjedhje.
Ai deklaroi se, në mungesë të Gjykatës Kushtetuese, e cila në atë kohë ishte jo-funksionale për shkak të efekteve të paparashikuara të Reformës në Drejtësi, mbrojtja e Kushtetutës, përfshirë edhe pluralizmit politik, i takonte drejtëpërdrejtë Presidentit të Republikës.
Partia Socialiste në pushtet nuk e njohu “zh-dekretimin” e datës së zgjedhjeve dhe shkoi e vetme në kutitë e votimit, duke fituar në këtë mënyrë të 61 bashkitë e Shqipërisë.
Kryebashkiaku i votuar i Shkodrës, Valdrin Pjetri, nuk arriti të siguronte mandatin, për shkak të ligjit të “Dekriminalizimit” dhe në detyrë vijoi të mbetej Voltana Ademi, e zgjedhur më parë nga Partia Demokratike.
Në 13 Korrik 2019, Voltana Ademi, në cilësinë e Kryetares së Shoqatës së Bashkive, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë, në të cilën kërkohet anulimi i zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019.
Gjykata Kushtetuese u rikthye në funksion vetëm në Dhjetor 2020. Gjithësesi, ky institucion, nëpërmjet manovrave, jo shumë-ortodokse, zgjodhi që të shtynte në kohë shqyrtimin e “30 Qershorit” pas zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit.
“Anulimi”, të gjithë të fituar, Rama më shumë
Anulimi i mundshëm i zgjedhjeve lokale pritet të kënaqë të gjitha palët, ku më e lumtura natyrisht që do të jetë Partia Socialiste.
Kalkulimet e maxhorancës
Edi Rama dhe partia e tij kontrollojnë 60 nga 61 bashkitë e vendit, ndërkohë që drejton me dorë të hekurt të gjithë pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv.
Gjatë dy viteve të fundit, Rama dhe ndjekësit e tij e shndërruan pushtetin lokal në një makineri gjigande për mbledhje votash, sidomos nëpërmjet punësimeve në administratë, shpërndarjes së miliarda lekëve në procesin e rindërtimit, por edhe nëpërmjet listave të Legalizimit, shpërndarjes së naftës për fermerët, e të tjera mekanizma joshjeje ndaj votuesve.
Rezultatet e zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit dëshmuan se “makineria elektorale” funksionoi në perfeksion, duke tjetërsuar masivisht votën e shqiptarëve në favor të një mandati të tretë të “Rilindjes”.
Me këtë rezultat dhe sidomos me këtë “makineri” në fuqi, Rama është i gatshëm të përfshihet shumë shpejt në një proces tjetër elektoral, në rast se Kushtetuesja vendos të anulojë zgjedhjet lokale të 30 Qershorit 2019.
Partia Socialiste nuk mund të besojë se do të fitojë sërish të gjitha bashkitë. Por, “mekanizmi i joshjes”, natyrisht që do t’i sigurojë maxhorancës sërish kontrollin mbi pushtetin lokal, i cili do të fillonte sërish nga zero mandantin 4-vjeçar.
Aq më tepër që opozita ka nevojë për një kohë të konsiderueshme që të rimarrë veten nga dëmet politike që pësoi në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit 2021.
Rikthimi i opozitës në institucione
Anulimi i votimeve mono-partiake të 30 Qershorit 2019 mund t’i jepte opozitës mundësinë për një rikthim në institucionet lokale.
Pavarësisht dëmeve që pësoi nga “makineria shtetërore” në zgjedhjet e përgjithshme, gjithësesi opozita ka mundësi të fitojë disa prej bashkive të vendit, duke u rikthyer pjesërisht në pushtet.
Kontrolli mbi njësi lokale i krijon hapësirën opozitës që të ridimensionojë veten dhe të forcojë pozitat për betejën e ardhshme elektorale për Parlamentin në vitin 2025, megjithëse, të paktën deri më tani, ata po ndjekin strategjinë e denoncimit të vjedhjes së votës, me shpresën për të siguruar një ri-votim për mandatet në Kuvendin e Shqipërisë.
“Basti” i Metës
Anulimi i zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit 2019 duket se mund të kënaqë, pjesërisht, edhe Presidentin Ilir Meta.
Rikthimi në votime për bashkitë do të ishte një konfirmim i betejës së zhvilluar prej tij, për atë që ai e konsideroi si “mbrojtje të Kushtetutës” në dekretin për anulimin e datës së zgjedhjeve lokale.
Por, iniciativa e tij, e parë në këndvështrimin e rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme të Prillit të këtij viti, nuk duket se do të sigurojë pluralizëm.
Ai, ashtu si edhe opozita, do të gjenden sërish përballë manovrave të “makinerisë shtetërore” të Rilindjes, në rast se shqiptarët ftohen sërish për të votuar për pushtetin lokal.
A mund të anulohen zgjedhjet?
Përgjigja e kësaj pyetjeje do të jepet zyrtarisht dhe formalisht vetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Por, gjithësesi, disa projeksione mund të parashikohen.
Formalisht, duket pak e vështirë që Gjykata Kushtetuese të anulojë votimet, ndërkohë që kryebashkiakët në detyrë janë në gjysmën e mandatit të tyre.
Efektet e padisë së Voltana Ademit duket se janë tejkaluar, pasi një anulim i mundshëm do të thoshte largim në grup të kryebashkiakëve në detyrë, të cilët gjithësesi kanë marrë mandatin nëpërmjet procedurave të Kodit Zgjedhor dhe ligjeve të tjera.
Pra, anulimi i zgjedhjeve do të thotë që kryebashkiakët në detyrë kanë qenë në funksion në mënyrë anti-kushtetuese dhe diçka e tillë do të shoqërohej me shpalljen nul të gjithë vendimmarrjen e tyre 2-vjeçare.
Kjo situatë do të sillte një amulli të plotë dhe, natyrisht, nuk duket se është opsioni më i pranueshëm politik dhe social në Shqipëri.
Megjithatë, gjuha e ftohtë ligjore e gjyqtarëve Kushtetues mund të ngrohet dhe zbutet, në rast ndikimi politik.
Edi Rama dhe maxhoranca e tij kanë më shumë mundësi të ndikojnë në vendimin e Kushtetuese, në favor të saj.
Disa vendime të marra së fundmi nga Kushtetuesja, sidomos njëri për një padi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, treguan qartësisht se maxhoranca kontrollon shumicën e gjyqtarëve kushtetues.
Sidomos të atyre që janë me mandat të përkohshëm dhe shpresojnë në vijim mbështetje nga Partia Socialiste, e cila rikonfirmoi peshën e saj politike në zgjedhjet e 25 Prillit 2021.
Nëse maxhorancës i intereson anulimi i zgjedhjeve lokale, atëherë edhe Gjykata Kushtetuese, me shumë mundësi do të gjejë mekanizmat që edhe të rikthejë shqiptarët në kutitë e votimit, por edhe të legjitimojë vendimmarrjen e deritanishme të kryebashkiakëve e të parashikojë ndalime që “anulimi” i zgjedhjeve të mos ndodh në të ardhmen.