Gjykata Kushtetuese vendos KLSH-në në ‘varësi’ të Ministrisë së Financave, loja me audituesit privatë

Nga BoldNews.al

Gjykata Kushtetuese rrëzoi në fillim të kësaj jave kërkesën e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) për shpalljen antikushtetuese të dy pikave në ligjin “Për financat e qeverisjes vendore”.

Në një padi të dorëzuar në vitin 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit argumentonte se detyrimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit për të kryer çdo vit auditin e organeve të qeverisjes vendore, si edhe mundësia që ligji u jepte edhe audituesve të jashtëm për të kryer një kontroll financiar të tillë, krijonte përplasje në kompetencat kushtetuese të institucionit, si edhe një amulli në zbatimin në praktikë të saj.

Kontrolli i Lartë i Shtetit argumentonte gjithashtu se, në një vendim për çështje të ngjashme, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë institucionit në vitin 2017.

Bazuar në argumentat kushtetues, ligjor dhe precedentin e mëparshëm, KLSH ishte i bindur se Gjykata Kushtetuese do të pranonte kërkesën e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese i rrëzoi pretendimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit të Hënën e kësaj jave. Argumentat e shumicës prej 5 anëtarësh pritet të zbardhen në javët në vijim.

“Boldnews.al” ka siguruar padinë e plotë të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Argumentat e KLSH për rrëzimin e pikave të kontestuara të ligjit “Për financat e qeverisjes vendore” duken bindëse.

Megjithatë, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të bindur Gjykatën Kushtetuese.

“Shkelje” kushtetuese

Parlamenti i Shqipërisë miratoi në Prill 2017 ligjin me shumicë të thjeshtë “Për financat e qeverisjes vendore”.

Në nenin 50 të këtij ligji parashikohet detyrimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit ose audituesve të tjerë të pavarur, për të kryer çdo vit, në periudhën 3-mujore Mars-Maj, kontrollin financiar mbi njësitë e qeverisjes vendore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi në padinë e tij se “detyrim” që ligji për financat vendore i vendoste trupës së audituesve për të kryer kontroll, është një shkelje e pavarësisë së institucionit.

Kushtetuta e ka parashikuar Kontrollin e Lartë të Shtetit një institucion të pavarur, i cili organizon punën në bazë të mekanizmave konkrete, ku rolin kryesor e ka auditimi në bazë të “nivelit të rriskut”.

Pra, Kushtetuta dhe më tej ligji organik i Kontrolli të Lartë të Shtetit, së pari e ka parashikuar këtë institucion si autoritetin e vetëm për të kryer auditimet në institucionet publike dhe, së dyti, i ka dhënë diskrecionin e plotë për të përcaktuar vetë planin e kontrolleve.

Ndërsa, ligji për financat vendore, jo vetëm që e detyron KLSH-në, në kundërshtim me Kushtetutën, që të miratojë një plan të veçantë çdo vit për njësitë vendore, por nga ana tjetër e detyron që atë ta kryejë brenda një periudhe 3-mujore.

Për më tepër, ndërkohë që Kushtetuta e ka parashikuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit raporton në Parlament për ecurinë e auditimeve të saj në institucionet publike, ligji i thjeshtë “Për financat e qeverisjes vendore”, e detyron KLSH-në që të raportojë para një strukture të pushtetit ekzekutiv, Ministrisë së Financave.

Ky ligj, siç argumenton KLSH në padinë e saj, cënon edhe pavarësinë financiare dhe organizative të institucionit, një e drejtë e siguruar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

LEXO EDHE  Video/ “Po vjen Luli”, Basha mes demokratëve të Lushnjës: 25 prilli, dita e shpresës!

Sipas ligjit të kundërshtuar, KLSH detyrohet që, çdo vit, të ushtrojë kontroll në 73 njësi të qeverisjes vendore (61 bashki dhe 12 këshilla qarku). Ky numër është thuajse sa gjysma e auditeve vjetore që kryen periodikisht KLSH (rreth 150 të tilla).

Pra, detyrimi për t’u marrë çdo vit detyrimisht me të gjitha bashkitë, ndikon që KLSH të reduktojë kontrollet në institucionet e tjera publike.

Gjithashtu, detyrimi i këtij ligji me shumicë të thjeshtë për auditimin e përvitshëm në njësitë lokale, ngarkon Kontrollin e Lartë të Shtetit me përgjegjësinë për të ngritur një njësi të posaçme audituesish.

Por, buxheti i alokuar nga Parlamenti për KLSH-në nuk parashikon mundësinë e shtimit të ndjeshëm të numrit të audituesve. Nga ana tjetër, KLSH dhe asnjë institucion tjetër publik, nuk e ka luksin që të shtojë një trupë të gjerë zyrtarësh, të cilët duhet të punojnë vetëm 3 muaj në vit.

Në përfundim të argumentave mbi shkeljet kushtetuese, KLSH konstaton se një ligj i miratuar me shumicë të thjeshtë, si ai për “financat e qeverisjes vendore”, merr më shumë

“Përplasja” me audituesit e jashtëm

Ligji për financat e qeverisjes vendore u jep mundësinë e kontrollit edhe audituesve të jashtëm.

Në mënyrë literale, pika e ligjit, e kundërshtuar nga KLSH është formuluar e tillë: “Auditi i jashtëm realizohet nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe auditues të tjerë ligjorë”.

Në padinë, e cila tashmë është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese, Kontrolli i Lartë i Shtetit ngre disa çështje thelbësore.

Në rast se, për arsye të ndryshme, Ministria e Financave nuk arrin të nënshkruajë kontrata me auditues të jashtëm për të kryer kontrollin në periudhën Mars-Maj të çdo viti, atëherë përgjegjësia për kryerjen e të gjithë auditimeve në Bashki dhe Qarqe rëndon mbi Kontrollin e Lartë të Shtetit, i cili mund të jetë i angazhuar në detyrime të tjera.

Po ashtu, një tjetër pikëpyetje e rëndësishme është fakti që, nëse një institucion vendor është kontrolluar nga një audit i jashtë, ai mund të refuzojë inspektimin nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në këtë mënyrë, i gjithë procesi mund të pasohet me mbivendosje dhe konflikte institucionale e me audituesit e jashtëm.

Padia prej 19 faqesh që Kontrolli i Lartë i Shtetit dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese, ka të parashikuara në mënyrë të detajuar ato që konsiderohen shkelje dhe mbivendosje ndërmjet ligjit organik të KLSH-së, i miratuar me 3/5 dhe ligjit “Për financat e qeverisjes vendore”, të miratuar me shumicë të thjeshtë.

E, megjithatë, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi t’i japë fuqi një ligji të thjeshtë, përballë atij me shumicë të cilësuar, si edhe me vetë Kushtetutën.

Mbetet për t’u parë në vendimin e zbardhur se si “gardianët e Kushtetutës” vendosën që të trajtojnë Ligjin Themeltar të Shtetit si akt inferior para një ligji të thjeshtë.