“Rama 3”, 4 pengesat për të qenë e suksesshme

Nga Ilir Kalemaj

Qeveria Rama 3 ka përballë sfida të rëndësishme dhe komplikime që do ja vështirësojnë fort jetën pavarësisht entuziazmit post-elektoral të ithtarëve më emocionalë. Le t’i rendisim shkurtimisht disa prej tyre. Së pari, do të ketë përballë një opozitë të fortë numerikisht që duket se ka vendosur të përdor aulën parlamentare, denoncimet ndërkombëtare, debatin publik etj., të kombinuar me protestat dhe forma të tjera jashtë-institucionale që do ja vështirësojnë jo pak jetën mazhorancës aktuale që ka dhe tepsinë dhe timonin për herë të dytë krejt për vedi. Pavarësisht premtimeve post-elektorale të Ramës, duket se përsëritja e zgjedhjeve lokale ka më shumë gjasa të bëhet deri në qershor të 2022-shit dhe të sjellë një ekuilibër të ndarjes së pushtetit lokal i cili duam apo nuk duam në një sistem neopatrimonial si rasti shqiptar gjeneron rentë të konsiderueshme që vihet në funksion të maksimizimit të burimeve të partive politike që i kontrollojnë ato.

Së dyti, është thënë dhe stërthënë që fushata është poezi dhe qeverisja është prozë, por Rama duket se bën fushatë gjatë gjithë ciklit qeverisës. Gjë që do ta ketë të vështirë mandatin e tretë. Shumë premtime të parealizuara përgjatë 8 viteve, gërryerja nga konsumi i pushteteve, 22 vite të pandërprera në politikë aktive që e bëjnë të vështirë të rishpikë veten për herë të disatë, konsumi i jashtëzakonshëm në raport me ndërkombëtarët, ku së fundmi vlen të përmendim edhe kritikat dhe shigjetimet nga mediat europiane si ato franceze apo gjermane, janë të gjitha kosto që zbehin goxha sharmin politik por edhe nxjerrin në pah vështirësitë që do të ketë qeveria Rama përgjatë mandatit të tretë.

Së treti, pavarësisht asfaltit elektoral, punësimeve elektorale në administratën publike, ndarjes së rentës publike në prag fushate, ppp-të korruptive të dhëna oligarkëve të caktuar, burimet janë të fundme, deficiti është thelluar, borxhi është rritur ndeshëm, rritja ekonomike është ngadalësuar, varfëria në rritje konstante dhe polarizimi është thelluar. Të gjitha këto do të çojnë në mënyrë të paevitueshme në rritje taksash dhe barre fiskale e cila do shenjojë paevitueshmërisht shtresën e mesme e cila është jashtëzakonisht vulnerabël dhe kështu siç është. Për të parashikuar ç’mund të ndodhë me këtë skenar, mjaft të sjellim ndërmend skenarin kolumbian që po ndodh ditët e fundit. Kolumbia është në flakë pikërisht për shkak të ngritjes së taksave për shtresën e mesme atje nga qeveria aktuale në përpjekje për të korrukuar defiçitet buxhetore shkaktuar nga kriza e kovidit.

Së katërti, nëse ka nja maksimë për zhvillimet politike në këto tre dekada në Shqipëri është se katër vitet e para të qeverisjes është qeverisur përgjithësisht mirë, katër vitet e dyta përgjithësisht keq. Vetëm imagjinata mund të rrokë si mund të qeveriset katër vitet e treta. Siç do thoshte kryeministri si mjeshtër i batutave në kësi rastesh, me gjasa kolltukofagët do të vazhdojnë të majmen ndërsa populli do të marrë noc rrokun. Veçanërisht ajo shtresa më vulnerabël, me pensionet më mizerabël në Europë dhe që vazhdojnë me kokëfortësi stoike të hedhin votën “plumb për armikun” me një arsye të munguar të shkaktuar nga dekada të tëra trushpëlarje përgjatë një nga regjimet më totalitare që ka njohur Europa dhe më gjerë.

Ndër faktorët e tjerë që mund të jenë pengues për një mandat të tretë të suksesshëm janë konsumi i mëtejshëm dhe i paevitueshëm që sjell përqëndrimi i pushteteve në një dorë, pakënaqësitë e brendshme që do të fillojnë gradualisht të ngrenë kryet, mungesa e aftësisë për t’u hapur ndaj shoqërisë civile, mendimit akademik dhe shtresës së talentuar të teknokratëve, duke qenë më tepër se ç’duhet partiakë në selektimet e kuadrit, gjë që do të sjellë dhe një gërryerje të legjitimitetit dhe mungesë të politikave publike efektive.

Nga ana tjetër, mungesa e vizionit strategjik, objektivave të qarta dhe indikatorëve të matshëm, kombinuar me një lodhje nga zgjerimi dhe skepticizëm në rritje nga vende të BE-së që dhe për shkak të konjukturave të brendshme e kanë humbur oreksin për çelje traseje negociatash me vende si Shqipëria, sjellin një kosto jo aq për klasën sunduese në vend, se sa për shoqërinë në përgjithësi që ju ikën duarsh një instrument kontrolli dhe llogari-dhënie që do ndihmonte në forcimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.