Nga Beatrice de Graaf &Ahmet S. Yayla, The Conversation
Nuk ndodh shpesh që regjimet diktatoriale që rrëzohen, të lënë pas shumë dokumente për brezat e ardhshëm. Kjo ndodhi në Gjermani me Rajhun e Tretë Nazist dhe me Republikën Demokratike Gjermane të Lindjes komuniste. Tani, kemi në një farë mase prova të ngjashme mbi jetën që bëhej nën sundimin e Shtetit Islamik.
Rrjeti terrorist ekziston akoma, me shumë degë të tij që janë aktualisht aktive në Lindjen e Mesme, Azi dhe Afrikë. Por ato funksionojnë si organizata terroriste “të rregullta”, dhe nuk kontrollojnë ndonjë territor të caktuar. Kalifati, në formën e tij të mëparshme të “organizatës gjysmë-shtetërore” në Mosul dhe Raka, nuk ekziston më.
Por përmes “ISIS Files Project” të drejtuar nga Programi për Ekstremizmin i Universitetit George Washington, po rindërtohen dhe analizohen gradualisht institucionet e ndryshme, mjetet burokratike dhe politikat e kalifatit të ISIS.
Na u kërkua të shqyrtojmë skedarët e sekuestruar dhe ato të hartuara nga policia “e zakonshme” e ISIS, Shurta, për të parë mënyrën e funksionimit të kalifatit në terren, sidomos bashkëveprimit me popullatën e atij rajoni.
Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje ne përdorëm konceptin e “qeverisjes rebele”. Kjo kuptohet si zbatimi i praktikave qeveritare, apo shfaqjeve serioze dhe thelbësore të sundimit qeveritar ndaj grupeve dhe popullsisë në një territor të caktuar nga aktorë jo-shtetërorë, duke çuar de fakto në një sovranitet dhe autoritet publik.
Me pak fjalë, ISIS e përdori organizatën e saj policore për të krijuar një nivel mbështetjeje midis banorëve të Kalifatit, duke u ofruar atyre një shkallë të rendit dhe sigurisë publike. Kjo mund të tingëllojë si kundër-intuitive, pasi dihet botërisht që Shtetit Islamik ka drejtuar një regjim terrori dhe imponimi të nënkuptuar, bashkë me mizori të kryera hapur me prerje kokash.
E megjithatë, përpara se të shpallej Kalifati, udhëheqja e ISIS publikoi një “Dokument për Qytetin”. Kjo nënkuptonte një lloj kontrate sociale, në të cilën ofronte “siguri dhe garanci” për banorët “pa korrupsion”. Në fakt, stacionet e policisë u ngritën menjëherë.
Në to u punësuan më shumë se 3.000 oficerë, të cilët merrnin rroga aq të larta sa ryshfeti dhe korrupsioni nuk ekzistonte thuajse fare. Instrumente të tjerë të “drejtësisë” së Shtetit Islamik si Hisbah (policia morale), dhe sistemi i gjykatave dhe burgjeve ishin të frikshme për dënimet e tyre të rënda dhe praktikat e torturave.
Ndërkohë, EMNI – drejtoria e sigurisë së lartë dhe inteligjencës – ngjallte frikë brenda dhe jashtë Kalifatit për organizimin e sulmeve terroriste. Përkundër akteve mizore të terrorit, Shurta arriti të krijonte një marrëdhënie “efektive” dhe madje “produktive” me publikun.
Në arkivat e kësaj policie ne gjetëm qindra ankesa të dorëzuara nga popullata. Shumë prej tyre kishin të bënin me çështjet financiare:mbi debitorët që nuk paguanin borxhet e tyre, qiratë apo pagat që nuk shlyheshin.
Por ankesat kishin gjithashtu të bënin me çështje “morale”:fëmijët e fqinjit që pinin cigare, ose të afërmit që luanin Skat (një lojë e ndaluar me letra që përfshin lojërat e fatit). Madje,Shurta telefonohej nga prindërit për t`u këshilluar në rastet kur djemtë dhe vajzat e tyre nuk silleshin mirë, pra kur qimet e fytyrës shkurtoheshin shumë,ose kur veshjet e prera ishin shumë të ngushta.
Numri i madh i këtyre ankesave dhe përmbajtja e tyre, nënkuptonin një nivel të konsiderueshëm të pranimit, bashkëpunimit dhe madje legjitimitetit që i jepte popullata Kalifatit. Në literaturën për Rajhun e Tretë, një sistem i tillë është përshkruar si i mbështetur tek“denoncimi”, tek komunikimet spontane nga shtetas të veçantë me organet shtetërore, të cilat përmbajnë akuza për keq-bërje nga qytetarë ose zyrtarë të tjerë.
Pra, Shurta mbështetej pjesërisht tek praktikat e njohura historikisht të një “shteti spiun” totalitar. Ne intervistuam një numër njerëzish të cilët na shpjeguan pse ishin të gatshëm që ta pranonin këtë. Ata thanë se para se të vendosej Kalifati, jeta nën Bashar Al Assad në Siri ose në Irakun e pas Sadamit kishte qenë për ta (kryesisht për myslimanët sunitë) e paparashikueshme dhe e pasigurt:Ushtarët endeshin nëpër rrugë, vajzat tona përdhunoheshin etj. ISIS solli parashikueshmëri dhe madje një lloj sigurie në jetën tonë. Por kjo për sa kohë që ata ishin në përputhje me rregullat e ISIS.
Nënshtrimi ndaj këtij rendi, që ishte jo vetëm ushtarak dhe politik, por edhe fetar dhe moral – në një periudhë afatshkurtër dhe në kontekstin e luftës dhe anarkisë – vlerësohej sie keqja më e vogël. Madje, në një farë mase ishte fitimprurës, pasi ishte shumë më e lehtë të shlyeje borxhet, apo për t’u ankuar në mënyrë efektive për qiratë e papaguara.
Është interesant fakti që ne ishim në gjendje të vlerësonim se çfarë bënte Shurta me këto ankesa. Shumica e ankesave u zgjidhën “në mënyrë paqësore”. Kjo gjë ndodhte ose përmes praktikave të pajtimit (duke përfshirë ritualet fetare dhe leximin e disa ajeteve nga Kur’ani) ose përmes gjobave financiare apo me justifikime dhe falje.
Për një pakicë rastesh, konflikti nuk mund të zgjidhej nga Shurta, ndaj do të delegohej në prokurori dhe gjykata. Sipas të gjitha gjasave, jo shumë palë do të rrezikonin që një çështje ta çonin tek këto autoriteteve, duke pasur parasysh probabilitetin e ndëshkimit trupor apo më keq akoma.
Me synimin e saj për të zgjidhur konfliktet “në mënyrë paqësore”, përmes praktikave të pajtimit, Shurta dukej se i bënte jehonë praktikave më të vjetra, të epokës osmano-islamike të menaxhimit të konfliktit dhe drejtësisë ndëshkimore.
ISIS ishte në gjendje të siguronte një pamje të rregullit dhe drejtësisë brenda kufijve të Kalifatit. Njëherazi, praktikat e denoncimit tregojnë për ekzistencën e përçarjeve më të thella shoqërore midis banorëve.
Pyetja se deri në çfarë mase nxitej një denoncimi caktuar në mënyrë ideologjike dhe fetare -apo si një mjet oportunist për të zgjidhur konfliktet personale dhe materiale dhe mosmarrëveshjeve – mbetet e hapur.
Duke parë dëshmitë arkivore mbi mënyrën se si njerëzit jetonin nën Kalifatin e ISIS, duket se në mungesë të drejtësisë dhe një sundimi efikas të ligjit, Shurta e Shtetit Islamik ishte një forcë policie moderne, komplekse – madje edhe efikase.
Ajo ka funksionuar si një instrument i një sistemi brutal, ekstremist, shtypës i një sundimi rebel. Por është po aq e vërtetë, që me sistemin e tij të qeverisjes, i thelloi përçarjet në shoqëri.