Partia Demokratike në rrezik

Nga Erl Kodra

Me datën 7 mars 2021 kam publikuar shkrimin me titull “Të vërteta të thjeshta”, ku kam parashikuar me përpikmëri fatale atë se çfarë do të ndodhte në të vërtetë në procesin elektoral të 25 Prillit. Natyrisht, unë uroja me gjithë shpirtë që të isha gabim, megjithatë, analiza dhe kryqëzimi i të dhënave nuk më linte hapësira për të besuar se fryma opozitare (që në të vërtetë ekziston) mund të zhvlerësonte blerjen dhe manipulimet që Edi Rama tashmë i ka ngritur në sistem. Qartësisht, mjetet ekstra-politike të Edi Ramës zhvlerësojnë çdo lloj fryme opozitarizmi, për më tepër në rrethanat socio-politike që gjendet shoqëria jonë.

Tashmë që masakra elektorale ndodhi, dy zhvillime shumë të rrezikshme po afrohen me shpejtësi, zhvillime të cilat mund të rezultojnë fatale jo vetëm për demokracinë, por edhe për ekzistencën e Partisë Demokratike. Koha nuk pret, sepse humbja e shpresës, rebelimi dhe shthurja  sapo ka nisur, ndërkohë që askush nuk po tërheq në drejtimin e duhur. Vet lidershipi i Partisë Demokratike po mbanë një qëndrim pezull dhe të paqartë, qëndrim i cili po krijon mjedisin perfekt për shkatërrimin përfundimitar të opozitës shqiptare.

Së pari, Partia Demokratike nuk duhet të njohë procesin elektoral të 25 Prillit, në asnjë rrethanë, për asnjë arsye. Pranimi i një procesi të tillë është nënshtrim dhe legalizim i paligjshmërisë, në thelb rënies së sistemit politik dhe rendit kushtetues të Republikës. Në kushtet kur asnjë institucion i shtetit nuk garanton mbrojtjen e sistemit, dorëzimi i opozitës shqiptare do të ishte fundi i demokracisë. Partia Demokratike nuk mund të tradhëtojë aspiratat e shqiptarëve për demokraci përfaqësuese dhe shtet ligjor.

Së dyti, Partia Demokratike duhet t’i japë një përgjigje të qartë qindra mijëra demokratëve, brenda dhe jashtë vendit për qëndrimin e saj politik, jo vetëm në raport me procesin elektoral, por edhe me Parlamentin e dalë nga ky proces. Parlamenti i ri mblidhet pas 4 muajsh, megjithatë, kjo periudhë nuk ka pse t’i shërbejë konsolidimit të një pushteti ekstra-politik, i ngritur mbi masakër elektorale. Prandaj është e domosdoshme që Partia Demokratike të shprehet qartë për mosnjohjen e produktit të një procesi farsë, siç ishte procesi elektoral i 25 prillit.

Së treti, Partia Demokratike duhet të veprojë shpejt, në disa fronte – juridikisht dhe procedurialisht për të mbledhur dhe administruar provat e masakrës elektorale – publikisht për të qartësuar pozicionin e saj politik, dhe diplomatikisht për t’i treguar botës demokratike se çfarë ka ndodhur në Shqipëri. Çdo vend i botës do të tronditej nga një masakër e ngjashme elektorale, ndërkohë që në Shqipëri ka kaluar mbi një javë, dhe akoma nuk është mbajtur një protestë e vetme. Deri më tani, të vetmit njerëz që po protestojnë janë Fatbardh Kadilli dhe Bujar Nishani, por këta kundër lidershipit aktual të Partisë Demokratike. Kjo qasje është një vdekje e ngadaltë e asaj që mund të ishte një moment historik për të rikthyer shpresën për shqiptarët.

Vetëm një reagim i fortë dhe pamëdyshje do të shpëtonte Partinë Demokratike dhe demokracinë shqiptare. Shqiptarët tashmë e dinë se procedurat nuk mjaftojnë, por i duhet edhe një qëndrim i fortë politik.