Nga Boldnews.al
Prokuroria e Elbasanit po kryen prej disa ditësh veprime verifikuese ndaj drejtuesve të lartë policorë të qytetit, nën dyshimet se nuk parandaluan përplasjen me armë të ndodhur tre ditë para zgjedhjeve, ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.
Megjithëse prokurorët kanë dijeni të plotë për zyrtarët e uniformave blu që gjendeshin në vend-ngjarje, burimet deklarojnë se hetimi penal për “shpërdorim detyre”, fillimisht është regjistruar “pa autor”.
Nga të dhënat e siguruara që në momentet e para pas ngjarjes, u mësua se në vendngjarje gjendej, ndër të tjerë, edhe nëndrejtori i Policisë së Elbasanit, Albert Nushi, një personazh i diskretituar i uniformave blu shqiptare.
Dëshmitarët në vendin e ngjarjes deklaruan se Nushi, si edhe disa vartës të tij, ia mbathën me vrap, sapo ndërmjet palëve në konflikt nisi debati, i cili përfundoi me përdorimin e armëve.
Kjo është hera e dytë që Albert Nushi gjendet si personazh kryesor në ngjarje që kanë pikëpyetje të forta mbi Policinë e Shtetit.
Para se të emërohej në Elbasan, zyrtari i lartë Nushi ishte Drejtor i Policisë së Fierit. Gjatë kësaj kohe, ai i shërbeu më së miri “Geron Trafikantit”, siç njihet ndryshe edhe Agron Xhafaj, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm socialist, Fatmir Xhafaj.
Në përgjimet e dosjes “Geron” u zbuluan detaje se si Nushi, në cilësinë e drejtorit të Policisë së Fierit, përpunonte “dëshmitarin e rremë, Fredi Alizoti, të pranonte se kishte luajtur rolin e Agron (Geron) Xhafaj, në një audio-regjistrim me Albert Veliun, ku diskutonin për trafik narkotikësh.
Për të realizuar qëllimin në favor të Fatmir Xhafajt dhe vëllait të tij, trafikant, Agron (Geron) Xhafaj, shefi i Policisë së Fierit të asaj kohe, Albert Nushi, pranoi të keqpërdorej deri në marrëzi nga një delinkuent i rëndomtë, si Fredi Alizoti.
Rasti “Geron” është ndër më tipikët, për të dëshmuar se si zyrtarët e lartë policorë, të vendosur në shërbim të politikës dhe krimit, pranojnë të trajtohen në mënyrë më banale, për të ruajtur vendin e punës.
“Boldnews.al” ka raportuar kohë më parë se si dëshmitari i rremë, Fred Alizoti, e trajtonte shefin e lartë të policisë.
Nga përgjimet e kryera të datës 29 gusht 2018, në kuadër të dosjes “Geron”, rezulton se Albert Nushi merr në telefon Fredi Alizotin dhe e pret me durim, derisa ky i fundit të kryente nevojat personale.
Në momentin që Nushi e ka telefonuar, Alizoti i është përgjigjur drejtorit të Policisë:
“Më merr pas një minute se jam duke bërë shurrën”.
Alizoti pasi kreu nevojat personale e merr në telefon Nushin. Ky i fundit e pyet se kur është i lirë që ta takojë. Të dy ata caktojnë një orar, rreth orës 12:00-13:00 në Tiranë.
Ndërkohë po atë ditë, në orën 11:59 Nushi telefonon Alizotin, për t’i thënë se do ta marrë në telefon zëvendësi i tij, Andon Marko (aktualisht drejtor i Policisë së Fierit), pasi ai vetë nuk mundet të vijë në Tiranë.
Pak çaste më pas, zv. drejtori i Policisë së Fierit i asaj kohe, Marko, telefonon Alizotin për t’i thënë se kërkon t’i japë një birrë. Nga biseda kuprohet se Marko e kishte shoqëruar Alizotin edhe herë të tjera në Tiranë.
Ky përgjim aktualisht ndodhet në duart e Prokurorisë. Nga bisedat duket qartë trajtimi që i bëhet Alizotit, i cili tha përpara prokurorëve se kishte bërë zërin e Agron Xhafajt në audio-regjistrimin “Geron”.
Pasi i shërbeu Fatmir Xhafajt më së miri në Fier, Albert Nushi u transferua në pozicionin e zv.drejtorit të Elbasanit, ndërkohë që veprimet e kryera prej tij në kuadër të dosjes “Geron” ishin mëse të mjaftueshme për ta marrë nën përgjegjësi penale, madje edhe për ta arrestuar, për ndërhyrje skandaloze në hetim.
Por, tashmë ai po përballet sërish me një hetim penal, kësaj radhe për shpërdorim detyre, e cila pasoi me vdekjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve në Elbasan.