Nga BoldNews.al
Qeveria “Rama” ka vendosur të shpenzojë mbi 3 milionë euro për fasada elektorale në Kavajë, duke u fshehur pas termit procedurave të “Rindërtimit”.
Në 3 Mars 2021, Këshilli i Ministrave vendosi t’i alokojë Bashkisë së Kavajës një fond prej rreth 350 milionë lekë të reja, për rikonstruksionin dhe riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa pallat, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Pa humbur kohë, bashkia e drejtuar nga Redjan Krali shpalli në 30 mars tenderin me fond 346 milionë lekë të reja ose rreth 3 milion euro.
Dokumentat e tenderit, të konsultuara nga “Boldnews.al”, tregojnë një realitet tjetër.
Ajo që konsiderohet si proces për riparimin e pasojave të tërmetit, në fakt është një proces i qartë lyerje fasadash elektorale.
Ky dyshim mbështetet në shumë elementë.
Së pari, fituesi i tenderit pritet të shpallet kët ditë, duke qenë se mbyllja e procedurës ishte parashikuar për në 9 Prill 2021, pra dy javë para zgjedhjeve të përgjithshme të 25 Prillit.
Por, i dyshimtë nuk është vetëm thjesht koha e shkurtër për mbylljen e procedurës së prokurimit publik.
Bashkia e Kavajës ka vendosur që të shpenzojë 3 milionë euro për ndërtesat e klasifikuara si të dëmtuara në nivelin DS1 deri në DS3.
Për dëmtime të ngjashme, të cilat konsiderohen të lehta, qeveria shqiptare u ka dhënë bonuse familjeve për të rregulluar vetë pasojat e tërmetit, pa ndërhyrjen e autoriteteve shtetërore.
Po ashtu, tenderi është shoqëruar me dokumenta të shumta, përfshirë edhe foto të godinave e pallateve, të konsideruara nga Bashkia e Kavajës si të dëmtuara prej tërmetit.
Në shumicën dërrmuese të objekteve nuk dallohet asnjë lloj dëmtimi, çarje apo çdo shenjë tjetër të shkaktuara nga goditjet sizmike të fund-nëntorit 2019.
Në disa objekte të shënuara si pjesë e projektit të rikonstruksionit, fotografimi i tyre është bërë nga larg ose në pozicione tërësisht të papërshtatshme për të kuptuar nëse ato janë dëmtuar apo jo.
Bashkia e Kavajës, në dokumentat e tenderit, e përmend shkarazi që rreth 50 ndërtesat që do të përfshihen në projekt rikonstruksioni, kanë pësuar dëmtime nga tërmeti.
Ndërkohë që, vetë institucioni i drejtuar nga Redjan Krali, i jep një hapësirë më të gjerë shpjegimeve, sipas të cilave fasadat e këtyre godinave janë dëmtuar gjatë viteve për shkak të agjentëve atmosferikë, si shiu, era, etj., pra që nuk lidhen aspak me lëkundjet sizmike të 26 nëntorit 2019.
Bashkia është kujdesur të theksojë se një pjesë e investimit 3 milionë euro do të shkojë për hidro-izolimin e tarracave të pallateve, një element që gjithashtu nuk ka aspak lidhje me pasojat e tërmetit.
Sipas planvendosjes së ndërtesave që do të përfshihen në lyerjen e fasadave, dallohet qartë se ato gjenden ose në zonën kryesore të qytetit, ose godina të investuara privatisht në zonën e plazhit të Qerretit.
Këto detaje, por edhe shumë të tjerë që gjenden në dosjen e tenderit, krijojnë dyshimet e forta se ajo që deklarohet si proces Rindërtimi, në fakt është një lyerje fasadash në prag të fushatës elektorale.
Madje, nuk përjashtohet mundësia që investimi për fasada në godina private me paratë e Rindërtimit, mund të jetë edhe pjesë e strategjisë elektorale të qeverisë për të siguruar sa më shumë vota në favor të saj.