Zbardhen detajet e ekzekutimit të Gentian dhe Nezir Beqirit në Elbasan në 15 gusht 2012, ngjarje për të cilën një ditë më parë u arrestua nga policia, Ardjan Çapja dhe u shpall në kërkim nipi i tij, Florenc Çapja.
Sipas dosjes së publikuar nga oranews, urdhri dhe financimi prej 50 mijë euro është dhënë nga dy anëtarët e familjes Çapja, ndërsa ekzekutorët do të ishin Ervis Bardhi, shok i viktimës Gentian Beqiri, Olsi alias Jorgo Leka, ndërsa vëzhgues Etien Cani dhe Klajdi Dokoli, shokë të viktimës.
Në rrëfimin e bashkëpuntorit të drejtësisë Ervis Bardhi,tregohet se ditën se kur do kryhej krimi, Ardjan dhe Florenc Çapja, janë larguar në Maqedoni një ditë përpara, me qëllim pasjen e një alibie. Madje për ta përforcuar akoma më shumë këtë alibi, me vete Çapjat kanë marë dhe një gazetar të Elbasanit.
Nga hetimi, rezulton se në mbrëmjen e 14 gushtit 2012, Olsi Leka i ka komunikuar Ervis Bardhit, vendimit se ditën e nesërme do ekzekutonin Gentian Beqirin.
Plani ishte kurdisur në mënyrë të detajuar, pasi Çapjat u kishin dhënë garanci se nuk do u ndodhte asnjë gjë, për shkak se kishin marë informacion të detajuar se kush ishte prokuror i gatshëm, oficer e deri tek gjyqtar i gatshëm atë ditë.
Mëngjesin e 15 gushtit, Olsi Leka, ka pasur me vete një sasi lënde narkotike, si edhe dy paruke, njëra me ngjyrë të zezë kurse tjetra e zezë dhe me fije të bardha. Ndërsa Ervis Bardhi ka pasur në kokë një kapelë ngjyrë gri dhe të vëna një palë syze të zeza.
“…Kur kanë qenë duke kaluar në vendin e quajtur “fusha e Loparit”, Olsi ka ndaluar mjetin dhe shtetasi Ervis Bardhi ka zbritur nga mjeti dhe ka shkuar te një kjoskë, ku ka blerë një shishe me verë.
Më pas kanë vazhduar rrugën dhe pasi kanë dalë në afërsi të bashkisë, janë futur në një rrugicë e cila të çon në afërsi të banesës së shtetasit Gentjan Beqirit…”-thuhet në dokumentat e prokurorisë.
Teksa kanë shkuar afër banesës dhe kanë vënë re se nëna e Gentjanit kishte dalë jashtë. Olsi ka marrë pistoletën, e ka futur në brez dhe të dy kanë vënë paruket në kokë. Të dy së bashku janë larguar nga mjeti dhe kur janë afruar pranë sheshpushimit të pallatit ku banonte Gentjan Beqiri, Olsi i ka thënë Ervisit: “Mos e vrit mendjen”.
Në këtë moment, shtetasi Ervis Bardhi i ka marrë Olsit pistoletën që mbante në brez. Kur janë afruar pranë pallatit, ata kanë vënë re se njëri prej punonjësve të policisë ishte brenda në mjetin tip “Golf”. Në momentin që kanë qenë duke u futur te hyrja e pallatit, ata kanë vënë re se babai i Gentjan Beqiri, Neziri, ka qenë në ballkonin e sheshpushimit mes katit të pestë dhe të katërt.
Ervis Bardhi dhe Olsi Leka, në momentin që kanë hipur në katin e tretë të pallatit, kanë hequr paruket dhe i kanë lënë aty dhe më pas janë ngjitur për te shtëpia e Gentjanit.
Kur kanë kaluar te sheshpushimi mes katit të katërt dhe të pestë, ata kanë folur me Nezir Beqiri dhe janë ngjitur për te shtëpia e Gentjanit.
Kur janë afruar te dera, kanë vënë re se ajo ishte e hapur. Në këtë moment, Olsi Leka është kthyer duke zbritur poshtë në sheshpushim dhe ka marrë babanë e Gentjanit duke e ngjitur lart. Sapo janë futur brenda, Ervis Bardhi ka shkuar në drejtim të dhomës së Gentjanit, ku ka vënë re se ai ishte i shtrirë në një dyshek të vendosur në tokë dhe ishte në gjumë. Ervis Bardhi, menjëherë ka nxjerrë nga brezi armën pistoletë me silenciator dhe ka qëlluar në drejtim të Gentjan Beqiri, i cili si pasojë e zhurmës kur ata kanë hyrë është ngritur në të ndenjura.
Plumbi i parë i shkrepur nga arma, e cila mbahej nga Ervis Bardhi e ka goditur Gentjanin në faqe dhe pistoleta ka ngecur. Pas tërheqjes përsëri të këmbëzës, Ervis Bardhi, e ka qëlluar edhe tri herë të tjera Gentjanin në kokë, duke e lënë të vdekur.
Në momentin që Ervis Bardhi ka qëlluar në drejtim të viktimës Gentjan Beqiri, Olsi Leka ka qenë pas tij së bashku me babanë e Gentjanit, Nezir Beqiri.
Ky i fundit, kur ka parë veprimet e tyre ka filluar t’u bërtasë: “…Ç’farë po bëni…?”. Në këtë kohë Olsi Leka, ka qëlluar me grusht në fytyrë Nezir Beqirin, i cili ka rënë në tokë.
Në kohën që Neziri ndodhej i rrëzuar në tokë, Olsi Leka, ka filluar ta qëllojë me shqelma në gjoks. Pasi e ka qëlluar disa herë, Olsi ka shkuar në dhomën e ndenjes, ka marrë një jastëk dhe ia ka vendosur Nezir Beqiri në kokë me qëllim që ai të vdiste.
Nga veprimet e shtetasit Olsi Leka, shtetasi Nezir Beqiri ka vdekur. Pas këtij krimi të dyfishtë, Ervis Bardhi dhe Olsi Leka kanë dalë nga banesa e Gentjan Beqirit dhe Nezir Beqirit.
Kur kanë zbritur në katin e tretë të pallatit, ata kanë marrë paruket dhe pasi i kanë vënë në kokë, kanë dalë nga hyrja e pallatit për në drejtimin e makinës, të cilën e kishin parkuar në rrugicën afër dhe janë larguar në zonën e “Fushë-Mbretit”.
Pas ngjarjes, Ervis Bardhi ka biseduar me Olsi Lekën, i cili i ka thënë se “…në lidhje me çfarë bëmë do të marrim një sasi parash…”. Pasi kanë marrë dijeni se personi nën hetim Florenc Çapja, kishte dalë nga burgu, Olsi Leka, i ka thënë se këto ditë do të merrnin paratë. Më pas, të dy së bashku kanë marrë rrugën në drejtim të qytetit të Tiranës dhe kur kanë mbërritur në Krrabë, në afërsi të fshatit Gracen, janë takuar me Florenc Çapja, i cili ka qenë i vetëm në makinë.
Pasi janë takuar me Florencin, ai u ka thënë: “Ju lumtë dora dhe mos e vrisni mendjen për këtë punë, Vis ti je me ne”.
Në këtë kohë Florenci i ka dhënë Ervis Bardhit një çantë, të cilën e ka futur në makinë. Pasi janë ndarë, Ervis Bardhi së bashku me Olsi Lekën, janë nisur për në qytetin e Tiranës dhe kanë shkuar në banesën e Gjergj Meshaut, vjehrrit të shtetasit Olsi Lekës, ku dhe kanë numëruar eurot, të cilat në total ishin 50 mijë euro.