Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e prokurorit Pelivan Malaj, pasi gjeti mungesa të mëdha financiare, deklarime të rreme dhe dy raste konflikti që përbëjnë shkak për cenimin e besimit te sistemi i drejtësisë.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi më 11 janar 2021 të shkarkojë nga detyra prokurorin e Apelit Vlorë, Pelivan Malaj, pasi u konstatua se kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasuritë si dhe u gjet me mungesë të burimeve financiare në vlera të mëdha.
Në vendimin e arsyetuar, Komisioni thekson se Malaj nuk ka qenë gjithmonë bashkëpunues gjatë procesit të rivlerësimit, duke mos i’u përgjigjur drejtpërdrejt të gjitha pyetjeve të dërguara gjatë hetimit administrativ si edhe nuk ka depozituar në kohë dokumentacionin e kërkuar.
Sipas KPK-së, prokurori Malaj nuk ka pasur mundësi financiare për shylerjen e çmimit të një apartamenti me sipërfaqe 120 m2 në Vlorë, blerë më 31 janar 2005 për vlerën 31 mijë dollarë. Si burim krijimi të kësaj pasurie ai ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një apartamenti të përfituar më parë nga privatizimi dhe nga puna e tij si avokat.
Komisioni ka analizuar të ardhurat e përfituara nga shitja e apartamentit dhe ka arritur në përfundimin se Malaj ka përfituar 1.9 milionë lekë nga shitja dhe jo 2.7 milionë lekë, siç është shënuar në deklaratën e pasurisë.
Në vendim thuhet se subjeki ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e përfituar nga ky transaksion, pasi nuk arriti të provojë shitjen e apartamentit të mëparshëm me një çmim më të lartë nga ai i përcaktuar në kontratë, si dhe pagesën e detyrimeve tatimore për të ardhurat e pretenduara. Nga hetimi ka rezultuar se edhe të ardhurat e përfituara nga ushtrimi i profesionit të avokatit nuk kanë qenë të mjaftueshme për shlyerjen e çmimit të apartamentit në shumën 31 mijë dollarë.
Trupi gjykues ka konstatuar fillimisht se subjekti nuk justifikonte të ardhurat e pretenduara nga aktiviteti i avokatisë, pasi nuk janë gjendur të dhëna të regjistrimit të tij si tatimpagues.
Pasi Malaj ka dorëzuar prova të reja, KPK ka kryer përllogaritje në mënyrë alternative për të ardhurat e mundshme. Nga kjo përllogaritje, Komisioni konkludon se qarkullimi i realizuar nga Malaj për periudhën 1994 – 2002 ka qenë në shumën 8 milionë e 963 mijë lekë. Marzhi i fitimit neto është përllogaritur në masën 80% të qarkullimit.
Veç shpenzimeve të jetesës, në analizë është përfshirë edhe vlera e ndërtimit të një zyre avokatie me sipërfaqe 20 m2 në vitin 1997 në shumën 700 mijë lekë.
Nga analiza financiare përfundimtare e kryer lidhur me mundësinë e subjektit për blerjen e apartamentit në vitin 1999, ka rezultuar balancë negative në shumën 3,9 milionë lekë.
Malaj ka rezultuar në pamundësi financiare edhe për pagesën e këstit të parë të një apartamenti me sipërfaqe 75 m2 të porositur në vitin 2005 pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë, të blerë për shumën 45 mijë euro, pasuri për të cilën ka deklaruar se e ka shitur në janar të vitit 2017 kundrejt vlerës 7.5 milionë lekë.
Nga analiza financiare ka rezultuar se Malaj ka qenë në pamundësi finanaciare në shumën 872 mijë lekë për të justifikuar plotësisht pagesën e këstit të parë në shumën prej 9 mijë euro, në prill të vitit 2005.
KPK konkludon se Malaj ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për një autoveturë tip “Jaguar” të blerë nga djali i tij në tetor të vitit 2013, kundrejt vlerës 6 mijë e 500 euro dhe se nuk ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.
Prokurori Malaj ka deklaruar se djali i tij, E.M. e ka blerë makinën me të ardhurat e tij si avokat dhe se ai ka përfituar nga ky profesion 9.6 milionë lekë për periudhën 2007 – 2015. Por nga hetimi ka rezultuar se djali i subjektit nuk ka qenë i regjistruar për ushtrimin e aktivitetit si avokat përpara vitit 2014.
Trupi gjykues vlerëson se Malaj ka kryer deklarim të rremë dhe të pamjaftueshëm në deklaratën veting lidhur me të ardhurat e pretenduara si të përfituara prej djalit nga puna si avokat.
Transaksionet e padeklaruara
Gjatë hetimit administrativ u gjetën disa pasuri të padeklaruara nga subjekti dhe familjarët e tij. KPK thotë gjithashtu se Malaj nuk kishte burime të ligjshme për krijimin e tyre.
Nga hetimi administrativ ka rezultuar se djali i subjektit ka porositur në dhjetor të vitit 2015 një apartament me sipërfaqe 73.81 m2 në Vlorë, për çmimin 6,3 milionë lekë. Trupi gjykues vëren se Malaj nuk e ka pasqyruar këtë pasuri në deklaratën ‘veting’ dhe as në ato të viteve 2015 e 2016.
Lidhur me mosdeklarimin dhe burimin e të ardhurave që kanë shërbyer për pagesën e shumës 6,3 milionë lekë për blerjen e këtij apartamenti, subjekti ka argumentuar se kontrata nuk është finalizuar dhe se nuk provohet që djali të ketë qenë palë blerëse – pasi ka hequr dorë dhe ky vullnet është pranuar edhe nga firma ndërtuese.
Në deklaratën veting, Malaj ka pasqyruar një kontratë kredie të 11 nëntorit 2010 me afat 10 vjet, për blerjen e një zyre avokatie për djalin E.M., në shumën 40 mijë euro. Ndërsa në deklarimin periodik të vitit 2010, rezulton e pasqyruar një kredi bankare për të njëjtin qëllim e në të njëjtën shumë, por në një një bankë tjetër.
Sipas KPK, Malaj nuk ka deklaruar në vitin 2010 dhe në atë veting pasurinë e prenotuar prej tij – të drejtat reale mbi të, pagesat e kryera gjatë atij viti, si edhe burimin e të ardhurave që kanë shërbyer për pagesat e kryera.
Nga hetimi ka rezultuar se me kontratën premtim shitje të tetorit 2010, pala blerëse, subjekti i rivlerësimit dhe Gj.M., kanë rënë dakord me dy shoqëri që të blejnë një njësi shërbimi për vlerën 72 mijë euro.
Trupi gjykues evidenton se Malaj nuk shpjegon kronologjinë e pagesave të kryera prej tij ndër vite, nëse është revokuar kontrata e porosisë dhe nëse i janë kthyer shumat e paguara prej tij, përkatësisht vlera 28 mijë euro e paguar ditën e nënshkrimit të kontratës si edhe shuma 39 mijë e 300 euro paguar me bankë.
Nga analiza financiare është konkluduar pamundësi financiare për kryerjen e pagesës 28 mijë euro, pasi për periudhën janar-tetor 2010 ka rezultuar balancë negative në shumën 3 milionë e 243 mijë lekë.
Pas kalimit të barrës së provës, Malaj ka pretenduar se e vetmja pagesë e kryer në favor të shoqërisë ndërtuese është ajo e kryer nëpërmjet bankës, me burim të ardhurat nga kredia e marrë në vlerën 40 mijë euro. Gjithashtu, subjekti ka deklaruar se kontrata nuk është finalizuar dhe zyra nuk u ble, pasi janë penguar punimet.
Por, trupi gjykues i çmon deklarative shpjegimet e tij dhe konkludon se subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën e rezultateve të hetimit.
Nga verifikimi i dokumentacionit lidhur risktrukturimin e kredisë së marrë në vitin 2010, të deklaruar nga subjekti në vitin 2017, Komisioni ka gjetur se në kontratë është përcaktuar se pas disbursimit të kredisë, shuma 4 milionë lekë do transferohej në llogarinë e një noteri publik për blerjen e një apartamenti nga djali i prokurorit Malaj.
Komisioni konstaton se ai nuk e ka pasqyruar në deklaratën vjetore dhe as në atë veting këtë pasuri të porositur në janar të 2017-ës. Subjekti ka parashtruar se sendi i shënuar në kontratë nuk ka përfunduar, dhe nuk ka ende asnjë të drejtë reale mbi të.
Trupi gjykues vëren se Malaj ka dhënë të njëjtat shpjegime lidhur me mosdeklarimin e këtyre tri aseteve, duke pretenduar se nuk janë marrë në dorëzim, pasi nuk janë finalizuar me kontrata përfundimtare shitjeje dhe se në këto kushte nuk ka pasur detyrimin për pasqyrimin e tyre.
Komisioni konkludon se megjithëse nuk u provua që Malaj të ketë patur të drejta reale mbi këto pasuri, për aq kohë ka kryer pagesa dhe kanë lindur detyrime financiare ndaj të tretëve, ai ka pasur detyrimin për deklarimin e tyre.
“Për më tepër, Komisioni çmon se subjekti ka pasur/ka detyrimin të deklarojë edhe shoqërinë/shoqëritë apo individët me të cilët ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale,” shprehet Komisioni dhe vlerëson se mosdeklarimi ndër vite i këtyre marrëdhënieve juridike dhe veprimeve financiare lidhur me to, duket se shmang mundësinë e kontrollit nga ILDKPKI-ja.
KPK thotë gjithashtu në vendim se mosdeklarimi i këtyre transaksioneve në deklaratën “veting” ka qenë një përpjekje për shmangien e hetimit administrativ për burimin e pagesave si dhe për mundësinë e konfiktit të mundshëm të interesit.
Komisioni konstaton se Malaj nuk ka deklaruar disa transaksione të dyshimta të djalit të tij, të pretenduara si të marra hua si dhe kronologjinë e shlyerjes së tyre. Gjithashtu, evidentohet se subjekti nuk ka depozituar dokumentacion justifikues ligjor për të provuar deklarimet e tij lidhur me këto huamarrje të pretenduara, si edhe për ligjshmërinë e burimeve financiare të huadhënësve të pretenduar. Pasaktësi janë gjetur edhe në deklarimin e likujditeteve ndër vite.
Nga analiza financiare për vitet 2003 – 2016, balanca negative ka rezultuar në vlerën 11.6 milionë lekë.
Cënimi i besimit
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti nuk ka deklaruar marrjen e një huaje në shumën 40 mijë dollarë nga shtetasi S.Sh. në dhjetor të vitit 2011. Malaj ka shpjeguar se nuk e ka deklaruar, pasi kontrata e huamarrjes nuk u ekzekutua, huadhënësi nuk e dha këtë shumë dhe palët u tërhoqën. Por në kontratë është përcaktuar se shuma 40 mijë dollarë është marrë jashtë zyrës noteriale.
Në kushtet kur kontrata e huamarrjes nuk është revokuar, trupi gjykues çmon se kjo marrëdhënie e ka vendosur Malajn në kushte të tilla që, huadhënësi mund ta vinte lehtësisht nën presion duke i kërkuar zbatimin e kontratës dhe se nuk mund të pajtohen me funksionin e tij si prokuror dhe përbën shkak për cenimin e besimit të publikut.
Komisioni konstaton se Malaj ka cënuar besimin e publikut edhe në një rast tjetër. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti, në periudha të ndryshme, ka udhëtuar apo ka përdorur disa automjete.
Trupi gjykues veçon një rast, kur Malaj ka udhëtuar jashtë shtetit me makinën e një personi, ndaj të cilit ka përfaqësuar dy çështje penale në Apel.
Edhe pse subjekti ka deklaruar se ka mbajtur qëndrim ligjor në këto çështje, duke ushtruar rekurs në Gjykatën e Lartë, KPK arrin në përfundimin se Malaj ka qenë në kushtet kur duhej të kishte hequr dorë nga përfaqësimi i akuzës. /BIRN/