‘Misioni im’/ Basha flet për librin e tij: Kam qenë gjithmonë i apasionuar pas letërsisë

Kreu i PD, Lulzim Basha i ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 ka folur për librin e tij të parë i cili u botua vetëm pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, ‘’Misioni im’’.

Basha kujton se që fëmijë ka pasur një pasion të madh për letërsinë, madje rrëfen se kur ishte i vogël i thoshte vetes se do të bëhej shkrimtar.

Ai kujton se i pëlqente shumë të lexonte, madje e pranon se kohët e fundit i kishte shkuar në mendje që të hidhte mendimet në letër.

Për Bashën më parë nuk ka pasur kohë për reflektim apo kohë për shkak të angazhimit politik, por ai zbulon se pandemia ishte momenti kur reflektoi.

Pyetja: Përshëndetje për të gjithë, shikues të emisionit “Kjo Javë”! Do ta nisim bashkë emisionin në pjesën e parë me një intervistë me kryetarin e Partisë Demokratike zotin Lulzim Basha dhe do të fokusohemi në një bisedë tek libri i tij. “Misioni im” quhet libri i botuar së fundmi nga zoti Basha, një libër që flet jo vetëm për politikën por edhe nga ana personale , ana private me misionin që ka zoti Basha, e mirëpres në këtë intervistë me mua në emisionin “Kjo Javë”. Zoti Basha përshëndetje, faleminderit që pranuat ftesën!

Lulzim Basha: Përshëndetje dhe shumë faleminderit Nisida! Është kënaqësi të ndodhemi në këtë intervistë së bashku!

Pyetja: Kënaqësi edhe për mua! Zoti Basha një libër që vjen surprizë, sepse jo të gjithë ishin në dijeni se në prag të zgjedhjeve të 25 prillit do të vinte ky libër nga ju. “Misioni im” një mision që për politikën, nga ana politike që nisi në vitin 2004, por që besoj më herët për ju. Si lindi ideja për ta shkruar këtë libër?

LEXO EDHE  U lirua nga qelia, caktohet data për rekursin kundër vendimit ndaj Lulzim Berishës

Lulzim Basha: Unë kam qenë gjithmonë i apasionuar pas letërsisë dhe me thënë të drejtën, në moshë farë të re, duke u frymëzuar edhe nga prania e shkrimtarëve në rrethin e ngushtë familjarë, për një kohë i thoja vetës në atë kohë kur je fëmijë faktikisht, që do bëhem shkrimtarë. Sepse më pëlqente të lexoja, më pëlqente shumë letërsia. Por me thënë të vërtetën, realiteti i jetës politikë është i tillë, ritmi i ditës, i javës, i muajit i vitit është i tillë saqë të mendosh të hedhësh mendimet në një libër më ka shkuar disa herë, më ka përshkruar disa herë mendjen, por nuk kam patur kohën, nuk kam gjetur kohën dhe qetësinë e nevojshme për të reflektuar, për të patur atë reflektim të brendshëm. Kështu që në një farë mënyre ishte një e keqe që na ndodhi të gjithëve që më dha mundësinë t’i kthehesha kësaj ideje me shpresën dhe me synimin për të hedhur mbi letër një dimension që në komunikimi i përditshëm politik ta mohon. Vet zhurma e politikës në veçanti, antagonizmi, konflikti i vazhdueshëm politik, rrjedha e pandalshme e ngjarjeve ta pamundëson një përmasë reflektimi të thellë që libri faktikisht e bënë të mundur dhe duke përfituar siç e thashë nga një periudhë për fat të keq jo e mirë për ne, siç ishte periudha e pandemisë. Por që në një farë kohe, në veçanti në muajt e parë të karantinës la hapësirë për një reflektim më të thellë se e përditshmja, e përjavshmja apo e përmuajshmja, vendosa të nis këtë projekt që për fat të mirë ka përfunduar dhe sot është në duart e botuesit.