Një studim i ri ngre shqetësimet se një pjesë jo e vogël e shqiptarëve ndjehen të përjashtuar nga sistemi politik i vendit dhe se ata që besojnë se dhuna është instrument i ligjshëm për ndryshimin e situatës janë të shumtë.
Numri i shqiptarëve që kanë vajtur në Siri për t’u bashkuar me grupe ekstremiste islamike ka rënë në zero pas vitit 2015 si pasojë e rritjes së ndërgjegjësimit mes popullsisë së gjerë por një burim tjetër ekstremizmi i dhunshëm po formohet, ai i ushqyer nga ndjenja e përjashtimit social si pasojë e nivelit të dobët të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Këto janë konkluzionet e një studimi të gjerë të kryer nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, (IDM), një organizatë në Tiranë, studim që u prezantua online të mërkurën më 24 mars.
Përmes 600 intervistave ballë për ballë nëpër të gjithë Shqipërinë, studimi zbuloi se shqiptarët janë sot shumë më të vetëdijshëm sa i përket rrezikut të radikalizimit islamik nga sa ishin në vitin 2011, kur nisi Lufta Civile në Siri, e cila tërhoqi mijëra luftëtarë të huaj nga shumë vende të botës, përfshirë edhe rreth 144 shqiptarë. Një pjesë e tyre, kryesisht gra dhe fëmijë, vijojnë të jenë nëpër kampe refugjatësh në Siri dhe vetëm disa u arrit të riatdhesoheshin nga një përpjekje diplomatike e qeverisë shqiptare. Shqiptarët janë në mëdyshje mbi këtë problem, pjesërisht të bindur se është detyrë e qeverisë që të kryejë riatdhesimin e tyre dhe pjesërisht të bindur se ata nuk shpëtohen dot nga kthetrat e ekstremizmit të dhunshëm.
“Gjysma e popullsisë beson se qeveria duhet të punojë për riatdhesimin dhe riintegrimin e ish-luftëtarëve. Gjithsesi, më shumë se gjysma beson se është e pamundur që ata të rehabilitohen,” deklaroi Leonie Vrugtman, një nga autoret e studimit.
Aktualisht dihet se rreth 70 individë shqiptarë duhet të tërhiqen nga kampet e Sirisë.
Ekstremizëm politik
Ndërsa rreziku i radikalizmit të dhunshëm fetar është pakësuar, studimi vëren se është një lloj tjetër rreziku i cili është në rritje dhe krahasimisht më i madh: rreziku i radikalizmit politik. Sipas studimit, një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve ndjehen të alienuar nga sistemi politik dhe dobësitë e demokracisë shqiptare dhe si të tillë, justifikojnë përdorimin e dhunës si mjet të moralshëm në ndryshimin e situatës. Kjo kombinohet me deklarimin e gati një të tretës së të intervistuarve, se ata janë të gatshëm të bëjnë çdo gjë, përfshirë ndërmarrjen e aktiviteteve ilegale, për t’u pasuruar.
Rreth 54% e të anketuarve besojnë se çdokush dëshiron të pasurohet shpejt pavarësisht se me çfarë mjetesh ndërsa rreth 32% thonë se janë të gatshëm të bëjnë çdo lloj aktiviteti, përfshirë ato ilegalet, me qëllim që të mbijetojnë, thotë studimi.
Raporti vëren me shqetësim se kjo shkallë e lartë e tolerancës ndaj krijimit të pasurive përmes mjeteve të paligjshme është një burim i konsiderueshëm i ekstremizmit të dhunshëm.
Situata duket se nuk po përmirësohet me kalimin e kohës. Përgjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka parë lulëzimin e partive politike apo të politikanëve individualë që dukshëm nuk kanë filozofi politike por që mbështesin suksesin elektoral në korrupsion politik.
Sipas studimit, rreth 44% e shqiptarëve besojnë se sistemi politik shqiptar është i padrejtë dhe se duhet të ndryshohet. Rreth 19% janë të bindur se duhet të ndryshohet, qoftë edhe përmes dhunës. Feja dukshëm nuk ka të bëjë me këtë pasi mes personave më shumë besimtarë, ka më shumë pranim të sistemit si të drejtë dhe më pak prirje për ndryshim të sistemit me dhunë.
BE anti-islamike
Një shqetësim tjetër lidhet me perceptimin e një pjese jo të vogël të shqiptarëve se ecuria e dobët e vendit në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian vjen pjesërisht edhe për shkak të përkatësisë së shumicës së popullsisë në fenë islame.
Sipas Censusit të Përgjithshëm të Popullsisë dhe Banesave, në vitin 2011 rreth 56% e shqiptarëve deklaruan se i përkasin fesë myslimane. Nëse anëtarësohet në BE në një të ardhme të afërt, Shqipëria ka gjasa do të jetë vendi i parë me shumicë myslimane në këtë bllok.
Fabian Zhilla, një ekspert shqiptar, tha gjatë prezantimit të raportit se besimi se BE po i penalizon shqiptarët për shkak të religjionit është veçanërisht shqetësues për shkak se “redukton presionin e nevojshëm publik ndaj politikanëve për kryerjen e reformave të nevojshme për anëtarësim” dhe i ndihmon këta të fundit të justifikojnë mungesën e progresit duke ia hedhur fajin BE-së.
Rreth 28% e shqiptarëve besojnë se vendet me popullsi të krishterë të rajonit tonë kanë më shumë mbështetje nga Perëndimi për shkak të përkatësisë fetare në krahasim me ne ndërsa 44% besojnë se Bashkimi Evropian ka qenë i padrejtë me Shqipërinë, Bosnjën dhe Kosovën për shkak të përkatësisë fetare të popullsive të këtyre vendeve. /BIRN/