Nga Basir Çollaku
Gjergj Luca është një biznesmen prej motesh në industrinë e përpunimit të peshkut, por jo vetëm. Afritë e tij politkisht kanë rendur ndaj të majtëve, ku janë shfrytëzuar kënaqshëm nga palët, herë me mostrazim e herë më mbrojtje, kur tepria vinte nga biznesmeni në raste sherri. Në arkivën e ngjarjeve, kujtojmë një inat me kosto të ish-kryeminsitrit socialist Fatos Nano.
Një klient sqimatar për nga shijet, pijet dhe fijet, ishte jo pak herë mysafir në lokalin e njohur aso kohe “Rozafa Palace” të sipërmarrësit Luca. Në një ditë me mungesë fati, ish-kryeministrit me sa duket i kishte ngecur “një halë në fyt” gjatë një dreke të zgjatur deri në muzg, ziafet pushteti i mbyllur me ngrysje të fortzemëruar nga kreu i qeverisë. Shërbimi ka lënë një faturë korrekte për konsumatorët, e kjo “pakujdesi” solli një lajm të ashpër pak ditë më vonë. “Rozafa Palace”, u tha në njoftimet mediatike, me referencë adminsitratën tatimore, është gjobitur 800 milionë lekë të vjetra, për pretendime shkeljesh ligjore.
Kjo shifër e paguar apo e vonuar, mbase anuluar, ishte sinjal divorci të afrisë së bizneseve të Lucës, me hyqymetin e vaktit kur ndodhi. Rrodhën kohë të tjera e Luca, nën kujdesin e një tjetër qeverie të majtë, drejtuar nga Edi Rama, solli një transferim qendrës së biznesit në Elbasan. Hektarë të shumtë si kujdes ndaj biznesit, me tarifa një euro, sipas nismës qeveritare, lindën Kooperativën e Lucës në Labinot, njëherësh një kujtesë e së shkuarës ideologjikisht.
Kujtesa e mensave, e infrastrukurës së regjimit, u formatua duke mos munguar e lozhet e imazhit, mbështetjes, peligrinazhit, dhe jo vetëm për Edi Ramën. Vitin e shkuar në përpjekje për të rritur kooperativën e tij ekonomike, biznesmeni Luca u përpall prej disa javësh me banorët e Labinot-Fushë, të cilët deklaronin se po u merreshin pronat. Policia ishte hapur kundër qytetarëve, të cilët në disa raste kanë denoncuar publikisht, se janë kanosur edhe me jetë, për të hapur rrugë orekseve të biznesmenit.
Në muajin shkurt të këtij vitit, Luca u replikua në distancë me presidentin e vendit z.Meta, pas emërtimit nga ana e tij oligark në adresë të sipërmarrësit të industrisë së peshkut, duke lajmëruar se po ndërtonte fabrikën e tretë. Dukshëm eksponentë të rëndësishëm të PS, duke përfshirë të deleguarin dolën në mbrojtje të biznesmenit afër tyre.
Ka disa enigma tepër interesante në këtë përplasje shpërthyese, ku nuk është kursyer as dhuna fizike ku Luca u përfshi në kanosjen ndaj deputetit të PD, z Luçiano Boçi. Absurdi do të flasë. Trimërimi për të kanosur e marrë peng kohën është pafuqi dhe frikë. Janë shumë pyetje gjysma e të cilave po shfaqen dhe qytetarët dinë shumë përgjigje ende të padhëna.
A është Taulant Balla, koordinatori socialist mërzia e shumë biznesve të nëntokës e mbitokës në Elbasan, një shqetësim, alarm, se numri rendor në listë po e bën një ish dhe hesapet e vjetra mbeten zbuluar?
A ëshët zoti sipërmarrës i peshkut, një nga financuesit e fushatës elektorale të partisë në pushtet, si mik i deklaruar i Edi Ramës, foton gjigande të të cilit e ka të ekspozuar në ndërtesat e kooperativës, si nderbërësi e mbështetësi biznesit të tij??
A mundet kjo të bëhet paqësisht hapur, ashtu si ligji lejon, nëse përfshirja është sipas formës së parashikuar nga ligji?
A ka Edi Rama personalisht interesa biznesi, ku sipërmarrësi i peshkut është në dijeni, apo i përzgjedhur për t’i mundësuar?
A ka kjo meseleja e peshkut, si dukur në Durrës ajo e ngjalave, siklete trazuese për shumë aktorë të ligjshëm dhe të paligjshëm?
Akuzat nuk kanë munguar për probleme serioze me mjedisin nga derdhjet e fabrikës së re apo dhe fabrikave të hershme, ku ekspertët kanë alarmuar qytetarët për dëmin e madh, ndërsa institucionet anemike kanë mbyllur sy e kthyer kurriz.
A janë të shëndetshëm tunelet jo të pakta dhe çfarë peshe zënë në biznesin e peshkut, këto mjedise misterioze të së shkuarës, me një garanci të panegociueshme fshehtësie?
A ka kjo histori force një kapitull të mëvonshëm për peshqit e mëdhenj, përmasat e të cilëve mund të mos i përpunojnë dot as fabrika?
Në gjithë këto ngjarje dhune, ku pas shpinës e në ballë të tyre qëndrojnë biznesmenë dhe njerëz me rekorde kriminale, ka një faturë ende të pazbardhur dhe të papaguar. Kjo nuk do të mbyllet si dosje me një gjobë 800 milionëshe siç prodhoi vite më parë nervozizmi i Nanos. Në Shqipëri kryepeshku i madh për tu përballur me drejtësinë është Edi Rama. A do të mundet Luca dhe peshkgjuajtës të tjerë rrotull Ramës, të kapërdijnë HALAT e mëdha kur të urdhërohen për të ngrënë?
Pafundësisht e vështirë. Të gjithë sardelet, kaonet, rrjetat, e mbi dhe nëntokës do të nisin vrapin për të ikur. Ngjarjet tensionuese në Elbasan janë dëshmi se palët kanë borxhe të palara dhe kërkojnë mbajtjen e ortakëve në lojën e madhe. Eshtë tepër vonë. Kryepeshku Rama e ka marrë vesh dhe kërkon të hedh në tigan oborrtarët e vegjël të menysë së peshqve. Një peshkatar i zgjuar, e sheh kur deti trazohet dhe nuk turret si i pamend drejt dallgëve. Vetëm nëse ka ndarë mendjen ta ketë keq me vete. Kooperativat e vjetra të komunizmit janë prova dhe modele telashesh, jo suksesi.