Pas disa shtyrjesh për shkak të COVID-19 Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi të enjten seancën në ankimin e Komisionerit Publik ndaj prokurorit të Kavajës Artan Madani. Trupa e kryesuar nga Albana Shtylla kryesuese, Ardian Hajdari relator, si dhe Ina Rama, Rezarta Schuetz, Nashata Mulaj anëtare, dëgjoi fillimisht parashtrimet e Komisionerit Publik Florian Ballhysa, i cili kërkoi shkarkimin e Madanit nga detyra.
Ballhysa tha se nuk kërkonte hetim shtesë pasi “referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, Komisioneri Publik vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë”. Kërkesa e Komisonerit bazohej në problemet që sipas tij ishin gjetur në kriterin e pasurisë dhe që nuk ishin vlerësuar drejt nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Në anën tjetër vetë Madani, kërkoi që të lihej në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e konfirmoi atë me shumicë votash në korrik 2019. Madani tha se kishte besim te trupa dhe procesi, por i kërkoi asaj të lexonte me vëmendje kundërshtimet që ai kishte sjellë, duke i mëshuar sinqeritetit në deklarimet e bëra.
Anikimi i Komisionerit Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u bë pas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM.
Parashtrimet e Komisionerit mbi pasurinë
Çështja ndaj Madanit është fokusuar kryesisht në blerjen e një apartamenti 146 metra në fillim të viteve 2000 dhe kursimet cash dhe një fond investimi të Madanit, për të cilat Komisioneri tha se deklarimet nuk ishin të sakta, ishin kontradiktore dhe se prokurorit i mungonin burimet e ligjshme.
Komisioneri iu referua në fillim të fjalës së tij vendimeve të mëparshme të Kolegjit në lidhje me çështje të ngjashme, mbi vlerën e provës dhe saktësinë e deklaratave periodike, vlerën e deklarimeve noteriale të lëshuara për procesin e vetingut.
Komisioneri iu referua deklarimeve të Madanit në lidhje me një apartament 146 metra të blerë për 5.6 milion lekë, një garazh dhe burimin e krijimit të këtyre pasurive që përfshinte para nga prindërit e tij dhe një shumë parash nga vjehrri.
Ai tha se deklarimet e Madanit ishin kontradiktore dhe se ai nuk kishte provuar dot të kundërtën e barrës së provës.
Komisioneri këmbënguli se nga kontratat dhe dokumentet pretendimi i Madanit se godina ishte marrë karabina dhe se ishte blerë për 1.9 milion lekë, ndërsa pjesa tjetër e çmimit 3.7 milion ishte shpenzime të tij në ndërtim nuk ishte e vërtetë.
Sipas tij të afërmit e Madanit nuk kishin pasur të ardhura të mjaftueshme dhe kishin kryer shpenzime të tjera në këtë kohë. Ai, duke iu referuar Rekomadnimit të ONM, tha se ndihma e marrë nga të afërmit në shumën 3.1 milion lekë nuk duhej konsideruar e ligjshme dhe se pa këtë Madani rezultonte deri në vitin 2003 me 4 milion lekë bilanc negativ.
Komisioneri po ashtu ngriti pretendimin se Madani nuk kishte pasur burime të ligjshme për gjendjen cash dhe paratë e investuara në një fond.
“Në përfundim, Komisioneri Publik, referuar balancës negative të fondeve për periudhën 2004-2016, çmon se, referuar nenit D të aneksit të Kushtetutës, subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pasaktë, të pamjaftueshëm dhe mungesës së burimeve të ligjshme për investimin në “Fondin e Investimeve ***”, në shumën 5.500.000 lekë, në *** Bank, dhe gjendjes cash në banesë, të deklaruar në shumën 1.200.000 lekë”, tha ai në parashtrime.
Ballhysa, i cili zëvendësonte në seancë Komisionerin Dariel Sina i cili ka ankuar çështjen, ngriti dyshime po ashtu se një makinë e përdorur nga Madani ishte një pasuri e fshehur.
Parashtrimi i Madanit
Përfaqësuesi i Madanit, avokati Klodian Skënderaj, kundërshtoi pretendimet e Komisionerit mbi rastet e ngjashme të trajtuara nga Kolegji.
Skënderaj që lexoi mbrojtjen duke iu referuar ankimit, parashtroi se marrëdhëniet financiare të subjektit me prindërit e tij dhe të bashkëshortes kishin ndodhur në një kohë kur nuk kishte ligj për deklarimin dhe nuk përkonin me kazuset e përmendura nga Komisioneri Publik.
Ai i mëshoi faktit se deklarimi i vlerës së apartamentit prej 5.6 milion lekësh që në deklarimin e parë tregonte se Madani nuk kishte pasur për qëllim asnjë fshehje dhe kishte deklaruar drejt edhe burimet edhe pse detajet për këto nuk kërkoheshin.
Skënderaj arsyetoi ndër të tjera se godina kishte qenë karabina, duke sjellë si provë kontratat me rrjetin e energjisë dhe faturat për Madanin dhe disa banorë të tjerë, që kishin filluar dy vjet pas kontratës së blerjes së pasurisë.
Avokati këmbënguli se çmimi 1.9 milion ishte ai që ishte paguar shitësit dhe pjesa tjetër ishte investim. Vetë Madani në fjalën e tij tha se ai kishte deklaruar vlerën reale të banesës, ndërsa fqinjët e tij kishin kontrata mjaft më të lira. Ai shpjegoi se paratë e marra nga prindërit nuk ishin as hua, por ndihmë nga familja në të cilën kishte qenë pjesë.
Ai po ashtu pretendoi sa i ati dhe vjehrri kishin pasur burime të mjaftueshme financiare dhe se detyrimi për deklarim të dhurimeve ishte përcaktuar më vonë në ligj.
Po ashtu Madani tha se kërkonte të mos gjykohej mbi kazuse duke shtuar se në eksperiencën e tij në drejtësi asnjë rast nuk i ngjante tjetrit.
Avokati kundërshtoi përfundimet e Komisonerit Publik mbi shpenzimet dhe mundësitë për kursim të shumave cash dhe asaj të investuar, duke referuar disa prova të reja mbi udhëtimet jashtë vendit. Madani këmbënguli ndër të tjera që bonuset e udhëtimit që ai kishte përfituar si prokuror dhe dietat për punë larg vendit të banimit të mos konsideroheshin si shpenzime.
Ai tha se ndër gjithë pretendimet e Komisionerit vetëm një shumë prej 250 mijë lekësh ishte harruar të deklarohej nga bashkëshortja dhe pretendoi se bëhej fjalë për një lapsus nga ngarkesa.
Madani vetë po ashtu i tha trupës se të ardhurat e vëllait të tij të dënuar në Itali, nuk kishin shërbyer ne pasurinë e tij. Duke iu referuar dënimit Madani tha se ai kishte qenë “dënim për të gjithë familjen”.
Kryesuesja e seancës Albana Shtylla i vuri në dukje prokurorit se kjo çështje nuk ishte në ankim, por Madani tha se kishte dashur ta sqaronte dhe kishte përfshirë vetë në parashtrime.
Në KPA pranoi një sërë provash të reja që lidheshin me procesin, por i ktheu Madanit pas disa dokumente nga jashtë vendit pasi në to mungonte vula apostile. Madanit iu kërkua t’i risillte ato në formën e kërkuar në seancën e radhës në 13 prill.
Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 173, datë 1.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artan Madani, me detyrë prokuror/Drejtues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor, Kavajë.
Komisioneri Publik, në parashtrim të ankimit, iu qëndroi gjetjeve të tij dhe bazuar edhe në konstatimet e rekomandimit të ONM-së për të ushtruar ankim, vlerësoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, nuk përputhet me juridiksionin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, lidhur me interpretimin e dispozitave të aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016. Komisioneri Publik i qëndroi kërkimit të ankimit për ndryshimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit për deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë dhe cenim të besimit të publikut.
Subjekti i rivlerësimit, në prapësim të shkaqeve të ankimit, kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor dhe administrimin në funksion të tij, të disa akteve, të referuara në seancë.
Komisioneri Publik, i pyetur nga kryesuesja e seancës për qëndrimin e tij rreth kërkesës së subjektit të rivlerësimit, për riçeljen e hetimit gjyqësor, parashtroi se në rastin konkret në ankim nuk është kërkuar nga Kolegji hetim i mëtejshëm, por se nuk do të kishte kundërshtime nëse trupi gjykues do të vendoste rishqyrtimin gjyqësor të çështjes.
Trupi gjykues, me vendim të ndërmjetëm, pranoi çeljen e hetimit gjyqësor, duke pranuar administrimin e një pjese të akteve, të dorëzuara në seancë nga subjekti i rivlerësimit. Ndërkohë, për pjesën tjetër të akteve, të cilat kryesisht ishin lëshuar nga institucione të administratës shtetërore të vendeve të huaja, për t’i dhënë kohë subjektit të rivlerësimit, për t’i paraqitur në formën e kërkuar nga ligji, vendosi ta shtyjë seancën për në datën 13.4.2021, ora 10:00.
Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi dhe parashtrimet janë publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/
Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë. /BIRN/