Prokurori i Prokurorisë së Tiranës, Genci Qana u përball të martën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me dyshime mbi burimin e ligjshëm për disa prej pasurive të tij dhe denoncime për çështjet që kishte hetuar, përfshi pushimin e hetimeve për një aksident me vdekje në punë.
Sipas analizës financiare, Qana rezultonte me një bilanc negativ me 1.4 milion lekë për periudhën deri në vitin 2003 dhe me mbi 2 milionë lekë nga viti 2003 deri në vitin 2016.
Nga relatimi rezultoi se KPK nuk kishte konsideruar të ligjshme një hua 5 mijë euro dhe 730 mijë lekë të tërhequra nga llogaritë bankare për blerjen e një makine për 14 mijë euro në vitin 2012, duke krijuar një minus prej 1.7 milionë lekë në burime të ligjshme.
Qana tha se kishte “konsideratë të lartë për procesin”. Ai pretendoi se bilancet negative vinin për shkak të disa llogaritjeve të gabuara nga KPK dhe kërkoi konsiderimin si të ligjshme të huasë dhe të ardhurave të bashkëshortes, ndërsa kërkoi konfirmimin në detyrë.
Ai u hetua nga një trupë e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me anëtare Etleda Çiftja dhe relatore Xhensila Pinen.
Genci Qana e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitet ’90. Ai ka punuar si prokuror i Prokurorisë së Krimeve të Rënda në vitet 2003-2007 dhe prokuror i Prokurorisë së Tiranës në vitet 2008-2020.
Hetimi i pasurisë
Relatorja Xhensila Pine tha në seancë se pasuria e parë e hetuar e prokurorit ishte një apartament i vitit 2001 në Tiranë me vlerë 2 milionë lekë. Pine tha se kishte dyshime mbi çmimin e ulët, por nuk u gjetën konflikte interesi mes tij dhe shitësve.
Megjithatë, relatorja tha se burimi i deklaruar i kursimeve familjare rezultonte i pamjaftueshëm në vlerën e 1.4 milionë lekëve.
Qana që u ndal gjatë në këtë pikë dhe pretendoi se diferenca negative vinte për shkak të llogaritjes së shpenzimeve të tij së bashku me prindërit. Ai tha se edhe pse ishte në të njëjtin trung familjar, ai kishte jetuar me ekonomi më vete dhe se për pjesën më të madhe të kohës kishte jetuar në Elbasan dhe në Librazhd. Ai tha se rillogaritja e shpenzimeve ndryshonte këtë përfundim të KPK.
Po ashtu ai këmbënguli të konsideroheshin të ligjshme të ardhurat e bashkëshortes, edhe pse pranoi se dokumentacioni që sillte nuk ishte i plotë. Qano tha se e shoqja kishte punuar si punonjëse sociale në një qendër për gratë e dhunuara në fund të viteve 90’, por se organizata që e kishte punësuar nuk rezultonte të kishte paguar sigurimet shoqërore. Qano tha se kishte sjellë dokumente që vërtetonin punësimin dhe po ashtu edhe pagesën e detyrimeve.
Ngjashëm ai pretendoi edhe për punën e dytë të bashkëshortes, po në një organizatë ndihme. Ai solli si prova librezën e punës dhe kërkoi të konsiderohesh edhe disa muaj, për të cilët nuk rezultonin të paguara sigurimet shoqërore. Qana i kërkoi KPK-së të konsideronte të ardhura shumat e derdhura në llogarinë bankare të bashkëshortes nga punëdhënësi.
Relatorja Pine vuri në dukje se Qano kishte pamundësi të vogla edhe për blerjen e mobilimin një apartamenti në Orikum. Ajo tha se ai rezultonte në vitin 2011 me 343 mijë lekë bilanc negativ.
Qano kundërshtoi këtë gjetje të KPK, për të cilën i kishte kaluar barra e provës, ndërsa këmbënguli për rillogaritje bazuar kryesisht mbi kursin e këmbimit. Ai pretendoi se paratë ishin konvertuar në euro në vitet para blerjes së apartamentit. Po ashtu, ai pretendoi se një mik i tij me inicialet E.V kishte dhuruar një pjesë të shpenzimeve prej 1900 eurosh për një pushim të familjes në Korfuz.
Qana tha se nuk e kishte konsideruar këtë si dhuratë, por si shpenzim, dhe nuk kishte menduar se duhej ta kishte deklaruar, duke u justifikuar edhe me mangësi të formularit të vetëdeklarimit.
Nga relatimi u duk se problemet kryesore të Qanës ishte blerja e një makine për 14 mijë euro në vitin 2012. Sipas Pines, makina ishte deklaruar e blerë me kursime, 1 mijë euro nga shitja e një makine të vjetër, një dhuratë nga vjehrri dhe një hua 5 mijë euro nga një mik.
Por nga hetimi rezultoi se provoheshin të ardhurat e vjehrrit nga qiraja, por të ardhurat e mikut nuk u dokumentuan. Qana këmbënguli se ai i kishte pasur mundësitë financiare t’i jepte shumën në fjalë.
Ndërkohë, KPK vuri në dyshim përdorimin e 730 mijë lekëve kursime, që sipas Komisionit ishin tërhequr nga llogaritë bankare pas pagesës.
Komisioni tha se në pyetësor Qana kishte pretenduar se kishte marrë pesë mijë euro në përdorim nga E.V një mik i tij, personi që po ashtu i kishte paguar pushimet. Ai pretendoi se me kërkesë të kompanisë që i kishte shitur makinën, ishte detyruar të përshpejtonte procesin dhe nuk kishte qenë e mundur tërheqja e menjëhershme e parave nga llogaritë bankare gjë që ishte bërë disa ditë më pas.
Prokurori pretendoi se shuma prej 730 mijë lekësh ishte deklaruar se ishte përdorur për makinën në vitin përkatës dhe kërkoi që ajo të konsiderohej e ligjshme. Ai tha se nuk e kishte cilësuar të rëndësishëm deklarimin e shumës 5 mijë euro, që ishte kthyer brenda disa ditëve.
Të padeklaruara për disa vite rezultuan edhe disa pasuri që vjehrri i kishte dhuruar bashkëshortes së Qanës. Sipas KPK-së një apartament dhe dy garazhe ishin poseduar 3 vjet para deklarimit të parë. Qana tha se kjo kishte të bënte me faktin që këto pasuri nuk kishin qenë të regjistruara në hipotekë dhe ishin deklaruar pas regjistrimit. Ai kërkoi të merrej parasysh fakti se këto pasuri ishin me burim të ligjshëm dhe nuk kishte arsye të fshehjes së tyre.
Ndërkohë, Qana pranoi se nuk i kishte pasur 150 mijë lekë për blerjen e një makine Fiat Punto në vitin 2012, por tha se ishte ndihmuar nga prindërit e bashkëshortes dhe se këto para i kishte kthyer në vitin 2013.
Denoncimet dhe mbiemri
Ndaj Qanës nuk u vunë në dukje probleme nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, por një denoncim ndaj prokurorit tregonte se ai kishte ndryshuar mbiemrin, gjë që nuk rezultonte në deklarimin e tij.
Pine tha se pas verifikimit në gjendje civile ku kishte rezultuar se në një moment mbiemri kishte qenë Qama, ishte hetuar për pasuri me këtë mbiemër dhe i ishte kaluar barra e provës subjektit për mosdeklarim të ndryshimit.
Qana pretendoi në seancë se nuk kishte qenë në dijeni të ndryshimit, që ishte sipas tij gabim në zyrat e gjendjes civile që ishte korrigjuar po prej tyre në periudhën 1996-1997, kur familja ishte shpërngulur nga Berati në Tiranë.
Ai tha se ishte shqetësuar kur e kishte mësuar dhe se dokumentet e marra nga gjendja civile dëshmonin se ishte ndryshuar shkronja “n” në “m”. Nga hetimi nuk rezultuan pasuri me këtë mbiemër.
Pine relatoi për 9 denoncime ndaj subjektit, ndër të cilat përfshihej personi që kishte denoncuar për mbiemrin dhe dy persona të tjerë që kishin bërë denoncime të përsëritura.
Pine tha se një prej denoncuesve ishte djali i një viktime të një aksidenti në punë, ndërsa referoi se çështja ishte pushuar nga prokurori. Pine tha se në vendimin e pushimit, sipas denoncuesit ishte cituar se kompania kishte pasur leje për prishje të një objekti ku kishte ndodhur aksidenti edhe pse kjo nuk ishte e vërtetë.
Qana pretendoi se kishte hetuar me detaje çështjen dhe se kishte ndjekur edhe dyshimet e denoncuesit, duke thirrur dëshmitarë dhe marrë bisedat telefonike, por nuk kishte rezultuar shkelje e rregullave të sigurisë në punë prej kompanisë.
Prokurori tha se personi që ishte viktimë kishte qenë drejtues teknik dhe ishte ai që duhej të siguronte punëtorët. Ai shtoi se dyshimet e ngritura për hetimet fillestare të policisë, bazoheshin kryesisht mbi raportimet konfuze fillestare se personi i goditur nga një copë betoni në kokë ishte menduar se mund të kishte vdekur nga infarkti apo rritja e tensionit të gjakut.
Çiftja dhe Sanxhaktari këmbëngulën me pyetje në këtë çështje, duke kërkuar të dinin se pse i afërmi i viktimës vijonte të denonconte dhe nëse E.V, që sipas Sanxhaktarit ishte avokat në çështje që kishin të bënin me aksidentet në punë, kishte pasur çështje me subjektin. Qana sërish tha se denoncuesit i ishte dhënë mundësia të shpjegohej dhe se ishin kryer hetimet e kërkuara prej tij. Ndërsa tha se nuk kishte çështje me E.V apo bashkëshorten si avokatë.
Ai po ashtu tha se në pushim nuk ishte shprehur që kishte leje për prishje, por se në lejen e ndërtimit specifikohej e drejta e kompanisë për të liruar sheshin.
Qana tha se vendimet e gjykatave i kishin dhënë të drejtë në dy denoncimet e tjera, ndërsa u shpreh në një rast se çështja mund të ndiqej në rrugë civile, por nuk kishte vepër penale. /BIRN/