Prapaskenat/ Pse po ikin kandidatët nga lista e PS

Në orët e fundit para dorëzimit të listave të kandidatëve në KQZ, Partia Socialiste është përfshirë nga një luftë brrylash dhe pakënaqësish për shkak të renditjes në listë të emrave të kandidatëve. Rama duket se ka vendosur të bëjë ndryshime të forta duke larguar emra të njohur gjatë qeverisjes së PS.

Rast i rrallë ishte ai i Vasilika Hysit që prej kohësh e kishte shprehur dëshirën e saj për t’u tërhequr nga politika. Por ende pa u qartësuar arsyet që çuan në largimin e Vasilika Hysit, pasoi një tjetër dorëheqje, ajo e Besnik Bares.

Pavarësisht se konsiderohej një prej emrave tradicionalë në Partinë Socialiste, Bare është shmangur vit pas viti nga postet drejtuese. Në listën e kandidatëve socialistë në Tiranë është imponuar ndjeshëm Erion Veliaj dhe marrëdhënia mes tij dhe Besnik Bares nuk ka shkëlqyer ndonjëherë.

Një burim pranë PS-së tha për Lapsi.al se Rama i ka deleguar Veliajt njoftimin e kandidatët për vendin që i është caktuar në renditjen e listës dhe këto ditë, ata janë duke dorëzuar dokumentat për kandidimin. Të tjerë që kanë dy ose më shumë mandate deputetësh, pritet të kenë një vend të pafavorshëm në listën përfundimtare.

Ndërkohë ka qenë surprizë largimi i Sadi Vorpsit, ish prefekti i Tiranës që më herët kishte nisur fushatën në zonën e Farkës. Vorpsi është shfaqur në disa takime bashkë me Erion Veliajn në inaugurimet e shtëpive të reja, por duket se atij i është propozuar një vend “poshtë” në renditjen e listës, vend të cilin ai e ka refuzuar.

Përplasjet Gjylameti-Balluku, Shalsi Peleshi

Për t’u shënuar në lëvizjet e emrave në Tiranë është largimi i Blerina Gjylametit. Prej vitesh tashmë ajo ka punuar në zonën e Kombinatit në kryeqytet, por caktimi i zonës për Belinda Ballukun ka provokuar mosmarrëveshje mes të dyjave.

Tension ka pasur edhe në Korçë mes Eduart Shalsit dhe Niko Peleshit. I pari ka punuar në Pogradec, ndërsa i dyti në Korçë.

Pikërisht për këtë arsye, Rama ka gjetur si zgjidhje sjelljen e Eduart Shalsit në Tiranë dhe largimin e Blerina Gjylametit drejt Pogradecit. Nuk përjashtohet në këtë vendim edhe ndikimi i Veliajt, që e sheh Gjylametin , si prurje të ish-kryesocialistit të degës së Tiranës, Saimir Tahiri.

Vlora

Edhe qarku i Vlorës, ku kandidon vetë Rama është një rebus më vete për listën përfundimtare të kandidatëve. Drejtuesi politik i PS në Vlorë, Damian Gjiknuri ishte në një aktivitet me të rinjtë sot, ku si rrallëherë mungonte kryebashkiaku Dritan Leli. Duke qenë se Rama i ka kërkuar dorëheqjen Leli ka preferuar të tërhiqet duke refuzuar të bindet. Gjiknuri ka qenë i pakënaqur edhe me Alket Hysenin, por ky i fundit gëzon mbështetje të fortë nga Gramoz Ruçi dhe kandidimi i tij në Sarandë është i padiskutueshëm. Problem mbetet marrëdhënia e tij me Anila Denajn. Të dy bëjnë fushatë çdo ditë në Sarandë, por nuk janë takuar kurrë bashkë.

LEXO EDHE  Qeveria i bllokon FSHF fondin "Grand", Duka: Po shkelen ligjet

Tërheqjet surprizë

Po sot, është raportuar për largimin e Reme Lalës nga kandidimi për PS. Lala kishte nisur fushatën në Paskuqan, ku jeton një komunitet i konsiderueshëm dibranësh, por ajo është tërhequr për arsye që mbeten të pashpjeguara. Në korridoret e selisë së PS përflitet edhe moskandidimi i Sadri Abazit, biznesmeni nga Dibra, që është përfolur shpesh për tenderat që kanë përfituar familjarë të tij. Prej javësh tashmë, dihet se Rama është nën presionin e SHBA për të mos kandiduar persona të caktuar.

Skema e Ramës për drejtuesit politikë

Listat ende nuk janë mbyllur, por duket se kryesocialisti ka ndërmend të aplikojë një skemë që për herë të parë guxoi ta vërë në zbatim në Fier në vitin 2017 me Gramoz Ruçin. Duke qenë drejtues politik i fushatës në qarkun e Fierit, Gramoz Ruçi vuri një objektiv që do të merrte 9 deputetë dhe vetë, e shënoi emrin pikërisht në vendin e 9.

Të njëjtën skemë Rama pritet që ta aplikojë këtë vit në të gjitha qarqet, pasi t’i ketë pyetur të gjithë drejtuesit politik për objektivat që kanë në secilin prej qarqeve që ka caktuar. P.sh, nëse Taulant Balla deklaron se PS do të marrë 8 deputetët në Elbasan, Rama do ta rendisë në vendin e 8 në listë, duke e motivuar kësisoj të punojë akoma më shumë. E njëjta teori do të vlejë edhe për drejtuesi e tjerë të qarqeve.

Ish ministrat që thyen kodin e heshtjes

Mbeten pezull kandidimet e ish ministrit të jashtëm Ditmir Bushati dhe ish ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Të dy, pas largimit nga postet që mbanin në qeveri, nuk i kursyen akuzat ndaj Edi Ramës. I pari duke denoncuar marrëdhënien e tij me oligarkët, i dyti duke u vetëshpallur njeri i lirë brenda partisë. Rama ka treguar se nuk e ka problem kur i ka bashkëpuntorët me rekorde kriminale , por kur thyejnë heshtjen në media, këtë nuk e harron kollaj. /Lapsi.al