Qytetet e mëdha të vendit, Shkodra, Fieri, Elbasani dhe Vlora, në presionin e emigracionit të lartë, pandemisë dhe së fundmi përmbytjeve, po humbasin konkurrueshmërinë dhe po thellojnë pabarazinë me kryeqytetin, i cili ka nivelin më të lartë të jetesës në vend.
Qarku i Shkodrës, i cili zotëron burime të shumta natyrore dhe kulturore, ka performancën më negative nga 12 qarqet, në treguesit e papunësisë, klimës së biznesit dhe emigracionit të lartë. Në 10 vitet e fundit, pabarazia ndërmjet qarqeve dhe rajoneve është thelluar. Veriut i duhen 15 vjet për të arritur nivelin që ka rajoni i qendrës sot. Ekspertët këshillojnë krijimin e vendeve të punës me vlerë të shtuar për të rinjtë
***
Tkurrja me shpejtësi e popullsisë, pamundësia për të rritur produktivitetin, zgjerimi i zotërimeve të krimit, të kombinuara me efektet negative të pandemisë Covid-19, po i varfëron disa qytete të mëdha, të cilat deri tani kanë qenë në krye të prosperitetit ekonomik dhe social të vendit.
Qytetet turistike si Shkodra, Vlora, Lezha, për shkak të varësisë nga të ardhurat e vizitorëve dhe në përgjithësi, rajoni i Veriut, prej prapambetjes ekonomike, kanë pësuar goditjen më të fortë nga pandemia. Prefektura e Shkodrës, kryeqendra e Veriut ka ecurinë më negative.
Në tremujorin e tretë 2020, Shkodra shënoi rritjen më të madhe vjetore të papunësisë me 6.6 pikë përqindje dhe gjithashtu ishte e treta në 12 prefekturat për mbylljen e bizneseve më 2020. Nga censi i vitit 2011, deri në mes të vitit 2019, popullsia e Qarkut të Shkodrës u tkurr me 16.7% nga emigracioni, duke e renditur atë të parën për nga numri i madh i qytetarëve të larguar jashtë vendit. Përmbytjet e fundit dhe ekspozimi më i lartë ndaj fatkeqësive natyrore e kanë dëmtuar edhe më shumë qytetin.
Kryetarja e Bashkisë, Voltana Ademi, tha se përkeqësimi i treguesve ekonomikë dhe demografikë në Shkodër po vjen prej aktivitetit të lartë të krimit të organizuar. Shumë biznese në qytet janë të detyruara të paguajnë gjoba të majme kundrejt organizatave kriminale, krahas taksave për qeverinë. Kjo situatë, sipas saj, ka rënduar jetesën normale në një qytet që trashëgon histori dhe kulturë, ndaj shumë qytetarë zgjedhin të largohen.
Zgjerimi i aktivitetit të organizatave kriminale po bëhet shkak i përkeqësimit të klimës së biznesit edhe në disa qytete të tjera si në Elbasan, Fier dhe Vlorë. Pandemia Covid-19 ka përkeqësuar kushtet për biznes, duke rritur varësinë e financimeve nga burimet informale.
Një anketë e Bankës së Shqipërisë tregoi se në 6-mujorin e parë 2020, mbi 5% e bizneseve të mëdha huamarrëse janë financuar nga persona fizikë dhe kompani të tjera, me një rritje të dukshme nga viti 2019. Këto zhvillime po thellojnë pabarazinë ndërmjet qytetarëve dhe qarqeve nga njëra-tjetra.
Në vitin 2019, nga 12 qarqe gjithsej, 11 prej tyre i kishin shpenzimet për frymë më të ulëta se mesatarja kombëtare. 10 vite më parë, të paktën katër qarqe kishin konsumin mbi mesataren kombëtare. Ines Nurja, Drejtoreshë e INSTAT, tha se pabarazia është thelluar, përderisa 90% e familjeve shqiptare konsumojnë më pak se mesatarja kombëtare.
Çfarë po ndodh me Shkodrën?!
Prefektura e Shkodrës, kryeqendra e Veriut ka ecurinë më negative. Në tremujorin e tretë 2020, Shkodra shënoi rritjen më të madhe vjetore të papunësisë me 6.6 pikë përqindje dhe gjithashtu ishte e treta në 12 prefekturat për mbylljen e bizneseve më 2020. Nga censi i vitit 2011, deri në mes të vitit 2019, popullsia e Qarkut të Shkodrës u tkurr me 16.7% nga emigracioni, duke e renditur atë të parën për nga numri i madh i qytetarëve të larguar jashtë vendit.
Akademiku Kosta Barjaba thotë se, tranzicioni demografik ndjek tranzicionin ekonomik dhe politik. Emigrimi ndërthuret me të tria këto “shina” të tranzicionit. Fluksi i lartë i emigrimit në qarqet Shkodër, Fier, Tiranë dhe Elbasan shpjegohet edhe me pamundësinë e ekonomisë së këtyre qarqeve për të thithur në treg forcën e re të punës. Përkimi i nivelit të papunësisë me nivelin e flukseve migratore është një dukuri që ndodh në të gjitha ekonomitë dhe të gjitha shoqëritë, thotë ai.
Profesor Ilir Gedeshi, i cili ndjek prej vitesh zhvillimet demografike në vend dhe kryesisht flukset emigratore, thotë se në dekadën e tretë të emigracionit, emigrimi ka prekur të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare, që nga elitat e deri te grupet më të varfra e më të margjinalizuara dhe ka tërhequr njerëz nga të gjitha rajonet e vendit me disa veçori strukturore së fundmi, ku po largohen segmentet më të arsimuara të popullsisë. Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve, pabarazia ndërmjet qarqeve të vendit dhe kryeqytetit po thellohet.
Si po “shkërmoqet” Shkodra
Shkodra është padyshim qarku i vetëm në vend me burime të pasura natyrore, i vjetër në trashëgimi dhe kulturë, me pozicion gjeostrategjik që e lidh me rajonin dhe Europën.
Me Alpe të larta, pyje me gështenjë, det me plazhe të bukura, lumenj malorë me ujëra kristal, liqen, Bunën e Drinin që zbrazen në portat e saj, Shkodra është një ndër qytetet unike të Europës. Me histori mijëravjeçare, me popullsi të arsimuar dhe trashëgimi kulturore, përvojë në tregti e turizëm, Shkodra padyshim që duhet të ishte një nga rajonet më të pasura të vendit.
Por sot, qyteti historik po kalon ndoshta ditët më të vështira të shekullit të fundit. Sipas një ankete të INSTAT mbi emigracionin, nga viti 2011 deri në korrik të vitit 2019, nga Shkodra emigruan rreth 36 mijë persona, ose 16.7% e popullsisë së qarkut, i cili njohu normat më të larta të emigracionit në rang kombëtar për të njëjtën periudhë në raport me popullsinë.
Voltana Ademi, e cila drejton bashkinë prej shumë vitesh, thotë se më shumë se sa për arsye ekonomike, shkodranët po largohen nga mungesa e sigurisë. Qyteti dominohet nga organizatat kriminale, thotë Ademi, të cilat në vijimësi janë shndërruar në kërcënim për qytetarët e ndershëm. “Edhe unë jam kërcënuar shumë herë me jetën time dhe të fëmijëve, por kam zgjedhur përballjen” – tha Ademi. Bizneset gjobiten nga bandat, të cilat janë bërë ‘huadhënësit’ më të mëdhenj në qytet, – thotë ajo.
Krahas kësaj problematike, Shkodra ishte nga më të goditurat nga pandemia Covid-19 dhe së fundmi nga përmbytjet, ngjarje që kanë përkeqësuar gjendjen ekonomike të qytetit. Sipas të dhënave të INSTAT, Shkodra ishte nga qytetet më të goditura nga pandemia dhe me numrin më të lartë të fataliteteve në raport me popullsinë.
Bizneset që kaluan në status pasiv u rritën me 64% në periudhën maj-dhjetor 2020 në raport me një vit më parë. Fillimi i vitit 2021 ka qenë edhe më i vështirë pasi me qindra hektarë tokë janë përmbytur dhe qindra ekonomi familjare kanë pësuar dëme të mëdha në bujqësi, blegtori etj.
Edhe pse reshjet kanë pushuar prej tre ditësh në Shkodër, më datën 5 shkurt, ishin të përmbytura 3605 hektarë tokë dhe niveli i ujit në disa njësi administrative ishte mbi një metër dhe qarkullimi bëhet vetëm me mjete të larta. Shkodra është një nga qarqet më të ekspozuara nga fatkeqësitë natyrore, sidomos përmbytjet. Në vitin 2010, qyteti me rrethina u përmbyt tërësisht, duke pësuar dëme kolosale, të cilat sot e kësaj dite mbeten të pakompensuara.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se nga viti 2009-2018, Shkodra kishte rritjen më të ulët ekonomike pas Kukësit. Në dhjetë vite, ekonomia e Shkodrës u zgjerua vetëm me 8%, teksa në qarqet e tjera, zgjerimi i ekonomisë ishte me ritme dy-tre dhe katërshifrore. Qarku tjetër i Veriut, Kukësi ka pasur ecurinë me negative, ku për dhjetë vite, teksa qarqet e tjera rriteshin, ekonomia e tij pësoi rënie me 0.2%.
Rajonet më të goditura nga pandemia
Sipas të dhënave administrative, por dhe atyre nga Anketa e Forcës së Punës në 6-mujorin e parë të vitit 2020, dolën të papunë rreth 50 mijë persona, si rrjedhojë e karantinës së ashpër, që detyroi mbylljen e qindra bizneseve dhe goditjes që eksportuesit morën nga rënia e porosive nga partnerët e tyre jashtë.
Ndërsa në 3-mujorin e tretë 2020, të dhënat administrative tregojnë një rimëkëmbje të dobët, ku 30 mijë persona ende janë jashtë tregut të punës. Të dhënat e tjera sipas qarqeve, tregojnë se në rajonet ku numri i bizneseve të mbyllura ka qenë më i madh, kjo ka ndikuar në shtimin e papunësisë.
Qarqet e Shkodrës, Vlorës dhe Korçës panë rritjen më të lartë vjetore të papunësisë në tremujorin e tretë të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare që referohen nga Anketa e Forcave të Punës. Të dhënat mbi papunësinë, sipas qarqeve tregojnë se, Shkodra shënoi rritje të treguesit në tremujorin e tretë me 6.4 pikë përqindje në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke arritur në 15%, nga 8.6% në tremujorin e tretë 2019. Pas Shkodrës, Vlora ishte qarku i dytë me rritjen më të lartë të papunësisë me 3.3 pikë përqindje (pp) në raport me një vit më parë, e ndjekur nga Korça me 2.4 pp rritje, Lezha me 2.4 pp, Elbasani me 1.6 pikë pp dhe Berati me 0.5 pp.
Në krahun tjetër, Dibra dhe Gjirokastra shënuan rënie të normës së papunësisë në raport me një vit më parë, përkatësisht me 3 dhe 1.9 pikë përqindje. Më shumë se sa përmirësimi i tregut të punës në këto qarqe ka ndikuar tkurrja e popullsisë për shkak të emigracionit të lartë në Dibër dhe plakjes së popullsisë në Gjirokastër. Më tej, normat e papunësisë në tremujorin e tretë shënuan rënie vjetore edhe në Qarkun e Tiranës me 1.7 pp, Durrësit 1.5 pp, Fierit 1.3 pp dhe Kukësit me 1.3 pp.
Të dhënat, sipas drejtorive rajonale tatimore, të përpunuara nga “Monitor”, tregojnë se rajonet që e kanë të bazuar aktivitetin te turizmi kanë dhe rritjen më të lartë të bizneseve të mbyllura për janar-dhjetor 2020, në raport me të njëjtën periudhë të 2019-s, kur dhe turizmi arriti në kulmin e vet.
Në Vlorë, bizneset e kaluara në status pasiv për periudhën në shqyrtim janë 107% më shumë se një vit më parë. Në Sarandë, mbylljet janë rritur me gati 60%, në Shkodër me 64%, në Korçë me 56%. Në Kukës, ku përfshihet dhe Tropoja, që vitet e fundit ka zhvilluar turizmin malor, pezullimet e subjekteve janë rritur me 74%.
Më i favorizuar ka qenë Durrësi, ku bizneset për shkak të afërsisë me Tiranën dhe fluksit të lartë të shtetasve nga Kosova në shtator-tetor duket se kanë arritur të rezistojnë disi. Mbylljet e subjekteve, sipas Drejtorisë Tatimore Rajonale në Durrës janë rritur me 16% me bazë vjetore, në maj-dhjetor 2020.
Krizës nuk i ka shpëtuar as kryeqyteti, ku veprojnë rreth 40% e subjekteve të regjistruara në vend. Numri i bizneseve të kaluara në status pasiv në Tiranë është rritur me 35% për periudhën në shqyrtim.
Të dhënat e Tatimeve tregojnë se në të gjitha rajonet, numri i subjekteve që kanë kaluar në status pasiv është rritur me ritme dyshifrore, me përjashtim të Lezhës (+7.6%) dhe Dibrës, që është e vetmja ku numri i subjekteve të mbyllura është më i ulët se në 2019-n (-10.4%).
Veriut i duhen 15 vite të arrijë standardet e qendrës së vendit
Ekonomia e Veriut të Shqipërisë është rritur 6 vitet e fundit mesatarisht me 2% në vit. Ky ritëm ishte sa gjysma e rritjes ekonomike të qendrës së vendit, Tiranës dhe Elbasanit, prej 4% në vit mesatarisht në periudhën 2013-2018, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT.
Të ardhurat mesatare për frymë në Rajonin e Veriut ishin 461,826 lekë në vitin 2018, ndërsa në Rajonin e Qendrës, 33% më të larta, me rreth 692,000 lekë për frymë në vit. Me këto diferenca, Veriut të vendit i duhen edhe 15 vite rritje me ritmet aktuale prej 2% për të arritur standardin e të ardhurave të Qendrës së vendit sot.
Burimet natyrore të Veriut, të cilat shfrytëzohen edhe sot e kësaj dite nga kompani publike apo investitorë privatë nuk i ndajnë fitimet me komunitetin lokal, siç ndodh me praktikat e vendeve të zhvilluara europiane.
Për efekt statistikor, Shqipëria është e ndarë në tre rajone, Veriun, Jugun dhe Qendrën. Në Rajonin e Veriut përfshihen qarqet e Kukësit, Dibrës, Lezhës, Shkodrës dhe Durrësit, në Rajonin e Qendrës janë vetëm qarqet e Tiranës dhe Elbasanit dhe në rajonin e Jugut përfshihen qarqet e Beratit, Fierit, Gjirokastrës, Korçës dhe Vlorës.
Në vitin 2018, në rajonin statistikor të Veriut, PBB për frymë është 462 mijë lekë, duke shënuar rritje nominale me 4,7%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 19,1% nën mesataren e vendit. Në rajonin statistikor Qendër, PBB për frymë është 692 mijë lekë dhe pati një rritje me 5,6%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni rezultoi 21,2% mbi mesataren e vendit.
Në rajonin statistikor të Jugut, PBB për frymë është 511 mijë lekë, duke shënuar një rritje me 6,3%, krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij rajoni është 10,4% nën mesataren e vendit.
Niveli më i lartë i PBB-së për frymë sipas rajoneve statistikore në nivel Qarku, në vitin 2018, ishte në Qarkun e Tiranës, me 783 mijë lekë dhe shënoi një rritje në terma nominalë prej 5,1% krahasuar me vitin 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 37,3% mbi mesataren e vendit. Më pas renditet Qarku i Fierit, me 599 mijë lekë, duke shënuar rritje në terma nominale prej 8,4% ndaj vitit 2017. PBB për frymë e këtij qarku ishte 5,0% mbi mesataren e vendit.
Gjatë periudhës së tranzicionit, Shqipëria po përjeton zhvillim jo të barabartë. Burimet ekonomike dhe të ardhurave janë përqendruar në qendër të vendit, kurse rajonet mbeten të ekspozuara ndaj fenomenit të emigracionit dhe mungesës së planeve zhvillimore të qëndrueshme.
Qytetet me burime të pasura natyrore vuajnë varfërinë
Në vendet e zhvilluara të Europës, qytetet më të pasura janë të përqendruara në rajonet e Veriut. Ato janë të pasura me burime natyrore, kryesisht miniera, të cilat kanë zhvilluar industrinë e rëndë dhe punën me vlerë të shtuar, duke krijuar diferenca të mëdha në nivelin e jetesës me rajonet e jugut që kanë burim kryesor bujqësinë.
Edhe Shqipëria, i ka të përqendruara burimet natyrore në Veri, prodhimi i energjisë, minierat e kromit dhe bakrit. Ndryshe nga Europa, Veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër, por edhe ndër rajonet me të varfra të Europës. Ndërsa ekonomia e Shqipërisë nga viti 2009 deri në 2018 është rritur me 27% sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, ekonomia e dy qarqeve të mëdha të Veriut, Shkodrës dhe Kukësit ndryshoi përkatësisht me 8 dhe -02%.
Në këto dy rajone është i përqendruar gati 90% e prodhimit të Energjisë. Minierat e Kukësit zotërojnë rezervat më të mëdha të kromit në vend. Qarqet që duhet të zhvilloheshin prej pasurive të tyre natyrore, përkundrazi janë në skamje e varfëri dhe po shpopullohen me shpejtësi. Në vitin 2018, të ardhurat për frymë në Qarkun e Kukësit ishin 361 mijë lekë, niveli më i ulët në rang kombëtar. Nga 2011-2019, popullsia e Qarkut të Kukësit u tkurr me 12% nga emigracioni. /Marre me shkurtime nga Monitor/