Arbër Mazniku dhe derri në ledhin e Rilindjes!

Nga Boldnews.al

Gjeni të jetë vallë Arbër Mazniku? Mos është një kokë e madhe që bota e mban si ujin e pakët në shkretëtirë dhe pret prej tij mendime të vyera nga shkenca e së ardhmes?

Po nëse do ishte i tillë Akademitë e Shnecave (jo ajo e akademikut Gjinush) do e fusnin nëpër institucione të mëdha dhe laboratorë shkencorë… Nuk është asnjë prej tyre, por nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbër Mazniku e cilëson veten “gjeni” sepse është anëtar në 12 borde shtetërore dhe paguhet plot 6200 euro në muaj.

Të gjithë kërkojnë “eksperiencën” e tij, ndonëse është i “specializuar” për udhëtimet jashtë vendit dhe njohës i mirë i kulinarisë, pasi shumëkusht në Rilindje e mban si shijues sqimatar i ushqimit e sidomos në nuhatje…

Ai nuhat jo vetëm pushtetin por edhe individin që duhet ti qepet pas. Rend pas atyre që shkojnë drejt suksesit, duke përdorurmetodën e “ngjitjes”, kryesisht pjesën orale, pra atë të komunikimit verbal.

Gjithnjë pas Erion Veliajt kudo që ai shkon dhe hairin ia ka parë mirë, sepse është një nga njerëzit më të besueshëm dhe jo më kot konsiderohet një urë e rëndësishme lidhëse mes biznesit dhe punëve publike të bashkisë, ku lëvrohen miliona euro tendera. Një “Mon Kukalesh” qarkullon nëpër bashkinë e Lalit…

Por Maznikut nuk i del vetëm paga si nënkryetar bashkie dhe grykësia që vjen si dhuratë nga Rilindja e Ramës shpërblehet si ënatar në 12 borde, ku bashkia ose ka aksione, ose është 100% pronare e këtyre enteve. Kushdo që e ka parë Maznikun në bordet ku është anëtar thotë se është “mjeshtër” në komunikim, ku fjalët që përdor më shpesh, nganjëherë edhe të vetmet janë: “mrekulli” dhe “kishte shije fantastike”…

LEXO EDHE  "Na qëlluan të parët, reagova për vetëmbrojtje", zbardhet dëshmia e Paplekajt

Kjo nuk është pak, sepse flet kjo mendje e ndritur që qëndron në kryet e tavolinës në lokalin e Nustret në Dubai. Ai është lezeti që i jep nuanca formës pa bosht të njeriut të ri të Rilindjes.

Është “kokë e madhe” sepse të përfitosh zyrtarisht 6200 euro në muaj dhe të jesh anëtar në 12 borde do të thotë se di të japësh mendime të vyera.

Dhe një mendje kaq brilante kërkon benefitet e veta që të funksionojë dhe jetojë si gjeni. Firma “Fusha sh.p.k” pagoi për shtratin e Maznikut për dy netë gjumë 1816 euro. Nënkryetari i Bashkisë Tiranë mund tia lejonte vetes që edhe këtë shumë të çmendur për dy netë gjumë ta paguante vetë, por nuk i duhet vënë faj, sepse personalitete të tillë që janë anëtarë në 12 borde duhen mbajtur, vlerësuar dhe ruajtur.

Në ledhin e Rilindjes zhgërryhen lumturueshëm plot derra, por rasti Mazniku është i veçantë sepse di të të kthejë të mirat, kur për çdo skandal që mund të shfaqet e merr vetë barrën mbi supe. Vetëm një mendje brilante si ajo e Maznikut i kërkon falje Baton Haxhiut kur ky i fundit i tha se me atë video në Dubai, i keni prishur punë Edi Ramës.

Të gjithë duhet të jenë krenarë për një “personalitet” si Mazniku, ai ka vendosur që mendjen e tij ta shtrydhë këtu në këtë vend të varfër, duke u “strapacuar” në 12 borde të bashkisë, qofshin ato edhe pa kryer asnjë punë dhe paguhet për vetëm 6200 euro.

Mazniku duhet ruajtuar dhe mbajtur sa e kemi, pasi ndryshe do të “pendohemi” si shoqëri, kur të na e marrë bota trurin e kombit….!